Të gjithë shqiptarët, intelektualë, politikanë, përfaqësues shtetërorë, media e qytetarë, besojnë dhe deklarojnë se ne shqiptarët me qytetërim, me vlera e me mendësi jemi evropianë e perëndimorë. Madje, si argument për këtë, na thonë se edhe gjeografikisht përkasim në Evropë, thua se gjeografia në vetvete e përcakton qytetërimin, vlerat e mendësinë e një populli. E vërteta është krejt ndryshe. Ne shqiptarët nuk jemi as evropianë as perëndimorë me vlera e mendësi (për qytetërim as që mund të flasim, folëm më herët). Para se të trazohen militantët “shqiptaro-perëndimorë” dhe të nxjerrin konstatimin se unë dashkam t’i quaj shqiptarët lindorë, le të presin pak. Të mos qenurit perëndimor, nuk të bën me automatizëm lindor, siç pandehin injorantët tanë. Kështu që, jo, ne nuk jemi as lindorë.
Duke marrë parasysh historinë dhe aktualitetin tonë, të cilat u përshkruan edhe në këtë shkrim, mendësia jonë më së miri përshkruhet me dy fjalë: mendësi nomade. Sigurisht sipërfaqësisht mund të duket si paradoksale (paradokset janë edhe të vërteta) që të konstatojmë që ne shqiptarët kemi mendësi nomade në ndërkohë që ne kemi organizim shoqëror, politik e shtetëror modern, kemi ndërtesa e vendbanime të stacionuara e afatgjata, zhvillojmë aktivitete të fushave të ndryshme, etj.. Sërish keqkuptim në përkufizim. Të pasurit mendësi nomade nuk do të thotë se jeton në fise e në tenda, në lëvizje të përhershme, që merresh vetëm me gjueti, blegtori e bujqësi primitive. Mendësia nomade ka të bëj me të qenurit rob i përkohshmërisë së jetesës dhe rob i interesit të ngushtë. Pikërisht të tillë mendësi kemi ne shqiptarët.
Mendësia jonë nomade nuk na lejon që të krijojmë vizion, qëllime, objektiva e plane për vite, dekada e shekuj për veten, shoqërinë, shtetet e kombin tonë, por funksionojmë me politika ad-hoc, varësisht prej qejfeve, tekeve e inateve të atyre që vijnë në pushtet dhe që ndryshojnë sa herë që kemi ndërrim pushtetesh. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ne ta vendosim si prioritet interesin e shtetit e të shoqërisë, në mënyrë që pastaj në kuadër të interesit të përgjithshëm të arrijmë të realizojmë edhe interesat personale, familjare e farefisnore, por jemi në gjendje që për interesa të ngushta e banale ta dëmtojmë e shkatërrojmë shtetin e shoqërinë. Vetëm te ne ndodh që për një përfitim minimal personal t’i shkaktojmë shtetit e shoqërisë dëm kolosal. Vetëm te ne shqiptarët ekzistojnë praktikat e parimet primitive provinciale, si: interesi im para shtetit e shoqërisë, ai/ajo është i/e afërm e imja dhe duhet përkrahur, ai/ajo është i/e partisë sime dhe duhet përkrahur, ai/ajo është i/e komunës/regjionit tim dhe duhet përkrahur. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ne t’i përkushtohemi të motivuar së brendshmi dijes, edukimit, arsimimit, shkencës, teknologjisë, artit e kulturës, për hir të të mirave afatgjate që këto i sjellin individit e shoqërisë, por i bëjmë këto vetëm sa për sy e faqe, se jemi të detyruar, sa për të marrë diploma, sa për të zënë një vend pune, sa për të fituar një status social, sa për të përfituar financiarisht, sa për t’u reklamuar e sa për ta përkëdhelur egon tonë. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ne të ndërtojmë vendbanime, urbane e rurale, me standarde urbane, me rregullsi e estetikë, me gjelbërim, me parqe, me rrugë, me trotuare, me hapësira edukative, shoqërore, kulturore, sportive e rekreative të mjaftueshme. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ta shkruajmë historinë tonë të vërtetë e siç është, por e tjetërsojmë atë për hir të ca interesave të përkohshme, fminore e vulgare, siç është rasti me trefishimin e numrit të veteranëve të UÇK-së në Kosovë. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ta ruajmë edhe atë pak trashëgimi historike e kulturore që e kemi, të cilën e shkatërrojmë ditë e përditë dhe pothuajse nuk ka mbetur asgjë prej saj origjinale dhe e patjetërsuar. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk i lejon pronarët e kompanive të ndërtimit që të bëjnë investime minimale në standardet e kushtet e sigurisë së punëtorëve të tyre, të cilët çdo ditë vdesin në vendin e tyre të punës dha askush nuk jep përgjegjësi për këto jetë të humbura. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ne të punojmë në vendin tonë të punës me përkushtim, me integritet, me profesionalizëm, pa hile e në respektim të orarit, por shkojmë në punë vetëm pse jemi të detyruar, nuk e zotërojmë punën që e bëjmë, nuk e kryejmë punën për të cilën paguhemi, kurdo që na jepet mundësia i ikim punës e përgjegjësive të saj. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ne ta mbajmë të pastër ambientin e përbashkët jashtë oborrit tonë dhe ta ruajmë ambientin nga ndotja. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ne ta lëmë të pastër për të tjerët WC-në publike pasi e përdorim vet. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësia jonë nomade nuk na lejon që ne t’i respektojmë rregullat e shenjat e komunikacionit, duke shkaktuar kaos e duke rrezikuar të tjerët, vetëm sa për të arritur ca sekonda më herët në destinacionin tonë. Sepse ne jetojmë sot për nesër, veç për veten dhe për një rreth të ngushtë njerëzish, si nomadët. Mendësi e praktika të tilla nuk mund të gjesh te popujt perëndimorë. Sigurisht edhe atje ka raste të tilla, por ato janë përjashtime, ndërsa te ne këto janë rregull i përgjithshëm, vetëm rastet e mira (të kundërta me këto) te ne janë përjashtime. Lista e shpërfaqjes së mendësisë sonë nomade mund të vazhdojë pafundësisht, por po ndalemi këtu për të vazhduar me një natyrë tjetër të argumenteve pse ne shqiptarët nuk jemi perëndimorë me vlera e mendësi.
Siç e përmenda në pjesën paraprake të këtij shkrimi kur fola për rilindjen evropiane, para se perëndimi të rilindë e të përndritet, me shekuj kishte zhvilluar debate për gjithçka. Mendimtarët e debatuesit perëndimorë nuk e pranuan as Zotin pa debatuar për qenien e ekzistencën e tij, nuk e besuan as universin pa debatuar për ligjësitë e funksionimit të tij, nuk e pranuan as shtetin pa debatuar për elementet përbërëse të tij, nuk e shenjtëruan as lirinë e dinjitetin njerëzor pa debatuar për vlerën e njeriut e të lirisë, nuk e vendosën as sistemin gjyqësor pa debatuar për drejtësinë që mund ta jetësojë ai, nuk i hapën as shkollat e universitetet pa debatuar për misionin e funksionin e tyre, nuk i zhvilluan as ekonomitë pa debatuar modelet e zhvillimit të tyre, nuk i pranuan as veprat e mëdha artistike pa debatuar për estetikën e artin, nuk i zhvilluan as ushtritë pa debatuar për rolin e rëndësinë e tyre, etj., etj., etj.. Me një fjalë, perëndimi nuk pranoi, nuk përqafoi e nuk përbrendësoi asnjë të vërtetë, bindje, vlerë, parim a model sjelljeje pa debatuar për të e pa ia nënshtruar një vlerësimi e kritike skeptike, rigoroze, të gjithanshme, objektive e racionale. Dhe çfarë është më e rëndësishmja, këto debate nuk i bëri kushdo, por mendjet më të ndritura, dhe këto debate nuk i bëri sipërfaqësisht e për hir të debatit si qëllim në vete, por debate të thella e shteruese që kishin qëllim arritjen te e vërteta, në mënyrë që të siguroheshin që shoqëria që do të ndërtohej mbi këto të vërteta, bindje, vlera, parime a modele sjelljeje, të ishte një shoqëri e shëndoshë, e qytetëruar, e emancipuar, e vetëdijshme, e gatshme për debate intelektuale. Vetëm një shoqëri e tillë mund të kishte të ardhme të mirë. Jo vetëm kaq, të gjitha këto debate përmes sistemit të edukimit e arsimit i përcolli edhe te masa, në mënyrë që secili qytetar të pranoi, të përqafoi e të përbrendësoi gjërat vetëm pasi të jetë bindur se janë të duhurat, prandaj shumica e sjelljeve perëndimore sot janë rezultat i bindjes e besimit të qytetarëve në to, jo rezultat i detyrimit (pa mohuar edhe rëndësinë e zbatimit të dispozitave ligjore). Andaj, shoqëritë e individët perëndimorë në përgjithësi sot janë mendje-hapur, objektivë, racionalë, kritikë, vetë-kritikë, argumentues, të dinjitetshëm, të drejtpërdrejtë, korrekt, të drejtë, me shije të gdhendur, etj.. Njëjtë, edhe shtetet perëndimore në përgjithësi janë më liberalet, më racionalet, më të zhvilluarat e më të avancuarat e botës në çdo fushë e drejtim. Ju lutem mos më tregoni tash për të metat, veset, degjenerimet e padrejtësitë e perëndimit, sepse jam i vetëdijshëm për to dhe nuk frikësohem të flas për to, por ajo është temë tjetër dhe nuk kam ndërmend që të merrem me të në këtë shkrim. Për më tepër, pikërisht pse perëndimi ka vlera, ka mjaft njerëz atje në mesin e vet perëndimit që zëshëm, publikisht, aktivisht e intensivisht i kritikojnë dhe ju kundërvihen të gjitha këtyre të metave e padrejtësive të perëndimit.
Tash nëse e analizojmë shoqërinë tonë shqiptare për këto elemente e shohim që përmbajtësisht ne nuk kemi asgjë të përbashkët me perëndimin e shoqëritë perëndimore. Ne pothuajse asnjëherë, as në të kaluarën as në ditët tona, nuk kemi zhvilluar asnjë debat përmbajtësor për asnjë fushë, temë a çështje të rëndësishme e për rrjedhojë as nuk kemi pasur si t’ia përcjellim këto debate masës popullore, në mënyrë që kjo të rezultoi me një shoqëri mendje-hapur, kritike e vetë-kritike, objektive e racionale dhe e cila i ka shqyrtuar dhe vetëm pas shqyrtimit i ka përqafuar vlerat e parimet, në të cilat vërtet beson. Në vend të kësaj ne kemi marrë vlera e parime “copy&paste” nga perëndimi (në të kaluarën nga të tjerët). Andaj, debati i mirëfilltë e përmbajtësor në shoqërinë shqiptare mungon edhe sot e kësaj dite. Ato që ne sot i quajmë debate, kryesisht nëpër media, në fakt janë më shumë llomotitje pa përmbajtje, fjalime shterpe sipërfaqësore, promovim individësh, përkëdhelje egosh, servilosje ndaj autoritetit e pushtetit, etj., por jo debate. Nuk mund të ketë debate për tema e çështje teknike e ditore para se të jetë konsumuar debati substancial në kuadër të të cilit do të mund të trajtoheshin këto tema e çështje ditore e teknike. Kështu që, në shoqërinë tonë shqiptare konvergjenca zë vend në familje, në shkollë, në universitet, në politikë, në shoqëri, në media etj., kurse divergjencat më shumë shpërfaqen si hasmëri, smirë, inat, urrejtje, tifozëri anuese, etj., por kurrë si debate të mirëfillta.
Rrjedhimisht, sa i përket kësaj pike, esencialisht ne nuk kemi përqafuar asnjëherë vlerat perëndimore siç pretendojmë, sepse njeriu përqafon vetëm atë që e njeh, atë që i përshtatet, atë që i mungon, atë që e do. Ne i kemi marrë vetëm, si të mirëqena, konstatimet, përfundimet që i ka nxjerrë Rilindja e Iluminizmi evropian – pa i njohur ato, pa debatuar për to, pa e ditur pse janë të duhura e të mira, rrjedhimisht pa sentiment për to. Ndaj, në dukje ne mund të dukemi perëndimorë, por në esencë ne udhëhiqemi nga mendësia jonë autentike, fatkeqësisht primitive (edhe primitivja ka elemente të mira e pozitive, si p.sh. aftësia për mbijetesë). Dikush mund të thotë se tashmë jemi në shekullin XXI dhe nuk mund të kthehemi mbrapa për debate mesjetare. E vërteta është se nuk mund të bëjmë debate bashkëkohore kur ende nuk i kemi bërë debatet mesjetare. Historia nuk lejon ndërtime të fragmentuara. S’mund t’i ndërtojmë katet e sipërme të një ndërtese para se ta kemi vënë e konsoliduar themelin e saj. Nëse jemi vonuar, fajtorë janë paraardhësit tanë. Nëse vonohemi sërish, fajtorë do të jemi ne para pasardhësve tanë. Perëndimi është ai që është sot, para së gjithash dhe mbi të gjitha, fal debatit shterues përmbajtësor mbi çdo gjë e për gjithçka.
Se ne vetëm e kopjojmë perëndimin në dukje, por në esencë nuk kemi asnjë vlerë perëndimore, kjo na del në shesh edhe nëse e shohim dhe e analizojmë përmbajtësisht shoqërinë dhe shtetet tona shqiptare. Ne kemi shtete moderne që funksionojnë si fise primitive e pashallëqe mesjetare, kemi republika parlamentare që funksionojnë si monarki e diktatura, për zyrtarët e shtetit e përfaqësuesit e popullit është shumë më i rëndësishëm një qëndrim i një ndërkombëtari se sa vullneti i gjithë popullit, kemi ligje bashkëkohore që zbatohet sipas vullnetit të individëve, kemi gjykata, por zbatojmë gjyqësi publike, kemi ligje e gjykata moderne, por zbatojmë kanunin mesjetar, kemi akademi e universitete që funksionojnë si oda, kemi ekonomi të tregut të lirë që kontrollohen nga bandat, sillemi në mënyrë të duhur vetëm kur kemi frikë ose kur jemi të detyruar, “besojmë” në shenjtërinë e jetës së njeriut, por vrasim për arsye e interesa banale, etj., etj.. Arsimi jonë, përveç në ligje e strategji, sa i përket përmbajtjes e cilësisë nuk ka asnjë ngjashmëri me atë të perëndimit, jemi me shekuj mbrapa. Njëjtë, në mos më keq, e kemi edhe shkencën, teknologjinë, shëndetësinë, gjyqësinë, ekonominë, artin, kulturën, turizmin, sportin, etj.. Partitë tona politike i mashtrojnë qytetarët me të njëjtat gënjeshtra për dekada, gjë që dëshmon çfarë partish kemi, që veç mashtrojnë, dhe çfarë qytetarësh të vetëdijshëm kemi, që aq lehtë mashtrohen. Të gjitha këto, e shumë të tjera si këto që mund të listohen, dëshmojnë që ne shqiptarët, përveç në dukje e sipërfaqësisht që mund t’i ngjajmë perëndimit, përmbajtësisht nuk kemi asgjë të përbashkët e të krahasueshme me të.
Ndokush mund të përmend elementë të tjerë për të dëshmuar se ne jemi perëndimorë, si p.sh: shoqërinë civile, mediat, bizneset e mëdha, etj., të cilat mund të na bëjmë të dukemi perëndimorë. E vërteta është zhgënjyese edhe për këto elemente. Shoqëria jonë civile kryesisht e organizuar në organizata jo-qeveritare (OJQ) mund të duket aktive e shumë prezente publikisht, por fatkeqësisht shumica e OJQ-ve tona kanë mision primar, përkatësisht qëllim në vete, ekzistencën e vet e jo kauzat që i mbrojnë. Shumica e tyre janë gjuetare fondesh, disa shushunja fondesh bile, e shumë pak prej tyre identifikojnë problemet e nevojat reale të shoqërisë, në mënyrë që pastaj të sigurojnë përkrahje për të adresuar këto probleme e nevoja. Pra, shumica e OJQ-ve bëjnë ç’u kërkohet nga donatorët e nuk kërkojnë të bëhet çfarë duhet e çfarë ka nevojë shoqëria. Së këndejmi, shumica e tyre janë organizime mercenarësh e jo shoqëri civile e mirëfilltë, pavarësisht se në veprime mund të duken të tilla. Prandaj, pavarësisht se OJQ-të tona kanë harxhuar qindra-miliona euro në emër të adresimit të problemeve të të gjitha fushave të shoqërisë sonë, ato nuk kanë pasur efekt dhe rezultat, gjendjen e kemi të mjerueshme në të gjitha fushat. Ne kemi media të shumta e madje edhe të mëdha, siç ka edhe në perëndim, por fatkeqësisht shumë prej mediave tona janë joprofesionale, argatë të biznese e partive politike nga të cilat financohen, joparimisht anuese, vërtetë-mbuluese, debat-mbytëse, debat-simuluese, urrejtje-nxitëse, injorancë-mbjellëse, etj.. Ne kemi biznese e korporata të mëdha që mund t’ju ngjasojnë atyre perëndimore, por e vërteta është se për dallim prej atyre perëndimore, shumica e këtyre tonave nuk janë zhvilluar falë idesë, dijes, kreativitetit, inovacionit, konkurrencës, punës e përkushtimit, por janë zhvilluar fal lidhjeve me pushtetet, fal tenderëve, fal intrigave, fal luftimit të pandershëm të konkurrencës, fal keqpërdorimit të punëtorëve, etj.. Kështu që, as sa i përket këtyre elementeve ne nuk jemi perëndimorë.
E di që të gjithë shqiptarët e kemi për qejf ta përmendim fenomenin e tolerancës ndër-fetare mes shqiptarëve, kur dëshirojmë të theksojmë se jemi të emancipuar, të vetëdijshëm e tolerantë ndaj tjetrit me besim a përkatësi të ndryshme dhe kështu të dukemi perëndimorë. Sigurisht pa dashur ta zhvlerësoj këtë fenomen të mirë shqiptar, sërish, edhe në lidhje me këtë duhet thënë një të vërtetë të hidhur. Fatkeqësisht, nuk mendoj që toleranca ndër-fetare mes shqiptarëve është rezultat i vetëdijes së lartë dhe bindjes sonë se tjetri duhet pranuar e respektuar pavarësisht besimit, fesë a përkatësisë që i përket. Kjo tolerancë është rezultat i dy faktorëve: 1) si gjithçka tjetër, edhe fenë shqiptarët e kanë marrë sipërfaqësisht, pa e përbrendësuar dhe pa e ndjerë të vetën, krishterimin nga romakët e bizantinët, ndërsa islamin nga osmanët, thjesht për oportunizëm, ndaj nuk kanë qarë shumë kokën për të, dhe 2) duke qenë se gjithmonë gjatë historisë kemi qenë të detyruar të merremi me ekzistencën e mbijetesën tonë etnike e kombëtare, fenë asnjëherë nuk e kemi pasur prioritet e temë diskutimi. Se kjo është e vërtetë tregon aktualiteti shqiptar. Tashmë që shqiptarët nuk e kanë të rrezikuar ekzistencën e mbijetesën në shumicën e vendeve ku jetojnë, tani kanë filluar përplasjet rreth fesë, posaçërisht në Kosovë. Pikërisht pse kjo tolerancë nuk është rezultat i vetëdijes sonë e i debatit të mirëfilltë, jam i bindur që në një të ardhme jo shumë të largët, për shkak të, në njërën anë mercenarët e në anën tjetër injorantët e fanatikët e të dy feve kryesore që i kanë shqiptarët, pa përjashtuar edhe injorantët e fanatikët ateistë, ky fenomen e kjo cilësi e mirë e shqiptarëve do të mbetet vetëm pjesë e historisë sonë.
Në lidhje me këtë, duhet thënë se ca të ashtuquajtur intelektualë e politikanë shqiptarë, duke qenë injorantë, të kompleksuar e inferiorë, përmes një fushate gati sistematike e intensive, janë duke e shkatërruar këtë cilësi të mirë të shqiptarëve përmes nxitjes së urrejtjes mes shqiptarëve të feve të ndryshme, sepse janë duke u munduar që ta ngulisin te shqiptarët idenë se për t’u qytetëruar e për të qenë perëndimorë duhet të kthehemi në krishterim si Evropa e perëndimi. Harrojnë se Evropa kishte qytetërim edhe para krishterimit dhe u ringjall e u zhvillua pikërisht kur doli nga kontrolli i krishterimit, përkatësisht kishës, megjithëse ruajti shumë vlera krishtere dhe mirë që i ruajti. Harrojnë që në të njëjtën kohë Evropa kishte qytetërim edhe fal krishterimit, që në kohën e Romës e posaçërisht Bizanti që u ndërtua kryesisht mbi themele krishtere. Harrojnë, po ashtu, që bota u udhëhoq për më gjatë se një milenium nga një qytetërim shumë i avancuar i prirë nga perandori të njëpasnjëshme të qeverisura kryesisht mbi vlera e parime islame dhe ky qytetërim paraqiste për kohën e vet gjithçka që për kohën tonë përfaqëson SHBA-ja, BE-ja, NATO e perëndimi në përgjithësi. Pikërisht këto dëshmojnë se feja në vetvete nuk është as fajtore as meritore për mungesë, përkatësisht prezencë qytetërimi. Është punë e qytetërimit që ta akomodojë brenda vetes fenë e popullit të vet, ta vë në raporte bashkëpunimi dhe ta integrojë cilëndo fe a besim brenda qytetërimit, brenda sistemit universal të vlerave njerëzore. Pra feja është në dorën e njeriut e jo njeriu në dorën e fesë. Prandaj, në mënyrë që ta mbyllim këtë fesatë që po e shkaktojnë këta individë, ne duhet që njëherë e mirë ta kuptojmë që qytetërimi, emancipimi e zhvillimi i një populli vjen si rezultat i punës së vet e jo i përkatësisë fetare apo çfarëdo përkatësie tjetër. Dëshmi e gjallë dhe shembull tipik i kësaj jemi vet ne shqiptarët dhe paraardhësit tanë. Ne as kur ishim paganë, as kur ishim të krishterë as kur ishim myslimanë nuk shkëlqyem e nuk kishim qytetërim të avancuar, gjithmonë, edhe kur ishim paganë, edhe kur ishim të krishterë edhe kur ishim myslimanë ne mbetëm skllevër e shërbëtorë të të tjerëve.
Bazuar në të gjitha ato që u përmenden më sipër, pa fare mëdyshje mund të konstatojmë se ne shqiptarët vetëm vetëmashtrohemi rëndë kur besojmë se jemi përmbajtësisht perëndimorë me vlera e mendësi. E vërteta është se ne jemi të tillë vetëm sipërfaqësisht, vetëm në dukje, vetëm simulues. E nëse vërtetë dëshirojmë të jemi edhe përmbajtësisht perëndimorë, atëherë duhet të ndjekim rrugën dhe mënyrën që kanë ndjekur ata.
Jusuf Thaçi
Prishtinë, më
3 qershor 2018
Vijon pjesa 5: Zgjidhja dhe shpëtimi nga vetëmashtrimi ynë (linku): https://papirusi.com/vetemashtrimet-rrenuese-te-shqiptareve-5-zgjidhja-dhe-shpetimi-nga-vetemashtrimi-yne.
Për ta lexuar pjesën 3: Vetëmashtrimi për rilindjen tonë kombëtare, vizitoni linkun në vijim: https://papirusi.com/vetemashtrimet-rrenuese-te-shqiptareve-3-vetemashtrimi-per-rilindjen-tone-kombetare.