64x64
Jusuf Thaçi
2 Qershor 2018 · 11 min lexim

Vetëmashtrimet rrënuese të shqiptarëve - 3. Vetëmashtrimi për rilindjen tonë kombëtare

Vetëmashtrimet rrënuese të shqiptarëve - 3. Vetëmashtrimi për rilindjen tonë kombëtare



Ne shqiptarët historikisht i kemi kopjuar të tjerët sipërfaqësisht, pavarësisht se përmbajtësisht kemi qenë krejt ndryshe nga të tjerët. Duke qenë popull që nuk kemi pasur (as nuk kemi) mendje kritike për t’i analizuar gjërat para se të nxjerrim përfundime, këto kopjime i kemi paketuar si të vërteta përmbajtësore për veten, e kemi bindur veten për to dhe i kemi mësuar pasardhësit për këto “të vërteta” gjeneratë pas gjenerate. Asnjëherë nuk na ka shkuar mendja të gërmojmë në këto “të vërteta”, ta shohim përmbajtjen e tyre dhe pastaj të nxjerrim konstatime se a janë këto “të vërteta” vërtet të vërteta. Këtë nuk e kemi bërë posaçërisht për raste, ngjarje e periudha historike që vet i kemi veshur me shenjtëri. Njëri nga këto raste, ngjarje e periudha historike është edhe Rilindja Kombëtare Shqiptare, të cilën të gjithë shqiptarët e marrin si të mirëqenë, si të vërtetë të pakontestueshme dhe si diçka me të cilën mburremi. Po këtë mendim e bindje e kam pasur edhe vet para se të filloja t’i shtroja disa pyetje themelore përmbajtësore për Rilindjen Kombëtare Shqiptare, si: çfarë rilindi rilindja jonë kombëtare, cilat debate i konsumoi e cilat dije e produkte i krijoi, me ç’mjete e në ç’mënyrë u përhapë kjo rilindje te masat popullore, cilat ishin dhe janë pasojat dhe rezultatet afatshkurtra dhe afatgjata të kësaj rilindjeje kombëtare?. Pas shqyrtimit të këtyre pyetjeve dhe gjatë tentativës për të dhënë përgjigje në to pashmangshëm shfaqet e vërteta e hidhur se ne realisht nuk kemi pasur rilindje kombëtare. Ajo që ne e quajmë rilindje kombëtare është fantom-rilindje kombëtare, është thjesht simulim i rilindjes reale. Për ta mbështetur këtë konstatim do të ofroj argumente në vazhdim. Për ta bërë këtë më së miri, fillimisht do ta shohim shkurtimisht Rilindjen Evropiane, të cilën ne e kemi simuluar, dhe pastaj bazuar në të do të shohim a ekziston vërtet Rilindja Kombëtare Shqiptare.

 

Nëse i hedhim një vështrim Rilindjes Evropiane shohim se në fillet e saj ajo filloi ta rizbuloi e të rilindë veprat, vlerat e qytetërimin e vet të vjetër, kryesisht atë helen e romak. Nuk u mjaftua me kaq dhe të gjitha këto ia nënshtroi një vlerësimi e kritike objektive. Kokat më të ndritura iniciuan e zhvilluan përplasje intelektuale e debate të ashpra, të gjithanshme e të gjata për çdo fushë e temë të rëndësishme, për religjionin, për mitologjinë, për filozofinë, për shkencat, për artin, për kulturën, për arsimin, për politikën, për historinë, për ekonominë, për Zotin, për hapësirë-kohën, për universin, për njeriun, për vlerat, për qytetërimin, për drejtësinë, për moralin, për identitetin, për familjen, për estetikën, për dijen, për të drejtat e njeriut, për lirinë, për dinjitetin njerëzor, për demokracinë, për kombin, për shtetin, për republikën, për monarkinë, për rendin shoqëror, ekonomik, politik e shtetëror, etj., etj., etj.. Si rezultat i të gjitha këtyre rilindja evropiane tashmë nuk i kishte rilindur vetëm vlerat e qytetërimin e vet të vjetër, por kishte krijuar dije të re e origjinale kolosale dhe si rezultat i kombinimit të të gjitha këtyre kishte krijuar vepra e produkte, zbulime e shpikje, të avancuara të të gjitha fushave, të cilat kishin vënë themelet e zhvillimit dhe avancimit të hovshëm të shoqërisë. Sigurisht të gjitha këto nuk kishin ndodhur brenda ditës, as brenda vitit, as brenda dekadave, për të gjitha këto u deshën shekuj të tërë.


Ajo çfarë është më e rëndësishmja, rilindja evropiane në fund u kujdes që ta nxirrte masën nga injoranca duke masivizuar arsimin, në mënyrë që gjithë çfarë kishte rilindur e çfarë kishte krijuar, gjithë çfarë kishte vlerësuar e debatuar, t’ia ofronte edhe masës popullore. Si rezultat i të gjitha këtyre, rilindja evropiane kulmoi dhe u kurorëzua me iluminizmin, me revolucionet e mëdha shoqërore, me revolucionet e mëdha shkencore e industriale, me krijimin e shteteve kombe, me ndarjen e shtetit nga feja, me shembjen e monarkive dhe diktaturave, etj.. Pasojat afatgjata të gjithë kësaj i shohim sot në Evropë e në perëndim në përgjithësi: qytetërim i avancuar, shtete të zhvilluara, shoqëri me analfabetizëm zero, shkencë e teknologji të avancuar, shpikje e zbulime të vazhdueshme, art e kulturë me vlera, demokraci të zhvilluara, gjyqësi të drejtë për të gjithë njësoj, mirëqenie të lartë për qytetarët, shërbime publike cilësore, mundësi të zhvillimit të potencialit individual, siguri për secilin qytetar, etj., etj.. Gjithsesi duhet përmendur se as perëndimi nuk ka qenë, nuk është e nuk mund të jetë i përsosur, ka të meta sa të duash, por kjo është temë tjetër dhe nuk do të ndalem të diskutoj për të në këtë shkrim. Vetëm sa për ta përmendur, mendoj se rilindja evropiane si derivat djegës i zhvillimit të perëndimit gati është harxhuar dhe së shpejti perëndimi ka nevojë për një rilindje të re. Po nuk e kuptoi këtë me kohë, së shpejti do ta humb primatin në udhëheqjen dhe dominimin e botës.

 

Tani t’i hedhim një vështrim Rilindjes Kombëtare Shqiptare duke e krahasuar atë me Rilindjen Evropiane.

 

Së pari, çfarë rilindi Rilindja Kombëtare Shqiptare? Siç diskutuam në pjesën e parë të këtij shkrimi, ne nuk patëm qytetërim të avancuar, nuk patëm figura të shquara të dijes, nuk patëm vepra e produkte origjinale me vlerë universale si trashëgimi, siç kishte Rilindja Evropiane, prandaj dhe rilindja jonë nuk pati se çfarë të rilindë. E rilindi Skënderbeun do të thoni ju? Epo, kombi nuk rilind duke gjetur tehun e shpatës së harruar, por duke gjetur majën e lapsit të harxhuar! Skënderbeu nuk ishte mendimtar, filozof a shkencëtar, por ishte luftëtar, udhëheqës e strateg ushtarak. Si i tillë, shumë mirë që figura e tij u promovua dhe u përdor nga rilindasit tanë si figurë unifikuese e mobilizuese për shqiptarët, por rilindja kombëtare nuk mund të reduktohet kaq shumë, nuk mund të realizohej me një udhëheqës e strateg të suksesshëm ushtarak. Pra, faktikisht, rilindja jonë kombëtare nuk pati çfarë të rilindë, prandaj tash e tutje kur flasim për rilindjen dhe rilindasit tanë, këto fjalë do t’i fusim në thonjëza.

 

Së dyti, cilat debate, për cilat fusha e tema dhe kush nga “rilindasit” tanë i zhvilloi ato debate, cilat dije të reja e origjinale prodhuan ata, cilat vepra, produkte, zbulime e shpikje të të gjitha fushave krijuan ata? Sërish asgjë, asnjë debat, për asnjë fushë as temë, asnjë vepër, produkt, zbulim a shpikje origjinale me vlerë universale nga “rilindasit” tanë (me përjashtim të një kontributi modest në letërsi). Sigurisht ata diskutuan e debatuan për gjendjen e shqiptarëve, hartuan platforma politike dhe mobilizuan shqiptarët për zgjidhjen e çështjes shqiptare, por këto jenë vetëm një pjesë shumë e vogël e asaj që mund të quhet rilindje, e kurrsesi nuk mund të jenë elementi kryesor dhe i vetëm i një rilindjeje kombëtare. Nuk mund të ketë rilindje e iluminizëm në masë, para se elita intelektuale të ketë konsumuar debat të gjatë e të ashpër, përmes skepticizmit e kritikës, për gjithçka e cila më vonë do të bëhet themeli i ndërtimit të kombit e shoqërisë moderne dhe pastaj të gjitha këto t’ia ketë përcjellë masës popullore..

 

Së treti, me ç’mjete e në ç’mënyrë u përhapë kjo “rilindje” te masat popullore? Në kohën e “rilindjes” sonë kombëtare dhe për shumë vite e dekada pas saj, gati gjithë popullsia jonë ishte analfabete e në injorancë totale. Ne nuk kishim akademi, universitete e shkolla, përmes të cilave t’i përhapnim idetë “rilindase”, atë çfarë kishim “rilindur” e atë çfarë kishim “krijuar” rishtazi, debatet e diskutimet “rilindase”. “Rilindja” jonë kombëtare na la po aq injorantë sa ç’na gjeti! Ne kishim filluar ta zhdukin analfabetizmin masiv vetëm në kohën kur bota e rilindur kishte arritur të dërgonte njerëz në hënë.

 

Së katërti, e fundit dhe më e rëndësishmja, cilat ishin dhe janë pasojat dhe rezultatet afatshkurtra dhe afatgjata të kësaj “rilindjeje” kombëtare? “Rilindjen” tonë kombëtare nuk e pasoi iluminizmi, zhdukja e analfabetizmit, revolucionet shoqërore e industriale, krijimi i shoqërisë demokratike e të zhvilluar, etj.. Kur rilindja e iluminizmi evropian zhbëri monarkitë disashekullore (ose i la vetëm si simbolikë), ne pas “rilindjes” kombëtare krijuam monarki për herë të parë. Kur rilindja e iluminizmi evropian rrëzoi diktaturat disashekullore, ne pas “rilindjes” kombëtare ndërtuam diktaturë gjysmëshekullore. Në anën tjetër është e vërtetë se pas “rilindjes” kombëtare ne e krijuam një shtet tonin, por ai shtet ishte gjysmak, i kontrolluar nga të tjerët dhe përveç në dukje, nuk kishte asnjë cilësi a element të një shteti komb të mirëfilltë perëndimor, të cilat i përmendëm tërthorazi më sipër te rilindja evropiane.

 

Po të kishim rilindur vërtet si popull, siç mendojmë e besojmë, tani do të ishim pjesë e Bashkimit Evropian (BE) e nuk do të çirreshim e përgjëroheshim si skllevër për ta pasur vetëm të drejtën elementare për ta vizituar BE-në; do ta kishim Shqipërinë shtet të mirëfilltë të drejtuar nga shqiptarët e jo duke ardhur të tjerët që përmes vetingut të na e pastrojnë shtetin nga hajdutët e kriminelët; do ta kishim Kosovën shtet të pavarur e sovran, e jo të drejtuar nga të tjerët, peng të një pakice, pa ushtri e pa kontroll në një pjesë të madhe të territorit të vet; do t’i kishim shqiptarët e Maqedonisë element shtet-formues atje e jo qytetarë të dorës së dytë në Maqedoni; do t’i kishim shqiptarët e Luginës së Preshevës në Serbi qytetarë të lirë me të gjitha të drejtat e liritë njerëzore e kombëtare, e jo të trajtuar si robër e të pavlerë nga shteti serb e duke u shpërngulur nga trojet e veta në pamundësi për jetë normale; do të kishim shqiptarët e Malit të Zi në numër siç kanë qenë gjithmonë e jo duke u asimiluar e duke shpopulluar territoret shqiptare atje; do t’i kishim shqiptarët e Çamërisë në trojet e shtëpitë e tyre duke zhvilluar jetë normale e jo duke bredhur nëpër Shqipëri e me të kaluar të çrrënjosur nga shteti grek; do ta kishim mërgatën shqiptare duke punuar e duke e zhvilluar vendin e vet e jo duke shërbyer e rrogëtaruar rrugëve të botës. Në fakt, po të kishim rilindur vërtet si popull ne shqiptarët, tani do të jetonim në një shtet të vetëm kombëtar, demokratik e të zhvilluar, si gjithë bota e rilindur, rrjedhimisht nuk do të flisnim për shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Serbisë, të Malit të Zi, të Greqisë e të mërgatës dhe për vështirësitë e problemet banale me të cilat ata ballafaqohen çdo ditë.

 

Të gjitha ato që u sipër-thanë janë argumente të mjaftueshme për ta pranuar të vërtetën se ne shqiptarët nuk patëm në kuptimin e plotë e të mirëfilltë të fjalës rilindje kombëtare, ne vetëm vetëmashtrohemi për këtë. Gjithsesi, unë nuk jam prej atyre që e mohoj rëndësinë e asaj periudhe dhe kontributin e figurave historike të asaj periudhe, por ua njoh atyre figurave vetëm meritat që ju takojnë për unifikimin dhe mobilizimin e masave popullore për shpëtimin e kombit nga rreziqet e mëdha të kohës, por assesi për rilindje kombëtare. Fundja, nuk janë ata që e kanë quajtur veten rilindas, prandaj dhe ata nuk mund të kritikohen se na mashtruan se gjoja e realizuan rilindjen kombëtare, ishim ne pasardhësit e tyre që, si gjithmonë e për gjithçka, me standardet tona të ulëta më vonë i quajtëm rilindas, jo ata veten.


 

Jusuf Thaçi

 

Prishtinë, më

2 qershor 2018


 

Vijon pjesa 4: Vetëmashtrimi për mendësinë e vlerat tona perëndimore (linku): https://papirusi.com/vetemashtrimet-rrenuese-te-shqiptareve-4-vetemashtrimi-per-mendesine-e-vlerat-tona-perendimore.

 

Për ta lexuar pjesën 2: Vetëmashtrimi për trimërinë e guximin tonë, vizitoni linkun në vijim: https://papirusi.com/vetemashtrimet-rrenuese-te-shqiptareve-2-vetemashtrimi-per-trimerine-e-guximin-tone

 




Gjithashtu lexoni


0 komente