I dashur Albin,
Të njoh mjaftueshëm sa për ta ditur se je modest dhe je kundër mitizimit të individit. Kjo letër e imja publike drejtuar ty nuk ka për qëllim as të ta cenojë modestinë e as të të mitizojë. Megjithatë, për shumëkënd në Kosovë e jashtë saj, ti je më shumë se një individ i zakonshëm, je personifikim i një ideje, një koncepti, një ideologjie, një filozofie politike. Këtë fakt nuk mund ta injoroj as unë e as ti, as ata që të duan e as ata që të urrejnë. Si rezultat i kësaj, deshe ti a s’deshe ti, shumëkush, për të mos thënë gjithkush, e identifikon Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) me ty. Për më tepër, edhe unë si shumë të tjerë besoj që ti je personi që ke më së shumti ndikim në LVV, pavarësisht se çfarë pozite a funksioni mbanë në LVV (pavarësisht se unë jam i bindur se jo gjithçka në LVV ka shkuar në përputhje me bindjet e parimet tua). Andaj, duke marrë parasysh të gjitha ato që sipër-thash, pikërisht si një personi të tillë po të drejtohem publikisht.
Albin, njihemi gjatë personalisht, që nga koha e KAN-it. Jam i bindur që je i vetëdijshëm që unë nuk jam prej atyre që ofroj përkrahje të pakushtëzuar për askënd e për asgjë, siç nuk ofroj as përkrahje të kushtëzuar për favore a interesa personale. Përkrahja ime ndaj dikujt a diçkaje kushtëzohet e bazohet vetëm në ideale, bindje, vlera e parime të përbashkëta. Nisur nga kjo, që nga fillimi dhe vazhdimisht, aq sa kam ditur e sa kam mundur, të kam përkrahur ty dhe lëvizjen që ti e ke themeluar, LVV-në, gjithmonë duke besuar e shpresuar që herëdokur, herët a vonë Kosova do të qeveriset nga një subjekt politik e njerëz të duhur, siç është LVV me shumicën e njerëzve të saj. Tani që LVV është rritur e faktorizuar ndjeshëm në Kosovë, më nuk frikësohem se ajo nuk do të vijë në pushtet, frikësohem nga ardhja e saj në pushtet. Kjo frikë e imja ka të bëjë me atë se si do t’i qaset LVV të kaluarës së saj dhe se si do ta menaxhojë LVV të ardhmen e saj. Prandaj, vendosa të të shkruaj publikisht ty, e përmes teje gjithë LVV-së, për së paku tri gjëra të rëndësishme, të cilat uroj e shpresoj që do t’i merrni parasysh seriozisht.
1. Albin, janë bërë tashmë 20 vite që je figurë publike në Kosovë. Je sfiduar e ke sfiduar shumëkënd, pushtuesin e gjyqësinë e dhunshme serbe, politikën serviliste shqiptare të viteve 90-a, administratën shumë-kombëshe të UNMIK-ut në Kosovë, misionin evropian EULEX në Kosovë, keq-qeverisjen në Kosovë, institucionet e Kosovës, politikat e padrejta e ultra-liberale të të fuqishmëve në Kosovë, etj.. Gjatë gjithë kësaj kohe ke mbajtur qëndrime të drejta, shpeshherë radikale, të cilat i ke mbrojtur me konsistencë e këmbëngulësi, publikisht e aktivisht. Për çdo qëndrim të cilin e ke konsideruar politikisht, kombëtarisht e moralisht të përligjshëm, e ke argumentuar mirë dhe e ke mbrojtur me çdo kusht, pa heshtur, pa u fshehur, pa u skuqur – ballëlartë e kurrizdrejt.
Të kemi parë duke rrokullisur vetura të ndërkombëtarëve, duke rrokullisur kamionë me produkte serbe, duke hedhur gaz lot-sjellës në Kuvendin e Kosovës, etj.. Të gjitha këto i ke bërë publikisht, për hir të kauzave të caktuara politike, i ke mbrojtur, i ke argumentuar dhe i ke përligjur politikisht, pavarësisht se kanë qenë veprime kundër-ligjore. Andaj, në të gjitha këto raste e të tjera të ngjashme të kemi përkrahur. Por, asnjëherë nuk të kemi parë duke ndërmarrë veprime me maskë nëpër protesta, duke dhunuar policët e Kosovës, duke djegur me mollotov institucionet e Kosovës, duke nxjerrë zvarrë njerëz nga veturat e tyre, duke goditur njerëz në studio televizive, e të ngjashme. Jam i bindur se po të ishin veprimet e tilla të përligjshme e të pranueshme për ty, ti do të ishe i pari që do t’i bëje vet publikisht, sepse kemi mjaft dëshmi që nuk frikësohesh të bësh veprime, të cilat janë të pranueshme për ty, pavarësisht se mund të jenë të kundër-ligjshme e pavarësisht se mund të jenë kundër krejt botës.
Jam i bindur që si brenda ashtu edhe jashtë LVV-së ka të atillë që besojnë se veprimet e tilla e kanë fuqizuar LVV-në, por kush beson kështu duhet ta dijë se e kundërta është e vërtetë. Pikërisht veprimet e tilla e kanë shtyrë për vite ardhjen e LVV-së në pushtet në Kosovë, sepse publiku nuk do dhe nuk pranon gjëra të tilla të papërligjshme moralisht, kombëtarisht e politikisht. Dhe kjo vonesë e ardhjes së LVV-së në pushtet e ka dëmtuar shumë Kosovën, jo vetëm LVV-në.
Prandaj, konsideroj që është koha e fundit që ti personalisht dhe LVV ta bëni të qartë qëndrimin tuaj në lidhje me sjellje të tilla, të distancoheni nga to publikisht dhe të ofroni garanci që veprime të tilla nuk do të përsëriten më nga LVV dhe në emër të LVV-së. Nëse veprimet e tilla kanë qenë raste të izoluara aksidentale, atëherë distancimi nga to nuk është fare problematik, ndërsa nëse veprimet e tilla kanë qenë të organizuara, atëherë LVV duhet të distancohet edhe nga veprimet edhe nga organizatorët dhe ekzekutorët e këtyre veprimeve. Nëse ata që i përkrahin dhe i përligjin veprimet e tilla janë më të shumtë e më të fuqishëm brenda LVV-së se sa ti Albin dhe ata që të përkrahin ty, atëherë para vetës ke dy zgjidhje: 1) ta mposhtësh një mendësi të tillë brenda LVV-së dhe ta kthesh LVV-në në binarët e duhur. Nëse nuk e arrin këtë, atëherë 2) largohu nga LVV bashkë me të gjithë ata brenda LVV-së që mendojnë e besojnë si ti, ndërsa ata të mbeturit le të dalin e le ta kërkojnë përkrahjen e popullit, le ta provojnë e përjetojnë mospranimin e përbuzjen që do t’ju ofrojë populli.
Sidoqoftë, jam i bindur se zgjidhja e parë është e mundshme dhe uroj e shpresoj që së shpejti do ta shohim një LVV që distancohet qartësisht dhe nuk lejon më që në emër të saj të bëhen veprime të papranueshme e të papërligjshme moralisht, kombëtarisht e politikisht. Sepse pikërisht një LVV e tillë i duhet sot dhe nesër në pushtet Kosovës.
2. Albin, kohëve të fundit, posaçërisht që nga zgjedhjet qendrore të 2017-s, kemi parë një ndryshim të madh të natyrës së veprimeve dhe të diskursit publik, tëndit dhe të LVV-së në përgjithësi, posaçërisht diskursit. Në lidhje me këtë, kritikët qëllim-këqinj ju kanë akuzuar për jo-konsistencë e jo-parimësi. Rri i shurdhër karshi tyre, kritikat e tyre janë të pavlera. Sepse ky ndryshim i veprimeve dhe i diskursit tënd dhe të LVV-së është edhe parimor, edhe i natyrshëm, edhe i domosdoshëm. Në fillim LVV ka qenë një grusht njerëzish e më vonë një parti e vogël parlamentare e me pak peshë vendim-marrëse në institucionet e Kosovës. Duke qenë e tillë, normalisht është dashur diskurs agresiv e veprime goxha radikale për të tërhequr vëmendjen, për të imponuar debate publike, për të ngritur shqetësime e për të mbrojtur kauza politikisht, kombëtarisht e moralisht të drejta dhe të përligjshme.
Por, tanimë LVV nuk është një grusht njerëzish, as një parti e vogël. LVV është partia më e madhe parlamentare në Kosovë dhe udhëheqë me tri komuna, dy prej të cilave komunat më të mëdha të Kosovës, përfshirë kryeqytetin. Rrjedhimisht, LVV duhet të sillet si partia më e madhe sepse tashmë ka mjaftueshëm zë publik dhe fuqi vendim-marrëse në institucione. Është realiteti në Kosovë ai që ka ndryshuar, e bashkë me të duhet të ndryshojë patjetër edhe LVV. Andaj, LVV nuk mund dhe nuk duhet që tash e tutje të përdorë metoda e diskurs të grupeve a partive të vogla.
Nëse beson se kjo sfidë tashmë është tejkaluar dhe LVV përfundimisht e ka përvetësuar dhe është përshtatur me këtë rol të ri (me veprime e diskurs), mendoj se gabohesh. Sa i përket diskursit mund të thuhet që është shënuar progres i madh, posaçërisht në nivelin e lartë të figurave që e përfaqësojnë LVV-në në publik (megjithëse ende ka shkarje), por mbetet shumë punë për t’i bindur edhe nivelet tjera të strukturave dhe përkrahësit e LVV-së për ta përvetësuar diskursin e ri. Ndërsa, sa i përket sjelljeve e veprimeve, pavarësisht se edhe në këtë drejtim është shënuar progres kohëve të fundit, mendoj se keni ende shumë punë për t’u bindur se duhet të silleni në përputhje me rolin dhe realitetin e ri dhe kjo vlen gati për të gjitha nivelet brenda LVV-së, ku më pak e ku më shumë.
Kjo sfidë mund të quhet e tejkaluar vetëm atëherë kur të gjithë në LVV, që prej aktivistit të thjeshtë e deri te kryetari, privatisht e publikisht, zyrtarisht e jo-zyrtarisht, sillen në përputhje me frymën e re, me realitetin e ri, me veprime e diskurs që e karakterizojnë partinë më të madhe në vend. Sigurisht kjo nënkupton që LVV duhet të bëhet më institucionaliste, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, jo në kuptimin që partitë tjera politike në Kosovë e kanë degjeneruar fjalën/konceptin “institucionalist”. LVV mund të bëhet më institucionaliste edhe duke ngritur e mbrojtur qëndrime e kauza politike, edhe duke mos u bërë servile e duke mos u nënshtruar ndaj askujt, edhe duke protestuar kundër padrejtësive e pabarazive, edhe duke qenë konsistente e parimore, edhe duke luftuar të keqen, etj., etj.. Dhe pikërisht një LVV e tillë i duhet sot dhe nesër në pushtet Kosovës.
3. Albin, një ditë pas raundit të parë të zgjedhjeve lokale të 2017-s, që tregoi se LVV nuk fitoi aq sa kishte pritur vet LVV dhe të tjerët në Kosovë, ti ishe i pari dhe i vetmi funksionar i lartë i LVV-së që ke kërkuar vetëkritikë brenda LVV-së për këtë rezultat. Kjo ishte shpresëdhënëse për mua dhe për shumëkënd në Kosovë. Nuk e di çfarë ka ndodhur dhe a ka ndodhur procesi i vetëkritikës brenda LVV-së në ndërkohë, prandaj dua të të lus ty e gjithë LVV-në që vetëkritikën të mos e keni vetëm shprehje që e përdorni, por ta shndërroni në një ndër bindjet më të fuqishme brenda LVV-së, sepse vetëkritika është vaksina më e mirë dhe ndoshta e vetmja kundër vetëkënaqësisë. Kush nuk është vetëkritik, beson në përsosmërinë e vet. Kushdo nga frymorët që beson se është i përsosur, atëherë vetëkënaqet dhe nuk përmirësohet, rrjedhimisht është ose bëhet i dëmshëm për shoqërinë. Andaj, sigurohuni që vetëkritika, teorikisht dhe praktikisht, të zë vend të lartë në hierarkinë e vlerave dhe parimeve të LVV-së dhe të zbatohet nga të gjithë e vazhdimisht në LVV.
Por, duke qenë se tashmë LVV është partia më e madhe parlamentare në Kosovë dhe qeverisë me tri komuna, dy prej të cilave komunat më të mëdha dhe më të rëndësishme të Kosovës, pra duke marrë parasysh që LVV tashmë ka ndikim e pushtet të madh real e me gjasë së shpejti do të qeverisë edhe me Kosovën, më nuk duhet të jeni të gatshëm vetëm për vetëkritikë, por edhe për kritikë nga jashtë. Dhe për t’u përgatitur për këtë duhet të keni parasysh disa gjëra. Duhet ta dini se nuk keni qenë e nuk mund të jeni perfekt në qeverisje. Duhet ta dini që për vlerësimin e qeverisjes së LVV-së nuk duhet të merret për referencë krahasuese qeverisja e të tjerëve në Kosovë – standard i ulët është ky. Pikë-krahasuese për vlerësimin e qeverisjes së LVV-së duhet të merren nevojat e qytetarëve të kombinuara me mundësitë reale që qeverisja ka në dispozicion. Prandaj, duhet të jeni të hapur, madje dhe mirënjohës, për çdo kritikë parimore që ju vlerëson nga ky këndvështrim.
Sa i përket asaj se si të dallohet kritika e sinqertë e parimore nga kritika qëllimkeqe, tendencioze, dashakeqe, inatçore e joparimore, besoj që këtë do ta keni shumë të lehtë. Ata që ju kanë sharë e kritikuar kur keni qenë të dobët, të pafuqishëm e shumë larg pushtetit, fillimisht do të heshtin derisa të ndërrojnë anë, e pastaj do të fillojnë “t’ju përkrahin” sa më shumë që fuqizoheni e sa më shumë që i afroheni pushtetit. Të tillët e zotërojnë shumë mirë këtë “sport”, prandaj duhet të jeni të kujdesshëm e të mbyllur nga “përkrahja” e tyre e jo nga kritika e të tjerëve. Kurse “të tjerët” jemi ne që ju kemi përkrahur pikërisht kur keni qenë të dobët, të pafuqishëm, shumë larg pushtetit e kur e keni pasur krejt botën kundër. Tani që jeni fuqizuar, keni pushtet (nesër do të keni pushtet edhe më shumë), ta dini se do të mbesim vetëm ne, kritikuesit e dikurshëm të të fuqishmëve e të pushtetit dhe përkrahësit tuaj të dikurshëm kur ishit të pafuqishëm e pa pushtet, që do të t’ju kritikojmë, sigurisht me kritikë parimore. Dhe është shumë e rëndësishme të mos harroni kurrë se nuk jemi ne ata që do të ndryshojmë pozicion, ne do të vazhdojmë të mbesim siç kemi qenë – kritikues të pushtetit. Do të jeni ju ata që do të ndryshoni pozicion, meqë për shkak të realitetit të ri ju do të jeni ndryshe – pushteti. Mos e harroni këtë fakt kur t’i gjykoni kritikat tona dhe bëhuni maksimalisht të hapur e korrekt ndaj kritikave dhe kritikuesve. Sepse pikërisht një LVV e tillë i duhet sot dhe nesër në pushtet Kosovës.
I dashur Albin,
Që në fillim të këtij shkrimi i përmenda të gjitha sfidat që ke përjetuar dhe i ke tejkaluar – vërtet të shumta, vërtet të mëdha, vërtet të jashtëzakonshme! Por, të jesh i sigurt që sfida e radhës është sfida më e madhe: ta sfidosh vetveten – krijesën tënde, LVV-në, në mënyrë që të dalësh fitimtar duke siguruar që LVV nuk do të jetë një përsëritje e partive tjera politike të Kosovës. Vetëm kështu Kosova ka shpresë për një të ardhme të mirë. Po e fitove këtë sfidë, gjithë sakrificat e sfidat tua të mëhershme jetësohen e mbesin kuptimplota, ndërsa po e humbe këtë sfidë, gjithë sakrificat e sfidat tua të mëhershme mbesin vetëm një rrëfim historik pa rezultat final, apo edhe më keq, me rezultat final në shpërputhje e në kundërshti me gjithë ato sakrifica e sfida.
Vërtet të uroj sukses në tejkalimin e kësaj sfide Albin! Po e vlerësove të vlefshme e të rëndësishme ndihmën time në këtë proces, atëherë konsideroje këtë letër timen publike si ndihmën e përkrahjen e parë nga ana ime.
Sinqerisht,
Jusuf Thaçi
27 nëntor 2017
P.S.:
1. Këtë letër kam dashur ta shkruaj e ta publikoj që nga koha e skandalit të grushtimit në studio televizive nga ana e deputetit të LVV-së dhe mosreagimit të duhur e mosndërmarrjes së masave nga LVV karshi kësaj sjelljeje të deputetit të vet, por për shkak se ka qenë kohë e zgjedhjeve nuk e kam bërë, sepse nuk kam dashur që me asnjë shkronjë që shkruaj unë ta dëmtoj LVV-në në këto zgjedhje.
2. Pikërisht për shkak të atij skandali dhe mosreagimit të duhur të LVV-së ndaj tij kam abstenuar nga çfarëdolloj përkrahje të drejtpërdrejt publike për LVV-në në këto zgjedhje lokale. Andaj, ata që e konsiderojnë përkrahjen time publike pa peshë e pa rëndësi, të tillë le ta konsiderojnë edhe këtë kritikë timen.
3. Për mendimin tim LVV është shpresa e vetme për Kosovën, prandaj është shumë e rëndësishme që ajo të jetë në binarët e duhur. Pra, si qytetar i këtij vendi nuk më intereson LVV si qëllim në vetvete, por si subjekt politik që ka dhënë dëshmi se do të ofrojë model të duhur të qeverisjes në Kosovë, pra të ardhme të mirë për qytetarët e këtij vendi.
4. Jam plotësisht i vetëdijshëm se me këtë shkrim kam krijuar shumë armiq, por po aq vetëdijshëm, fuqishëm besoj se armiqtë e së mirës nuk më duhen për miq!