Momentalisht Lëvizja Vetëvendosje (LVV) gjendet në një udhëkryq të rëndësishëm, për të cilin së shpejti duhet të marrë vendim se kah t’ia mbajë dhe ky vendim mund ta përcaktojë edhe të ardhmen e saj. Udhëkryqi ka të bëjë me qëndrimin e LVV-së rreth shfuqizimit a zhbërjes së “Gjykatës Speciale”, meqë tashmë dihet se kjo çështje është në dorën e LVV-së.
Prandaj, desha të jap opinionin tim në lidhje me këtë çështje, më shumë për t’i kontribuuar debatit dhe për ta zgjeruar atë, se sa për të ofruar qëndrim përfundimtar. Këtë çështje do të mundohem ta shqyrtojë nga këndvështrimi i një deputeti të Kuvendit të Kosovës e jo nga këndvështrimi personal, sepse qëndrimi im personal për “Gjykatën Speciale” dihet dhe nuk ka ndryshuar aspak. Por, si individ unë nuk përfaqësoj askënd, ndërsa deputeti nuk është thjesht një individ, ai është përfaqësues i vendit dhe i qytetarëve.
Iniciativa për zhbërjen a shfuqizimin e “Gjykatës Speciale” doli të jetë shumë më problematike se ç’e kemi pritur. Për herë të parë, si vend e si popull, që nga përfundimi i luftës në Kosovë kemi presionin, përkatësisht kërcënimin më të ashpër dhe më të drejtpërdrejtë nga ambasadorët e shteteve më të fuqishme të botës, që në të njëjtën kohë janë përkrahësit më të mëdhenj të shtetësisë së Kosovës. Personalisht kam qenë e do të jem gjithmonë kundër ndërhyrjes se ndërkombëtarëve në çështjet e brendshme të Kosovës, sepse kjo është padrejtësi.
Pra, nuk frikësohem nga presionet e kërcënimet e ndërkombëtarëve, por kësaj radhe frikësohem se ata kanë të drejtë të bëjnë presion e të kërcënojnë, sepse “Gjykata Speciale”, fatkeqësisht, nuk është tashmë vetëm çështje e brendshme e Kosovës, por është një fakt dhe detyrim ndërkombëtar i Kosovës, detyrim i cili, fatkeqësisht, është krijuar nga Kuvendi i Kosovës, në emër të popullit të Kosovës dhe është i evidencuar edhe në dokumentet relevante ndërkombëtare edhe dokumentin më të lartë juridik të vendit, në Kushtetutën e Kosovës. Edhe më keq se kaq, sërish fatkeqësisht, “Gjykata Speciale” nuk është tashmë vetëm realitet juridik, por edhe realitet faktik, sepse ajo tashmë ekziston si mekanizëm tërësisht funksional, janë punësuar njerëz në të, të cilët punojnë e paguhen, janë investuar miliona euro nga shtetet aleate të Kosovës, etj.. E pra, zhbërja e “Gjykatës Speciale” nuk na konfronton thjesht me ambasadorët e vendeve tjera, por me gjithë botën, para së cilës vet kemi krijuar dhe pranuar këtë detyrim.
Bazuar në të gjitha këto, nuk del të jetë fare i lehtë pozicionimi pro ose kundër shfuqizimit të “Gjykatës Speciale” për deputetët dhe sidomos për subjektin politik, në këtë rast LVV, qëndrimi i të cilit është vendimtar për këtë çështje të rëndësishme. Kam dëgjuar shumëkënd, përfshirë edhe veten, të thotë se në këtë rast parimi është i thjeshtë: kush ka qenë kundër themelimit të “Gjykatës Speciale” tash me automatizëm duhet të jetë pro zhbërjes së saj. Por, përveç fakteve të sipër-përmendura që e kontestojnë këtë parim, ka edhe argumente të tjera logjike që gjithashtu e kontestojnë këtë parim. Të kundërshtosh krijimin e “diçkaje” dhe të përkrahësh zhbërjen e po kësaj “diçkaje” nuk janë njëjta gjë, as në përditshmëri e posaçërisht jo në rrafshin e detyrimeve dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Nuk mund të vlejë patjetër parimi i njëjtë për realitete të ndryshme, sepse realiteti e përcakton edhe parimin. Çfarëdo pasojash që do të kishim në rast se nuk do ta themelonim “Gjykatën Speciale” fare, ato do të ishin të padrejta dhe të pamerituara nga ne. Ndërsa, çfarëdo pasojash që mund të kemi në rast se e shfuqizojmë “Gjykatën Speciale” tani, pasi që vet e kemi themeluar dhe me këtë jemi futur në detyrime ndërkombëtare, ato pasoja do të ishin të drejta dhe të merituara për ne si vend e si shoqëri. Kjo është ajo që dhemb më së shumti: pasoja e merituar, jo fataliteti i pasojës. Kjo është shumë me rëndësi që ta ketë parasysh secili deputet dhe subjekt politik kur të vendos në lidhje me këtë çështje.
Përveç çështjeve të sipërpërmendura, pyetja qenësore tashmë është: cila është më e dëmshme për Kosovën dhe reputacionin e saj dhe të UÇK-së – zhbërja apo vazhdimi i ekzistimit të “Gjykatës Speciale”? Fatkeqësisht, përgjigjja në këtë pyetje nuk është më aq e thjeshtë dhe aq e qartë sa ka qenë para krijimit të “Gjykatës Speciale” nga Kuvendi i Kosovës. Sikur të refuzohej që në fillim krijimi i “Gjykatës Speciale” duke u mbrojtur ky qëndrim me argumentet e shumta që janë ngritur kundër saj, kjo nuk do të paraqiste fare problem as për Kosovën e as për reputacionin e UÇK-së, meqë askush nuk do të mund të na gjykonte se po i frikësohemi drejtësisë, sepse thjesht do të ishim kundër legjitimimit të një gjykate politike, të njëanshme dhe një-etnike. Këtë gjykatë do të mund ta themelonte OKB dhe nuk do të ishte fare problem që të na gjykojnë e të na dënojnë të tjerët, edhe padrejtësisht, nëse nuk do ta kishin miratimin tonë (për këtë kam pasur një shkrim të posaçëm para themelimit të “Gjykatës Speciale” nga Kuvendi i Kosovës: http://m.gazetaexpress.com/…/gjykata-politike-qe-sduhet-l…/…). Por, tani që “Gjykatën Speciale” e kemi krijuar vet, çfarë do të ndodh nëse po vet e zhbëjmë atë? Përveç konfrontimit me miqtë e aleatët tanë ndërkombëtarë (është me rëndësi të ritheksohet se nga prizmi i detyrimeve ndërkombëtare kësaj radhe e drejta është në anën e tyre) dhe joseriozitetit si shtet që do ta dëshmojmë para krejt botës, Serbia me miqtë dhe aleatët e vet përmes propagandës së tyre të sofistikuar dhe shumë efektive do të sigurohen që reputacioni i Kosovës dhe i UÇK-së të njollosen maksimalisht, madje do të sigurohen që verdikti për fajësinë e shqiptarëve dhe të UÇK-së të shpallet që tani përmes mediave në nivel global, duke u thirrur në atë se vet zhbërja e “Gjykatës Speciale” dëshmon se UÇK dhe shqiptarët po frikësohen nga drejtësia sepse e dinë se janë fajtorë për krimet që supozohen që i kanë kryer, prandaj po e zhbëjnë “Gjykatën Speciale” për t’i ikur drejtësisë. Dhe kujdes, kjo nuk do të jetë vetëm një njollosje mediale, por do të mbetet një fakt historik, fatkeqësisht, logjikisht i përligjshëm sipërfaqësisht megjithëse jo i vërtetë esencialisht. Pra, në pikën ku kemi ardhur, cilido qoftë fati i “Gjykatës Speciale”, Kosova, shqiptarët dhe UÇK-ja do të njollosen dhe kjo njollë do të mbetet në histori. Krejt çka iu mbetet deputetëve të vendosin është cila është njollosje “më e ndershme dhe më e dinjitetshme”, nëse ka të tillë.
Nuk ka asnjë dyshim se “Gjykata Speciale” është gjykatë politike dhe padrejtësi ndaj Kosovës dhe shqiptarëve. Por, ky fakt ka qenë i ditur, madje dhe i pranuar, nga të gjithë në Kosovë që para krijimit të saj. Prandaj, është shumë me rëndësi të vlerësohet edhe ndryshimi i qëndrimit të atyre që fillimisht i detyruan deputetët që ta votojnë “Gjykatën Speciale” duke u thirrur në interesin e Kosovës, ndërsa të njëjtët tani janë insistues të zhbërjes së saj, sërish duke u thirrur në emër të interesit të Kosovës. Të tillët, me insistimin e tyre për zhbërjen e “Gjykatës Speciale” (megjithëse jo për arsye parimore) po e pranojnë se kanë gabuar kur e kanë themeluar atë. Por, gabimet politike kanë edhe pasoja politike. Prandaj, e para që ata duhet të bëjnë, ose duhet t’u kërkohet të bëjnë, është dorëheqja e tyre nga pozitat udhëheqëse shtetërore. Dhe kjo nuk ka të bëj fare me shantazh apo kushtëzim joparimor, por me zbatimin e parimit që secili duhet të paguaj për gabimet e veta politike dhe për më tepër duhet të ofrojnë dëshmi se e vendosin interesin e Kosovës mbi interesin e tyre personal dhe karrierën e tyre politike. Po u lejuan të tillët që t’ia hedhin paç kësaj radhe, mos harroni që të njëjtit janë ata që po mundohen t’i detyrojnë deputetët për vite me radhë që ta miratojnë Demarkacionin me Malin e Zi dhe “Zajednicën”, dy projekte shumë të dëmshme dhe të rrezikshme për Kosovën. Të dyja këto projekte ata po i përkrahin duke u thirrur në emër të interesit të Kosovës. Dhe nuk është larg mendsh që sapo këto projekte të bëhen realitet juridik e faktik dhe detyrime ndërkombëtare të Kosovës, të njëjtët do të thonë që këto projekte janë të dëmshme për Kosovën, por atëherë do të jetë shumë vonë për t’i zhbërë, përkatësisht e pamundur.
Si përfundim:
Po të varej personalisht nga unë se a duhet të votoj pro apo kundër zhbërjes së “Gjykatës Speciale”, me kushtin që personalisht të ballafaqohesha me pasojat e një vendimi të tillë, do ta votoja pa u hamendur shfuqizimin e “Gjykatës Speciale”, pavarësisht pasojave dhe pavarësisht se sa janë të drejta e të meritueshme ato pasoja për mua. Por, si individ unë nuk përfaqësoj askënd e asgjë veç vetes, as vendin e as qytetarët, nuk kam asnjë detyrim ndaj askujt as në nivel vendor e as në nivel ndërkombëtar. Ndërsa, për deputetët e LVV-së dhe për LVV-në si subjekti më i madh politik në Kuvendin e Kosovës dhe nga e cila varet përfundimisht fati i “Gjykatës Speciale”, e bashkë me të edhe fati i Kosovës, situata nuk është kaq e thjeshtë. Ata përfaqësojnë vendin dhe qytetarët e këtij vendi, kanë detyrime ndaj vendit e ndaj ndërkombëtarëve, detyrime të cilat i kemi krijuar vet si shtet (pavarësisht se vet LVV ka qenë kundër). Prandaj, shpresoj që LVV dhe deputet e saj do t’i peshojnë mirë e mirë të gjitha argumentet e kundër-argumentet, të gjitha dëmet e dobitë për Kosovën, për qytetarët e saj, për UÇK-në e për historinë shqiptare para se të marrin qëndrim përfundimtar në lidhje me zhbërjen apo moszhbërjen e “Gjykatës Speciale”.
Prishtinë, më
5 janar 2018