64x64
Jusuf Thaçi
26 Maj 2018 · 6 min lexim

Pro-amerikanizmi deklarativ si anti-amerikanizëm vleror!

Pro-amerikanizmi deklarativ si anti-amerikanizëm vleror!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) – Amerika është shumë më shumë se sa një shtet i fuqishëm e me ndikim në botë. Amerika është një ide, një koncept, një vizion, një filozofi, një sistem vleror, një mënyrë jetese. Prandaj, tashmë Amerika (në kuptimin e gjerë) nuk ju përket vetëm amerikanëve, pra qytetarëve e institucioneve amerikane, por ju përket të gjithë atyre qytetarëve të botës që besojnë dhe që e kanë përqafuar, përbrendësuar dhe e promovojnë këtë ide, këtë koncept, këtë vizion, këtë filozofi, këtë sistem vleror e këtë mënyrë jetese që sot quhet Amerikë.


Amerika, sot e historikisht, përfaqëson tokën e re, vendin e lirë, pavarësinë, sovranitetin, lirinë, barazinë, drejtësinë, dinjitetin, mundësitë e barabarta, mundësinë e zhvillimit, meritokracinë, demokracinë, rregullin, ligjin, transparencën, diturinë, gjenialitetin, punën, shkencën, teknologjinë, zhvillimin, fuqinë, krenarinë, trimërinë, debatin, kritikën, aktivizmin, lirinë e shprehjes, realizimin e premtimit, të mirën e përgjithshme, etj.. Kjo është Amerika, këto janë vlerat amerikane!


E tash, a mund ta shqyrtojmë kush na del amerikan e pro-amerikan në Kosovë?


Pro-amerikane ju duket Presidentja e Kosovës që ka pranuar të vije në krye të shtetit përmes procedurave të llotos (me zarf), megjithëse nuk përfaqëson askë e asgjë?! Kjo ju duket amerikane?! Kjo është pikërisht anti-amerikane!


Pro-amerikane ju duket kjo Qeveri e Kosovës që nuk pranon të shkojë në zgjedhje demokratike pavarësisht se e ka humbur legjitimitetin demokratik dhe vendi rrezikon të hyjë në luftë civile?! Kjo ju duket amerikane?! Kjo është pikërisht anti-amerikane!


Pro-amerikanë ju duken ata intelektualë e profesorë që mbjellin injorancë te qytetarët, që duan ta mbysin debatin e të frikësojnë qytetarët dhe të cilët, për më tepër, veç karrierës së tyre personale nuk kanë dhënë asnjë kontribut as për shkencën e as për shoqërinë?! Kjo ju duket amerikane?! Kjo është pikërisht anti-amerikane!


Pro-amerikanë ju duken ata analistë e mediume që cenojnë e denigrojnë individë e bashkësi individësh vetëm për të përmbushur misionin e tyre propagandues dhe të cilët, për më tepër, veç xhepit të tyre personal nuk ka dhënë e nuk japin as kontributin më të vogël në funksion të informimit dhe edukimit të qytetarëve?! Kjo ju duket amerikane?! Kjo është pikërisht anti-amerikane!


Pro-amerikanë ju duken ata individë e organizata të shoqërisë civile që kanë harxhuar miliona euro e dollarë për emancipimin e demokratizimin e kësaj shoqërie, në ndërkohë që, edhe pas gati dy dekadash, kjo shoqëri e jona veç e emancipuar e demokratike nuk është dhe askush nuk ndihet përgjegjës e i shqetësuar për këtë?! Kjo ju duket amerikane?! Kjo është pikërisht anti-amerikane!


Pro-amerikanë ju duken ata qytetarë të Kosovës që heshtin e bëjnë sehir pa bërë e pa ndërmarrë asgjë si qytetarë të lirë të këtij vendi, në ndërkohë që shteti po u zhbëhet dhe po u shkatërrohet e ardhmja dhe perspektiva e tyre dhe pasardhësve të tyre?! Kjo ju duket amerikane?! Kjo është pikërisht anti-amerikane!


Jo të dashur qytetarë, ky pro-amerikanizëm i tyre është vetëm pro-amerikanizëm i deklaruar. Ndërsa, esencialisht, të tillët as nuk besojnë e as nuk i përbrendësojnë vlerat amerikane. Këtë më së miri e dëshmon puna dhe veprat e tyre, të cilat janë kryekëput anti-amerikane. Pikërisht të tillët nuk mërziten për pavarësinë e sovranitetin e vendit; pikërisht të tillët nuk e duan lirinë, barazinë e drejtësinë; pikërisht të tillët cenojnë dinjitetin shtetit e të individit (për vete as që kanë); pikërisht të tillët nuk ofrojnë mundësi të barabarta e mundësi zhvillimi për të gjithë; pikërisht të tillët pamundësojnë meritokracinë, demokracinë, rregullin, ligjin e transparencën; pikërisht të tillët mbjellin injorancën e mbysin gjenialitetin; pikërisht të tillët destimulojnë punën e zhvillimin e shkencës e teknologjisë; pikërisht të tillët e demonizojnë rëndësinë e fuqisë, trimërisë e krenarisë të individit e të shtetit; pikërisht të tillët duan t’i frikësojnë qytetarët nga debati, kritika e aktivizmi qytetar; pikërisht të tillët duan t’u mohojnë të tjerëve lirinë e shprehjes; pikërisht të tillët i thyejnë premtimet e nuk i realizojnë asnjëherë premtimet e tyre; pikërisht të tillët punojnë vetëm për interesin e tyre personal e asnjëherë nuk ju intereson interesi i përgjithshëm, as i shoqërisë, as i shtetit, as i kombit e as i njerëzimit. Prandaj, pikërisht të tillët janë anti-amerikanët e vërtetë në Kosovë!


Pikërisht pse me bindje, me vlera e me vepra janë anti-amerikanë ata kanë nevojë patologjike të demonstrojnë pro-amerikanizmin e tyre me deklarime, gjë të cilën e shpërfaqën ditëve të fundit në formë të histerisë kolektive. Pikërisht pse vet janë anti-amerikanë, u çirren duke na akuzuar neve (që kritikuam fjalorin jo-diplomatik të ambasadorit amerikan) për anti-amerikanizëm, tamam ashtu siç filozofi Shopenhauer e përshkruan këtë kompleks të njerëzve: “secili gjen tek tjetri një pasqyrë ku vështron qartë të metat e veta, panjerëzinë e tij dhe aktet e bezdisshme të çdo lloji. Vetëm se në shumicën e rasteve sillet si qeni që i lehë pasqyrës, duke mos ditur se e sheh veten, por duke besuar se e sheh një qen tjetër”.


Të vetmit që nuk patën nevojë e kompleks të deklarohen si pro-amerikanë e të shpallin të tjerët anti-amerikanë ishin pikërisht amerikanët dhe pro-amerikanët e vërtetë në Kosovë (ambasadori amerikan dhe politikanët, intelektualët, profesorët, analistët, mediumet, shoqëria civile e qytetarët kosovarë që besojnë në vlerat amerikane).


Për fund, dua të ju them diçka atyre që më akuzojnë mua që nuk jam pro-amerikan. Ata kanë të drejtë! Unë nuk jam pro-amerikan, jam më shumë se kaq, jam AMERIKAN VLEROR!


P.S.:


Gjithmonë ka pasur e do të ketë raste kur vet Amerika bën shkarje e shkelje të vlerave amerikane, prandaj dhe gjithmonë ka pasur dhe do të ketë kritika edhe ndaj vet Amerikës e zyrtarëve amerikanë, sepse vlerat që sot përfaqëson Amerika në botë janë më të mëdha e më të rëndësishme se zyrtari e individi amerikan.


Jusuf Thaçi


22.2.2016






Gjithashtu lexoni


0 komente