64x64
Jusuf Thaçi
26 Maj 2018 · 5 min lexim

Kalorësi Shqiptar i Paqes Ndër-Fetare!

Kalorësi Shqiptar i Paqes Ndër-Fetare!

Të gjithë pajtohemi se shqiptarët janë shembull i mirë për botën sa i përket tolerancës, paqes, bashkëjetesës e respektimit të diversitetit ndërfetar, qoftë brenda vet popullit shqiptar, qoftë në raport me popujt tjerë. Por, fatkeqësisht, këtë cilësi e vlerë shqiptare të kultivuar me shekuj nuk e kemi promovuar sa e si duhet dhe nuk e kemi kapitalizuar në funksion të promovimit të popullit shqiptar në botë.


Prandaj, është koha e fundit që shqiptarët ta promovojnë këtë vlerë shqiptare, për të cilën bota ka nevojë dhe në të njëjtën kohë do të ishte publiciteti më i mirë për shqiptarët. Kjo më së mirë do të bëhej sikur shtetet shqiptare (Shqipëria e Kosova) do të krijonin një çmim ndërkombëtar me vlerë monetare 1 milion euro, i cili do të ndahej çdo vit për individët, organizatat a institucionet që angazhohen për të shuar tensione, konflikte e luftëra me motive fetare nëpër botë dhe të cilët japin shembuj, promovojnë e i kontribuojnë tolerancës, paqes, bashkëjetesës dhe respektimit të diversitetit ndër-fetar në botë.


Për ta bërë këtë, Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës duhet të miratojnë një ligj përmes së cilit krijohet ky çmim ndërkombëtar dhe përcaktohen parimet rreth mekanizmit, rregullave, procedurave, kushteve e kritereve të nominimit dhe ndarjes së këtij çmimi, si dhe ndahet një buxhet vjetor për këtë çmim (50% Shqipëria e 50% Kosova), përfshirë shpërblimin monetar që i ndahet fituesit të çmimit dhe kostoja tjetër organizative.


Ky çmim do të mund të quhej “Kalorësi Shqiptar i Paqes Ndër-Fetare” dhe do të ndahej çdo vit në një datë të caktuar me simbolikë të rëndësishme e domethënëse që lidhet me çmimin. Fituesi i këtij çmimi do të shpërblehej me 1 milion euro dhe me një medalje të artë me simbolikë e motive të historisë e traditës shqiptare që lidhet me çmimin. Ceremonia e ndarjes së këtij çmimi do të duhej të ishte një ngjarje madhështore që organizohet çdo vit në qytete të ndryshme shqiptare, në të cilën do të merrnin pjesë personalitete të shquara të fushave të ndryshme nga e gjithë bota. Këtë çmim do duhej t’ia dorëzonte fituesit një personalitet botëror me reputacion të mirë e që është simbol i paqes e i tolerancës (për mua personalitet ideal për ta bërë këtë do të ishte Dalai Lama, megjithëse kjo do të mund të shkaktonte reaksione nga Kina).


Për ndarjen e këtij çmimi do të formohej një komision i gjerë me përbërje 50% shqiptarë dhe 50% ndërkombëtarë, në kuadër të të cilit do të ishin personalitete e organizata kredibilë, me reputacion të mirë e objektivë, në mënyrë që të mos lejohet politizimi, anshmëria e subjektivizmi me rastin e përzgjedhjes së fituesit të çmimit. Po ky komision do të përcaktonte qartë procedurat, rregullat, kushtet dhe kriteret për nominimin të kandidatëve dhe për përzgjedhjen e fituesit të çmimit.


Siç u përmend më sipër, për këtë çmim do të mund të nominoheshin dhe do të mund ta fitonin individët, organizatat a institucionet që angazhohen për të shuar tensione, konflikte e luftëra me motive fetare nëpër botë dhe të cilët japin shembuj, promovojnë e i kontribuojnë tolerancës, paqes, bashkëjetesës dhe respektimit të diversitetit ndër-fetar në botë.


Vetëm për sigurimin e nominimeve për herën e parë do të duhej një fushatë globale informuese, ndërsa pas herës së parë një gjë e tillë nuk do të ishte e nevojshme, meqë vet pesha, rëndësia dhe simbolika e çmimit do të siguronte nominime të shumta dhe cilësore në vitet pasuese.


Ata që konsiderojnë që kostoja për këtë çmim është e lartë dhe joracionale për efektin që mund të sjellë, duhet të kenë parasysh dy gjëra:


1. Shqipëria e Kosova shpenzojnë miliona euro çdo vit për të promovuar shtetet e veta me reklama në media elektronike, gazeta, revista e televizione ndërkombëtare, të cilat shpeshherë nuk janë gjë tjetër veçse vullgarizma të industrisë së reklamimit dhe nuk tregojnë asgjë për shqiptarët. Ndërsa, përmes ndarjes së një çmimi ndërkombëtar me simbolikë të rëndësishme, me reputacion të mirë, që ndahet në baza vjetor dhe që ka peshë monetare 1 milion euro, shqiptarët do të ishin për çdo vit kryelajm botëror në të gjitha mediat për të mirë dhe e gjithë bota doemos do të mësonte për shqiptarët, historinë e traditën e tyre dhe për vlerën unike të shqiptarëve sa i përket tolerancës, paqes, bashkëjetesës e respektimit të diversitetit ndërfetar. Ky çmim do të ishte publiciteti e reklama më e mirë, më racionale, më efektive e më e lirë për promovimin e shqiptarëve në botë.


2. Çmimi “Kalorësi Shqiptar i Paqes Ndër-Fetare” nuk do të kishte efekt global po të mos kishte vlerë të madhe monetare. Keni parasysh që çmimi “Nobel” ka fituar prestigj, reputacion e famë globale edhe për shkak të peshës monetare (sigurisht edhe për shkak të fushave që përfshinë), por jo se ky çmim ndahet për individët apo arritjet më meritore (mos harroni që Ajnshtajni ka marrë çmimin Nobel në Fizikë për zbulimin e Ligjit të Efektit Fotoelektrik e jo për Teorinë/të e Relativitetit, megjithëse Teoria/të e Relativitetit janë shumëfish më të rëndësishme e me implikime më të madha pozitive për zhvillimin e fizikës, shkencës e teknologjisë dhe njerëzimin në përgjithësi).


Jusuf Thaçi

Prishtinë, më

29 prill 2016






Gjithashtu lexoni


0 komente