Kushdo që e dëshiron bashkimin kombëtar mes Shqipërisë e Kosovës e di që ky bashkim mund të bëhet vetëm nëse të dyja këto janë shtete, të pavarura dhe sovrane. Pra, shtetësia e Kosovës është parakusht i domosdoshëm dhe hapi kryesor drejt realizimit të bashkimit kombëtar mes Shqipërisë e Kosovës. Rrjedhimisht, shtetin e Kosovës e duan dhe e pranojnë të gjithë shqiptarët, edhe ata që janë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë edhe ata që janë kundër këtij bashkimi. Prandaj, del të jetë paradoksale kur propaganduesit (ca të pavetëdijshëm e shumë të tjerë “me vetëdije”) na akuzojnë ne ithtarëve e përkrahësve të bashkimit kombëtar se gjoja ne jemi kundër shtetit të Kosovës.
Absolutisht jo, asnjë përkrahës i idesë së bashkimit kombëtar nuk është e nuk mund të jetë kundër shtetit të Kosovës. Këtë propagandë e kanë bërë dhe po e bëjnë ata që janë kundër këtij projekti kombëtar. Prandaj, është me rëndësi që kjo çështje të sqarohet njëherë e mirë për të gjithë ata që janë në lajthitje (dhe këtë po e bëj në vetën e parë njëjës, meqë nuk kam legjitimitet për të folur në emër të të gjithë shqiptarëve që e përkrahin idenë e bashkimit kombëtar).
1. Unë e dua, e pranoj dhe punoj për bërjen e shtetit të Kosovës, meqë, siç parathashë, ky është parakusht për realizimin e bashkimit kombëtar. Por, për dallim nga kundërshtarët e bashkimit kombëtar, për mua shteti i Kosovës nuk është qëllim final, por vetëm një pjesë e rrugëtimit drejt realizimit të qëllimit final, pra bashkimit kombëtar. Prandaj, unë nuk e mohoj e nuk e luftoj shtetin e Kosovës. Është e kundërta! Unë bëj gjithë ç’varet prej meje që Kosova të bëhet shtet mirëfilli, në mënyrë që të mund të rrugëtohet tutje drejt një qëllimi edhe më të madh, bashkimit kombëtar.
2. Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë duhet, përkatësisht mund, të bëhet vetëm me procedurë demokratike, ku përmes referendumit shqiptarët e Kosovës e të Shqipërisë vendosin nëse do të bashkohen në një shtet të vetëm apo jo. Vullneti i individit për të vetëvendosur në lidhje me shtetin e kombin e vet është e drejtë e patjetërsueshme. Por, për fat të keq, shteti ekzistues i Kosovës është shtet i kastruar, prandaj dhe nuk mundëson as shprehjen e as realizimin e këtij vullneti të qytetarëve të vet. Prandaj, unë e dua, e pranoj dhe punoj për bërjen e shtetit të Kosovës, por sigurisht që jam kundër shtetit të kastruar që mohon vullnetin e qytetarëve të vet.
3. Çdo shtet modern ka Kushtetutë, prandaj edhe shteti i Kosovës duhet ta ketë një të tillë. Por, kushtetuta e secilit shtet modern, para së gjithash dhe mbi të gjitha, është pasqyrim i vullnetit të qytetarëve të atij shteti, e cila vendosë e garanton demokraci, liri, drejtësi e barazi për të gjithë qytetarët e vet. Ndërsa, kushtetuta e Kosovës, duke qenë e imponuar është shumë e shpërfytyruar dhe nuk plotëson asnjërën nga parimet e kushtet e sipër-përmendura për të qenë vërtet kushtetutë. Prandaj, unë e dua dhe punoj për bërjen e kushtetutës së Kosovës, por sigurisht që jam kundër kushtetutës ekzistuese të shpërfytyruar të Kosovës.
4. Çdo shtet modern ka simbolet e veta identifikuese (flamur, himn, stemë, etj), prandaj edhe shteti i Kosovës duhet t’i ketë simbolet e veta për aq kohë sa do të jetë shtet. Por simbolet shtetërore janë simbole dhe janë përfaqësuese pikërisht sepse janë ikona identifikuese të historisë, kulturës, traditës dhe identitetit të shtetit dhe qytetarëve që përfaqësojnë. Por, të tilla çfarë janë, këto që quhen simbole të Kosovës, veç simbole nuk mund të jenë, mbi asnjë bazë, mbi asnjë parim. Prandaj, unë jam për simbole të Kosovës, por sigurisht që jam kundër simboleve kundër-simbolike ekzistuese të Kosovës.
Para përfundimit, dua të jap gjykimin tim në lidhje me atë se sa duhet të respektohet shteti, kushtetuta dhe simbolet e Kosovës edhe të tilla siç janë tani.
Kosova ka kushtetutë e ligje të cilat përcaktojnë se si, sa, ku e nga kush duhet të respektohet shteti, kushtetuta e simbolet e Kosovës. Prandaj, gjykoj që secili qytetar e zyrtar i Kosovës duhet ta respektojë këtë shtet të kastruar, këtë kushtetutë të shpërfytyruar e këto simbole kundër-simbolike të Kosovës për aq sa i detyron ligji, gjithnjë duke qenë të vetëdijshëm që ky është një respektim i detyruar (pra jo respekt) nga legjislacioni e jo vullnet i individit e i qytetarëve. Në këtë pikë, besoj që të gjithë ithtarët e bashkimit kombëtar dhe të gjithë kundërshtarët e këtij shteti të kastruar, kësaj kushtetute të shpërfytyruar e këtyre simboleve kundër-simbolike të Kosovës e kryejnë këtë detyrim formal. Edhe ata që nuk e kryejnë, duhet ta kryejnë këtë detyrim formal, në ndërkohë që punojnë për ta ndryshuar këtë realitet formal të hidhur.
Përtej këtij detyrimi formal, asnjë qytetar e asnjë zyrtar i Kosovës nuk ka asnjë obligim moral e kombëtar për ta respektuar këtë shtet, këtë kushtetutë e këto simbole të tilla çfarë janë. Është e kundërta! Secili qytetar e secili zyrtar i Kosovës e ka obligim moral e kombëtar që të bëjë gjithë çfarë varet prej tij që Kosova të bëhet shtet mirëfilli, që Kosova të ketë kushtetutë të mirëfilltë demokratike dhe që Kosova të ketë simbole shtetërore identifikuese e përfaqësuese.
P.S.:
1. Me këtë shkrim nuk pretendoj që po them diçka të re, meqë të gjitha këto tashmë janë të thëna, të nënkuptuara a të vetëkuptueshme, por thjesht provova të bëj një përmbledhje koncize dhe të koncentruar në lidhje me këtë temë.
2. Edhe nëse e pranojmë që nuk mund të ketë dy shtete me simbole të njëjta (pra nëse Kosova duhet të ketë simbole të ndryshme nga Shqipëria derisa të bashkohen), sërish këto simbole të Kosovës duhet të jenë identifikuese, përfaqësuese dhe në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
3. Për mua bashkimi kombëtar nënkupton më shumë se vetëm bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, nënkupton realizimin e projektit kombëtar të rilindasëve tanë.
Jusuf Thaçi
19 shkurt 2016