64x64
Jusuf Thaçi
31 Maj 2018 · 16 min lexim

Vetëmashtrimet rrënuese të shqiptarëve - 1. Vetëmashtrimi për qytetërimin tonë

Vetëmashtrimet rrënuese të shqiptarëve - 1. Vetëmashtrimi për qytetërimin tonë



Vërtet do të doja që e vërteta për ne shqiptarët të ishte ashtu siç ia kemi mësuar e siç ia mësojmë vetes, që jemi popull me qytetërim të lashtë e të avancuar, popull dinjitoz, guximtar e atdhedashës, popull i rilindur e i përndritur, popull me vlera e mendësi perëndimore. Por, kur shoh dhe analizoj realitetin tonë aktual të gjithanshëm shqiptar, mjeran e të pashpresë, më lindë një disonancë kognitive, një mospërputhje logjike, e cila kërkon përgjigje, kërkon zgjidhje, sepse e kaluara dhe e tashmja e mohojnë njëra tjetrën, nuk mund të jenë të dyja të vërteta, sidomos për faktin që e tashmja është rezultat i të shkuarës sonë. Kështu që, duke e prekur ditë e përditë aktualitetin tonë të hidhur dhe duke mos pasur asnjë arsye racionale për ta kontestuar realitetin tonë aktual, deduktivisht jam detyruar ta gjurmoj e analizoj të kaluarën e historinë tonë, për të parë se vërtet kush e si kemi qenë ne, rrjedhimisht për të gjetur përgjigjen se pse sot jemi ku jemi, ndër popujt më të prapambetur në kontinentin tonë, në disa fusha e aspekte ndër të fundit e botës.

 

Gjatë këtij rrugëtimi historiko-logjiko-psiko-sociologjik kam kuptuar se ne shqiptarët jemi vetëmashtruar vazhdimisht dhe për shekuj kemi ndërtuar kështjella diamanti në ajër për veten, në të cilat aq fuqishëm besojmë dhe të cilat, në të njëjtën kohë, aq fuqishëm na i demanton realiteti, sa që si shoqëri jemi në traumë të vazhdueshme, në luftë të vazhdueshme me veten për të zgjedhur mes iluzionit ose realitetit, luftë në të cilën gjithmonë ka fituar iluzioni që kemi për veten tonë, sepse më shumë kemi investuar në “të vërtetën” e iluzionit se në të vërtetën e vërtetë. Kjo na është shndërruar në një cikël vicioz, ku besimi në këtë iluzion na bën të keq-funksionojmë si shoqëri dhe sa herë keq-funksionojmë si shoqëri, pra vazhdimisht, kthehemi për të gjetur justifikim, prehje e ngushëllim te ky iluzion, duke ushqyer rriten e tij vazhdimisht. Rrjedhimisht, shoqëria shqiptare nuk mund të fillojë të mirë-funksionojë e të ecë e barabartë me shoqëritë e qytetëruara pa dalë nga ky cikël vicioz, përkatësisht pa hequr dorë nga iluzioni që ka krijuar për veten.

 

Jam shumë i vetëdijshëm se ky iluzion për veten, i ndërtuar mbi mite, legjenda, gënjeshtra e gjysmë të vërteta, i motivuar pavetëdijshëm për ta mohuar realitetin tonë të hidhur e të papranueshëm, është shumë vështirë të rrënohet sepse është ngulitur për kohë të gjatë e shumë thellë në kokat tona, por megjithatë, përmes këtij shkrimi do ta kryej detyrimin tim qytetar me shpresë se sadopak do të ndikoj në kolektivitetin që i përkas, në shqiptarët, që të fillojnë ta zhbëjnë iluzionin që kanë për veten dhe të fillojnë ta pranojnë të vërtetën për veten, si e vetmja mënyrë për t’iu siguruar pasardhësve tanë jetë të dinjitetshme e rrugëtim krahpërkrah me botën e qytetëruar e të zhvilluar.

 

Në këtë shkrim do të mundohem të flas për katër vetëmashtrimet e mëdha shqiptare, të cilat realisht janë e njëjta gjë dhe nuk mund të shihen si të ndara nga njëra tjetra, por vetëm për arsye didaktike, për të qenë në gjendje që më lehtë dhe më qartë t’i diskutoj, i kam ndarë në katër tema të ndryshme. Fjala është për katër vetëmashtrimet shqiptare në vijim:

1. Vetëmashtrimi për qytetërimin tonë

2. Vetëmashtrimi për guximin e trimërinë tonë

3. Vetëmashtrimi për rilindjen tonë kombëtare

4. Vetëmashtrimi për mendësinë e vlerat tona perëndimore


Sigurisht, pas trajtimit të këtyre katër çështjeve, në fund do të mundohem që të jap mendimin tim se cila është zgjidhja dhe se si mund të shpëtojmë nga vetëmashtrimi ynë.

 


1. Vetëmashtrimi për qytetërimin tonë

 

Fajtore kryesore për themelet e iluzionit që shqiptarët kanë për veten është historia kombëtare, e cila në fakt kryesisht nuk është histori, por dogmë e mitologji, pra mashtrim. Ky konstatim mund të mbështet lehtë, mjafton të shikojmë ç’na mëson historia kombëtare dhe ta krahasojmë atë me realitetin historik, duke ia nënshtruar një vlerësimi logjik. Drejtpërdrejt a tërthorazi, historia jonë kombëtare i ka proklamuar si të vërteta historike dy premisa, të cilat i ka ngulitur në kujtesën individuale e kolektive të shqiptarëve. Të thjeshtuara këto premisa janë: 1. shqiptarët dhe paraardhësit e tyre (ilirët/arbërit) janë/kanë qenë popull shumë i qytetëruar dhe 2. popull shumë trim e guximtar (për këtë të dytën do të flas në pjesën e dytë të këtij shkrimi).

 

Mjafton një shikim sipërfaqësor i këtyre premisave, një njohje sipërfaqësore e historisë kombëtare e ndërkombëtare, si dhe një njohje të realitetit aktual të shqiptarëve për ta kuptuar se këto premisa janë të papërputhshme me njëra tjetrën, rrjedhimisht edhe të pavërteta (sidomos kur këtyre i shtohet edhe një premisë tjetër e vendosur nga historia jonë: shqiptarët, përkatësisht paraardhësit e tyre (ilirët/arbërit) kanë qenë popull i madh). Po të ishin të vërteta këto dy, përkatësisht tri premisa, as e kaluara historike e shqiptarëve e as aktualiteti nuk do të ishte siç ka qenë, përkatësisht siç është. Si është e mundur që duke qenë popull i madh me shtrirje në gjithë Ballkanin, me qytetërim të avancuar që prej parahistorisë e popull trim, guximtar e luftarak historikisht, kemi lejuar që vazhdimisht të jemi të pushtuar e të sunduar nga të tjerët?! Ku janë gjurmët e qytetërimit tonë që i vlerëson bota?! Ku janë rezultatet e guximit, trimërisë dhe luftërave tona?!

 

Sigurisht se si përgjigje në këto pyetje “historianët” tanë do të ofrojnë “fakte e dëshmi” historike, por asnjë fakt a dëshmi që nuk i qëndron filtrit logjik nuk mund të jetë e vërtetë. E vërteta është fare e thjeshtë. Ne nuk kemi pasur asnjëherë qytetërim, as tash nuk jemi të qytetëruar (edhe për këtë do të flasim më vonë në vijim). Që nga parahistoria ne kemi jetuar në organizim shoqëror primitiv, në kope e fise. Asnjëherë nuk i kemi lënë trashëgimi vetes as botës ndonjë krijim origjinal universal në: filozofi, shkencë, politikë, art, letërsi, arkitekturë, inxhinieri, teknologji, ekonomi, etj.. Ne edhe mitologjinë e kemi të varfër, mjerisht! Ne nuk kemi as rite, rituale e tradita autoktone, të cilat i zbatojmë në rastet e ngjarjeve të rëndësishme jetësore, si lindja e fëmijës, martesa, vdekja, shënimi i datave historike, etj.. Çdo vit e dekadë i ndryshojmë ato, varësisht se prej cilës kulturë të të tjerëve ndikohemi.

 

Para se të flasim më shumë për qytetërimin tonë, fillimisht ta kemi një përkufizim për nocionin qytetërim, sepse ndoshta këtu dhe fillon keqkuptimi ynë për qytetërimin tonë. Unë, si edhe shumëkush tjetër, në kuptimin e gjerë, qytetërimin e përkufizoj si një nivel i avancuar i zhvillimit dhe organizimit të një shoqërie të arritur përmes prodhimit e krijimit të produkteve dhe të mirave materiale (të të gjitha fushave) dhe jomateriale me vlerë universale, të cilat e bëjnë atë shoqëri të dallueshme nga shoqëritë e tjera dhe me kulturë e mënyrë jetese të avancuar për kohën. Nisur nga ky përkufizim, ta trajtojmë edhe pak qytetërimin tonë.

 

Fillimisht, edhe nëse e marrim gjithë krijimtarinë tonë të shkruar origjinale të të gjitha fushave (të shtypur në letër), e cila ka vlerë universale, që prej parahistorisë e deri në ditët tona, nuk mund ta mbushim më shumë se një kthinë të vogël, eventualisht një hapësirë sa një a dy kotece pulash. Fundja, si mund të kemi më shumë trashëgimi të shkruar kur ne kemi bërë alfabet në shekullin e njëzet – si mund të jetë i qytetëruar një popull që nuk ka gjuhë të shkruar?! Ne kemi bërë alfabet atëherë kur popujt e qytetëruar kanë pasur pesëmijë vite që kanë lënë dëshmi të shkruara. Po të flasim për trashëgiminë tonë arkitektonike, ajo është aq e pakët dhe, veç kësaj, shumë prej saj është mbetje e pushtuesve dhe sunduesve tanë, jo e jona. Për më tepër, si është e mundur që ne të kemi pasur qytetërim kur asnjëherë në histori, bile as sot e kësaj dite, nuk kemi pasur e nuk kemi qytet në kuptimin e mirëfilltë të fjalës – qendër regjionale e ndërkombëtare politike, ekonomike, filozofike, shkencore, kulturore, etj.. Koncentrimi i një numri të madh të njerëzve dhe ndërtesave në një hapësirë të caktuar gjeografike nuk e bën atë vend qytet, siç pandehim ne. Mos të flasim pastaj për trashëgiminë tjetër tonën materiale e jomateriale që i kemi ofruar botës, ajo nuk ekziston. Përndryshe, ku është letërsia, teatri, drama, komedia, piktura e skulptura origjinale ilire? Ku janë urat, rrugët, e pallatet ilire? Po organizmi ynë shoqëror gjatë historisë? Gjithmonë, edhe sot e kësaj dite, me organizim fisnor, më primitiv se të gjithë popujt që na kanë rrethuar. Po në ditët tona ku janë zgjatimet e jehona e qytetërimit tonë të mëhershëm? Ku është kontributi ynë në dijen, shkencën e teknologjinë moderne? Askund. Ne nuk kemi asnjë vepër arti e asnjë vepër shkencore a inxhinierike t’ia prezantojmë botës. As në kryeqytetet tona e as në qytetet regjionale nuk e kemi një shesh siç e kanë gjithë vendet e botës. Kryeqytetet e qytetet tona janë masakër urbane, estetikisht gërditëse.

 

Ku është pra qytetërimi ynë?! Ilirët? E pra, cilin kontribut qytetërimor për njerëzimin ia njeh historia botërore ilirëve? Asnjë. Cilët mendimtarë e cilat vepra e produkte qytetëruese ia njeh historia botërore ilirëve? Asnjë. Skënderbeu? Së pari, Skënderbeu njihet për strateg ushtarak, jo për mendimtar. Së dyti, Skënderbeu nuk është produkt i Akademisë së Krujës, Shkodrës, Prizrenit a Durrësit, por është produkt i Akademisë së Konstantinopojës/Stambollit. As si strateg ushtarak Skënderbeun nuk e kemi nxjerrë ne, por të tjerët. Arkitekt Sinani? Edhe ky ishte produkt i të tjerëve, jo yni. Rilindasit e pasuesit e tyre? De Rada, Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Faik Konica, Hasan Prishtina, Gjergj Fishta, etj.? Edhe këta janë produkt i akademive evropiane dhe akademive të Stambollit. Aleksandër Moisiu, Nëna Terezë, Eqrem Çabej, Bekim Fehmiu? Edhe këta ishin produkt i të tjerëve jo yni, duam të marrim merita për ta veç pse i lindi një nënë a baba shqiptar?! Pyetja është ku janë dhe cilët janë produktet tona, të kolektivitetit tonë, të qytetërimit tonë?! Sigurisht pyetja është retorike, meqë nuk mund t’i kemi ato produkte, sepse asnjëherë nuk kemi pasur qendra edukative, kulturore, shkencore, akademike sa për të nxjerrë produktet tona. Pra, asnjëherë nuk kemi pasur qytetërim. Madje as në kohët bashkëkohore (në shekullin XX dhe XXI) nuk kemi të tillë dhe për këtë do të argumentoj më vonë në vijim.

 

E nëse unë nuk kam të drejtë, atëherë le të na tregojnë e dëshmojnë historianët tanë se ku janë piramidat, Aleksandria, Athina e Roma ilire?! Ku është Konstantinopoja, Venediku, Bagdadi, Kordoba e Damasku arbëror?! Ku është Londra, Parisi, Berlini e Nju Jorku shqiptar?! Ku janë akademitë ilire, universitetet arbërore e shkollat shqiptare?! Ku është Pitagora, Sokrati, Platoni, Aristoteli, Seneka, Ciceroni, Homeri, Plutarku e Shën Augustini ilir?! Ku është Toma Akuini, Ibni Sinai, Galileo, Da Vinçi, Servantesi, Shekspiri, Makiavelli, Bruno, Bejkoni e Koperniku arbëror?! Ku është Spinoza, Dekarti, Hobsi, Gëte, Hjumi, Loku, Volteri, Njutoni, Kanti, Hegeli, Shopenhaueri, Smithi, Mozarti, Betoveni, Balzaku, Dostojevski, Jungu e Ajnshtajni shqiptar?! Apo si përgjigje në këto pyetje do të themi se këto janë standarde të larta për një popull të vogël?! Po a nuk po na thotë historia se kemi qenë popull i madh e i qytetëruar?! Po mirë, le t’i ulim pra këto standarde në minimum dhe të pyesim sërish. Po cilat janë ato figura ilire, arbërore e shqiptare, bashkëkohanikë të figurave të mësipërme, të cilët i kanë lexuar e kuptuar këta mendimtarë, i kanë diskutuar, komentuar e interpretuar ata, i kanë përkthyer e ia kanë ofruar popullit të vet?! A harrova, nuk kanë pasur si t’i përkthejnë sepse nuk kemi pasur alfabet! Për më tepër, as në ditët tona, në kohën e teknologjisë së informacionit, edhe po t’i marrim bashkë të gjithë intelektualët shqiptarë, akademitë e universitetet shqiptare, nuk do të gjejmë njohës e interpretues kompetentë të këtyre figurave dhe të veprave të tyre që e kanë formësuar mendimin dhe zhvillimin njerëzor. Ne as sot e kësaj dite nuk i kemi as të përkthyera në gjuhën tonë shumë nga veprat e këtyre kolosëve të mendimit njerëzor e lëre më të kemi të tillë nga mesi ynë.


Edhe një argument të fundit sa i përket “qytetërimit” tonë. Ne dhe historia jonë mburremi se asnjëherë gjatë ekzistencës sonë si popull nuk kemi zhvilluar luftëra pushtuese, por asnjëherë nuk jemi ndalur të mendojmë se çfarë le kjo të nënkuptohet. Historikisht, çdo popull me qytetërim të avancuar, që prej parahistorisë e deri në ditët tona, ka zhvilluar luftëra pushtuese (në botën moderne lufta bëhet edhe ndryshe) dhe këtë e ka bërë për dy arsye: 1) duke e vlerësuar qytetërimin e vet si superior karshi të të tjerëve ka dashur që ta përhapë dhe imponoi qytetërimin e vet edhe tek të tjerët dhe 2) duke pasur qytetërim të avancuar ka pasur edhe fuqi dhe teknologji për të pushtuar e sunduar të tjerët dhe për ta zgjeruar ndikimin e qytetërimit të vet. Rrjedhimisht, mungesa e luftërave tona pushtuese është dëshmi e qartë se ne nuk kemi pasur qytetërim tonin të avancuar asnjëherë, përndryshe do të donim dhe do të mundnim ta shtrinim e impononim atë qytetërim tek të tjerët, siç kanë bërë gjithmonë të gjithë popujt, e nuk do të na shkonte gjithë historia duke u mbrojtur nga shfarosja.

 

Të gjitha ato që u thanë më sipër mjaftojnë për të dëshmuar se ne asnjëherë nuk kemi pasur as nuk kemi qytetërim në kuptimin e plotë të fjalës. Kjo nuk do të thotë se ne si popull kemi qenë e jemi të privuar nga mundësia për qytetërim, sepse kemi raste kur individë të caktuar (që nuk janë rezultat i kolektivitetit tonë, por i vetvetes apo i kolektiviteteve të tjera) kanë arritur të dëshmojnë arritje e vlera qytetërimi. Kështu që, të dashur shqiptarë, ne mund t’i tregojmë vetes përralla sa të duam dhe të besojmë iluzionin se kemi qenë popull i qytetëruar, por e vërteta nuk i nënshtrohet dëshirave e ëndrrave tona. Prandaj është në dorën tonë që të vendosim se a do të vazhdojmë t’i besojmë mashtrimit e iluzionit që na ka krijuar historia jonë kombëtare, apo do të fillojmë ta pranojmë dhe t’i besojmë të vërtetës.

 

Pikërisht pse asnjëherë nuk kemi pasur qytetërim të avancuar (për kohën) ne vazhdojmë t’i vuajmë pasojat edhe sot, sepse i kemi ulur tej mase standardet e asaj se çfarë vlerësojmë sot si qytetërim, si vlerë, si arritje, si sukses. Ne sot e quajmë mendimtar, intelektual e profesor cilindo mediokër që mban një diplomë pa kurrfarë vlere. Ne sot quajmë shkrimtar të suksesshëm cilindo shkrimtaruc që bën ca kombinime shkronjash e fjalësh, që për nga cilësia është i krahasueshëm me cilindo individ që në mënyrë të rastësishme mund ta përzgjedhim në rrugët e rrugicat e Berlinit, Londrës, Moskës e Parisit. Ne sot me pompozitet promovojmë libra të autorëve tanë, të cilat për nga vlera e cilësia nuk i kalojnë as kufijtë e komunës prej nga vjen autori, përveç kur, siç ndodh veç tek ne shqiptarët, vet autori e financon blerjen e librit të tij, pra vetë-blerjen, ose e financon përkthimin e librit të tij në gjuhë të tjera, sa për t’u dukur që vepra e tij ka vlerë përtej kufijve. Ne sot e quajmë art e kulturë çdo imitim të artit a të kulturës së dikujt tjetër që ndoshta ekziston me dekada e shekuj. Ne sot e quajmë të qytetëruar e të edukuar një person veç pse nuk hedhë bërllok nga vetura. Ne sot shpallim krenari kombëtare arritjet e sukseset në sportet e muskujve e në pornografinë moderne që quhet pop muzikë. Ne sot ndajmë dekoratat më të larta shtetërore për cilindo mediokër për ndonjë kontribut banal, sikur të ishin këto dekorata lecka pazari. Ne sot krenohemi për arritje të jashtëzakonshme veç pse në shekullin XXI shqiptarëve të Maqedonisë (rreth 40% e popullatës së këtij shteti) ju garantohet e drejta e përdorimit të gjuhës amtare në shtet. Ne sot e bëjmë lajm kombëtar vendosjen e një semafori në qytetet tona në ndërkohë që bota merret me menaxhimin e trafikut të satelitëve në hapësirë dhe ka prodhuar veturat me auto-pilot. Ne sot fascinohemi kur arrijmë ta bëjmë një kabinet të informatikës në fakultet në ndërkohë që bota gati ka arritur të prodhojë kompjuterët kuantikë. Ne sot krenohemi për ndonjë operacion banal të suksesshëm në spitalet tona në ndërkohë që bota ka krijuar nano-robotë për ndërhyrje kirurgjikale. Ne sot reklamojmë me mburrje vendosjen e instrumenteve për matjen e ndotjes së ajrit në ndërkohë që bota ka krijuar instrumente për të detektuar valët gravitacionale. Ne sot promovojmë me mburrje krijimin e ndonjë fabrike për prodhimin e gjilpërave në ndërkohë që bota ka dërguar sonda në mars. Ne sot i mbajmë shpresat e zhvillimit tonë në xehet e mineraret tona në ndërkohë që bota ka krijuar makineri e softuerë për seks virtual. Etj., etj.. Këto simbolika, e shumë të tjera që mund të përmenden, dëshmojnë për standardet e pritjet tona jashtëzakonisht të ulëta e të vogla që kemi vendosur ndaj vetes, të cilat janë pikërisht si rezultat i mungesës së qytetërimit tonë, sot e gjithmonë. Dhe në të njëjtën kohë, si sot si në të kaluarën, pikërisht për shkak të këtyre standardeve shumë të ulëta për atë që e konsiderojmë qytetërim, me kandarin tonë ne e kemi quajtur e vazhdojmë ta quajmë veten të qytetëruar. Pra, vetëmashtrohemi. Qytetërimi matet me standardet e kandarin e kohës, jo me standardet e kandarin vetë-qejfbërës.

 

 

Jusuf Thaçi

 

Prishtinë, më

31 maj 2018



Vijon pjesa 2: Vetëmashtrimi për guximin e trimërinë tonë (linku): https://papirusi.com/vetemashtrimet-rrenuese-te-shqiptareve-2-vetemashtrimi-per-trimerine-e-guximin-tone.

 




Gjithashtu lexoni


3 komente