64x64
Hysni Mehani
25 Maj 2018 · 3 min lexim

Vetëm 5€, vetëm 10€.

Vetëm 5€, vetëm 10€.

Pazar me shëndetin e qytetarëve. Para disa dite, herët në mëngjes, erdhi mysafir një familjare. Djalin e kishte sëmurë. Doktori i kishte sugjeruar t'ia bëjë analizat djalit sepse sëmundja dukej bukur serioze. Dhe, meqenëse për rezultatin e analizave duhej pritur deri në ora 14:00, kjo familjare kishte mësyr shtëpinë tonë si destinacionin më të afërt. Kur ora po i afrohej 14:00, në mënyrë që të mos e maltretonim të sëmurin, do shkoja unë që t'i merrja analizat. 

Dhe, kur dola të nisëm për në QKMF, kjo familjare më dha një copë letre si këto në foto.

Ç'është kjo? - ia ktheva si me habi.

Ma dha gruaja e drejtorit. - u përgjegj.

Cilit drejtor? - prapë unë.

Drejtorit të spitalit. - ajo.

Cilit spital? - isha shtangur.

Qitij spitali. - ajo.

Qysh, në spital të shtetit ta dhanë këtë letër A? - unë.

Po de. Gruaja e drejtorit të spitalit ma mundësoi ma lirë në laboratorin e saj privat, se në të shtetit nuk po u bojshin. - vazhdoi ajo.

U shtanga, jo pse nuk e dija që shëndetësia ishte e kriminalizuar, por kurrë nuk kisha parë si atë ditë. Vetëm 3€, gjithçka 1€ është i mbushur qyteti ynë, por që edhe shëndetësia të kishte përfunduar në logjikën e gjithçka 1€ me një zero prapa, pra vetëm 10€. Këtë s'mund ta merrje me mendë.

U interesuam rreth kësaj çështje dhe shumë shpejt në dorë na erdhën edhe e letra tjera të këtij lloji, por edhe e kuptuam që drejtori i QKMF-së e kishte transferuar jashtëligjshëm gruan e tij nga reparti i gjinekologjisë tek analizat në mënyrë që pacientët të drejtohen tek "Jonila lab", pronar i secilës është drejtori në fjalë. Por jo vetëm kaq, edhe puna tek analizat sabotohej në mënyrë që pacientët të jenë të obliguar t'i drejtohen sektorit privat.

E informova por edhe i drejtova pyetje në Kuvendin Komunal drejtorit përkatës për këtë çështje.

Dhe, asgjë!

E informova edhe Kryetarin e Komunës dhe kërkova nga ai që të marr masa.

Përsëri, asgjë!

E qytetarët që edhe sot i drejtohen QKMF-së, vazhdojnë të dalin me copa letre të tilla nga spitali, letra këto që i drejtojnë për tek "Jonila lab" pronar i secilës, siç e thashë, është drejtori i QKMF-së.

Ndërkohë që kryetari ynë vazhdon me prmetimet për park biznesi e liqe artificial.

Jo i dashtun, JO. Liqeu artificial e parku i biznesit kushtojnë shumë dhe qeverisja komunale s'ka mundësi buxhetore t'i realizojë. 

Por ndaljen e pazarve me jetën dhe dinjitetin e qytetarëve mundet dhe duhet ta bëjë. Pa kushte!

Se harrova, analizat e nipit falë Zotit dolën mirë, por shëndetësia vazhdon të lëngojë nga një sëmundje shumë e rëndë. Egoja për të bërë biznes me qytetarët më të varfër në Kosovë. E viktima të kësaj egoje të çmendur më se lehti mund të jenë ata që jetojnë me asistencë sociale dhe nuk i kanë vetëm 5€, vetëm 10€, sa i kërkojnë zullumqarët.



Gjithashtu lexoni


0 komente