64x64
Jusuf Thaçi
26 Maj 2018 · 5 min lexim

Vazhdimësia e njerëzimit është hyjnore!

Vazhdimësia e njerëzimit është hyjnore!

Meqë kryelajm në Kosovë sot ishte “Parada kundër Homofobisë” me moton “Dashuria jonë është kushtetuese”, në pritje të reagimit të përfaqësuesve të të djathtëve, të tradicionalëve e konservativëve dhe në pritje të reagimit të përfaqësuesve të bashkësive fetare, desha të jap qëndrimin tim në lidhje me këtë çështje.


1. Vet termi “homofobi” është tendencioz, nënçmues dhe ofendues për mospërkrahësit e kundërshtarët e homoseksualizmit. Kjo për faktin që termi “fobi” përshkruan një “frikë ekstreme joracionale a averzion ekstrem joracional” ndaj dikujt a diçkaje, në ndërkohë që mospërkrahësit e kundërshtarët e homoseksualizmit kudo në botë kanë arsyet e tyre plotësisht racionale bazuar në bindjet dhe perspektivat e tyre filozofike, vlerore, ideologjike, religjioze, morale, qytetërimore, historike, etj.. Andaj, mos përdorni terminologjira tendencioze, nënçmuese e ofenduese për njerëzit që nuk mendojnë e nuk besojnë si ju, aq më pak kur këtë e bënë pikërisht në funksion të mbrojtjes së një të drejte që ju e konsideroni të rëndësishme.


2. Homoseksualizmi si fenomen ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë gjithmonë në mesin e njerëzve dhe kjo mund të konfirmohet edhe me referenca historike edhe me referenca religjioze. Prandaj, askush as s’mund ta mohojë ekzistencën e këtij fenomeni e as ta zhbëjë këtë fenomen. Madje edhe religjiozët duhet ta pranojnë këtë si vullnet i Zotit dhe sfidë e sprovë për njerëzit, andaj le ta luftojnë fenomenin e homoseksualizmit, por jo njerëzit, ashtu siç të gjithë e luftojnë duahnpirjen por jo duhanpirësit. Por edhe përkrahësit e homoseksualizmit duhet ta pranojnë që kundërshtarët e homoseksualizmit kanë të drejtë të shprehin qëndrimin e bindjen e tyre kundërshtuese dhe këtë nuk mund dhe nuk duhet t’ua mohojë askush.


3. Homoseksualizmi si e drejtë publike e formale është debat i hapur për dekada në vendet perëndimore dhe ende nuk është mbyllur siç po provojnë ta imponojnë disa në Kosovë, madje as në vendet si SHBA, avangarde të këtyre çështjeve. Presidenti amerikan Xhorxh W. Bush në vitin 2004 është rizgjedhur President i SHBA-ve nga qytetarët amerikanë, përveç tjerash, për shkak të qëndrimit të tij kundër martesave të të njëjtës gjini dhe madje kishte propozuar edhe ndryshime në Kushtetutën e SHBA-ve që do të ndalonin këto martesa. Edhe kandidati aktual republikan për President të SHBA-ve, Donald Trump ka qëndrim publik të ngjashëm si Bushi për këtë çështje (në mos më radikal). Ndërsa, homoseksualizmin si të drejtë intime e private nuk besoj që e ka penguar kush, meqë askush askujt, as në Kosovë e as askund tjetër, nuk i përzihet së kë dashuron e me kë bën seks.


4. Homoseksualizmi si vlerë është problemi qenësor, meqë si vlerë (nganjëherë si kryevlerë) po duan ta imponojnë. Të mundohesh ta imponosh homoseksualizmin si vlerë kudo, posaçërisht në shoqëritë tradicionale e konservatore si në Kosovë, është dhunë e pastër që ushtrohet nga elitat e të fuqishmit ndaj shumicës. Se po duan ta imponojnë si vlerë, këtë e dëshmon fakti që sot në Kosovë, si asnjëherë më parë, morën pjesë në paradën kundër “homofobisë” tok së bashku presidenti i vendit, ministra, zëvendësministra, deputetë vendorë, evro-deputetë, ambasadorë të rëndësishëm, etj., në ndërkohë që për asnjë çështje tjetër nuk i kemi parë kështu të bashkuar të fuqishmit vendorë e ndërkombëtarë, as për zbardhjen e fatit të mijërave të pagjeturve që nga koha e luftës, as për të drejtat e mijëra femrave të dhunuara gjatë luftës, as për të drejtat e romëve që vdesin nga uria e nga të ftohtit rrugëve të Kosovës, as për të drejtat e mijëra fëmijëve e grave që abuzohen çdo ditë në Kosovë, as për të drejtat e punëtorëve që vdesin çdo ditë në vendet e tyre të punës në Kosovë, etj., etj..


Për fund, dua të them që vetëm ndërveprimet mes të kundërtave e kanë ruajtur, zhvilluar dhe avancuar njerëzimin. Kjo do të jetë e vërtetë përjetësisht gjersa të ekzistojë universi e njerëzimi. Prandaj, homoseksualizmi asnjëherë nuk do të triumfojë si vlerë (aq më pak si krye-vlerë) për faktin e thjeshtë që kjo është në kundërshti të plotë dhe të drejtpërdrejtë me krye-vlerën njerëzore (martesën, familjen dhe pasardhësit), si institucioni më i lashtë njerëzor që siguron vazhdimësinë e llojit njerëzor. Dhe vazhdimësia e njerëzimit është edhe e drejtë edhe detyrim hyjnor!


Jusuf Thaçi

Prishtinë, më

17 maj 2016


P.S.: Për të gjithë ata që përpiqen t’i frikësojnë të tjerët dhe për të gjithë ata që frikësohen të flasin, kam një porosi të thjeshtë: “Njëjtë si ju, si të gjithë para nesh, edhe unë do vdes!”.






Gjithashtu lexoni


0 komente