E unë qëndroja jashtë. Nën fjollat e borës që mbulonte me bardhësi tokën dhe binin drejtë në floktë e mi të zeza, i jepnin një ndjesi stine butësisht të ftohtë e aq të bukur. E ja ajo dilte n'dritare. E veshur me t'zeza, dhe e bukur si vdekja. T'gjithë e mendojnë vdekjen si diçka që duan t'i ikin, ndërsa unë mendoj se ajo do të na lirojë nga vetë shpirti ynë. Shiqonte aq me një pasion jashtë me dy duar të saj duke mbajtur kafen në dorë, adhuronte çdo fjollë bore që e mbulonte tokën. Unë nga parku përballë me këpucët e shqyera e të lagura doja t'qëndroja dhe pak më gjatë. Ta shikoj atë vajzë. Fus dorën në xhep, pesë euro kam. Pesë eurot e fundit një javë për ushqim. Shoh një piktor rruge anash dhe vrapoj...
"Bac përshëndetje, desha t'pyes sa mund ta bësh një portret?" Thashë duke iu afruar.
"Dhjetë euro," tha piktori duke mi shiquar këpucat e shqyeme.
"Nuk kam dhjetë bac kam pesë, të lutem bac plotësoma ktë dëshirë bëje një portret," them me një ankth frike brenda se mos po largohet nga dritarja vajza me t'zeza.
"Ik or djal, shko bleji një palë këpucë me ato para sa t'i harxhosh kot në portrete," tha me arrogancë piktori plak.
"Bac të lutem, nuk më intereson edhe nëse do t'duhet t'jap edhe rrobat që kam mbi trup e t'ngrijë nga vdekja... bëma realitet ktë ëndërr," kthej kokën sa te dritarja sa te piktori.
"Mirë në rregull o djalosh i çmendur, hajde dil para... dhe mos lëviz," tha plaku duke tundur kokën.
"Jo bac, portreti s'është për mua," them unë gjithmonë me një sy nga dritarja.
"S'është për ty? Po për kënd është që do harxhosh paratë e fundit mor djal i çmendur," thotë plaku i mbrrolur.
"E sheh atë vajzen atje? Ja, të lutem bëje atë," them me buzëqeshje.
"Po ajo nuk do ta ngopë barkun mor djalosh i çmendur," thotë plaku duke qeshur me ironi.
"Përkundrazi," them me plotë emocion.
"Kur t'jem duke ngrirë në stolet e parqeve, portretin e saj do e përqafojë me gjoksin tim."
Plaku filloi ta pikturojë vajzën time me t'zeza. As nuk mora lejen e saj, ajo është tashmë vasha ime!
"Bac shiko si i ka vetullat si shiqon me mallëngjim, rrëmbeje atë në pikturën tënde," them nga frika se mos humb ndonjë detaj.
"Or djalë, kam tridhjetë vite që bëj ktë punë," thotë plaku duke më shiquar me bisht të syrit, e qesh nga kaplimi im në dashurinë e vajzës n'dritare.
"Pa shiko baca im, shiko çfarë bukurie na kanë bekuar sytë tanë që shohim, një mrekulli," them i mbushur plotë frymë me buzëqeshje.
"Me t'vërtetë është e bukur," qesh plaku duke shiquar vajzën në dritare, dhe humbjen time në mjegullën e dashurisë.
"Bac dhe fijen e flokut që po i bjerë anash syrit," them teksa dridhem nga emocioni.
"Ore, do të ta fus një... po m'le ta bëj punën time," thotë plaku sa me zemërim, po aq me tallje.
I mbante ajo dy durët e saj aq të buta, të buta po imagjinoj se s'mund t'jenë ndryshe duart e asaj perëndeshe. Ah sa i lumtur jam, lotë më ranë që unë... mes gjithë aristokratëve modern, njerëzve të mëdhenj, mes gjithë fushave e lumenjë... unë jam dëshmitar i një bukurie kaq të thellë. Unë, që mbledh hekura dhe i dërgoj për t'fituar bukën e gojës, m'është ofruar ky nderë i madh, ndjenjë superlative, ta shikoj bukurinë e bukurive!
"Djalosh, or djalosh," kërcet gishtat plaku në fytyrën time.
Fshij dy lotët e mi që më rrodhën varg si lum njëdrejtimsh, dhe kthehem nga plaku.
"E mbarova djalosh, ç'është kështu puna jote... dyzetë e dy minuta t'rrjedhin lotë e s'lëviz duke e shiku atë vajzë, kaq shumë e deshe ti atë?" thotë plaku me një vetull ngritur, habi dhe kurreshtje në atë pyetje.
"Jo bac," fshij lotët përsëri.
"Në fakt as nuk e njoh, por çdo ditë në orën pesë un vij në parkun përballë, në ktë park... shikoj vajzën me t'zeza në dritare. Unë nuk kam askënd, kurrë nuk kisha, por kisha sytë ta shikoj atë vajzën. Ajo pa qenë në dijeni u bë ekzistenca ime, forca ime, fryma ime. Të gjithë më braktisën, aq herët m'kanë braktisur... se mbaj mend. Por ajo kurrë nuk e bëri. Çdo ditë, në orën pesë, ajo ishte tek dritarja. Dhe çdo ditë unë për tre vjet nuk e humba takimin tonë, qoftë dhe takim që ajo nuk e di. Por as ajo nuk e humbi, gjithmonë ishte aty sikur ishte vetëm për ta shikuar unë. Si një shfaqje teatri, unë isha spektaktori i saj më i flakshëm. Dhe vazhdoj të jem."
Heshtja na kaploi dyve!
"Urdhëro me bacën," tha plaku duke ma zgjatur portretin.
E shikoj dhe qesh me gaz e me lotë. Lotët ranë në portret. Mundohem ta fshij shpejtë.
"Faleminderit bac, e paske kap ashtu siç është ajo. Vdekja liruese nga jeta ime zinxhirësh," them i skuqur i tëri, e dënes në brendësi.
"Urdhëro bac," zgjas paratë e fundit sikur t'kisha miliona rezerva.
"S'ka nevojë biri im, t'jetë dhuratë e imja," lotët mbuluan plakun nën kapelën e tij.
Mora portretin dhe ec në mes të parkut duke e shtrënguar për gjoksi, si t'ishte thesari im i fundit që do ta mbaj. Nesër prapë unë do kthehem në orën pesë, vajzën me t'zeza
takimin tonë mos ta humb!
Sovran Hoti.