Shoh që në jetën tënde si libër ke pas kapituj të këqinj një kohë të gjatë. Njëra me vuajtje, tjetra zemër e thyer, ata pak karakterë që deshe i humbe, disa t’i mori jeta, tjerët i mori vdekja. Kushdo që paska qenë lapsi që paska shkru e drejtu jetën tënde si një anije e dëmtuar në portin më të afërt, paska dështu plotësisht... dhe ty të zhgënjyen çdoherë e më shumë!
Andaj m’lejo mua t’i jap fund kësaj. Ti nuk duhet të drejtohesh në portin më të afër për një jetë ngushëlluese me më pak probleme se ç’kishe më parë. JO!
Ti meriton të lundrosh në det, pafundësisht... të shkëlqesh në diellin e ndritur. T’i hap krahët e tua si vela, e ta ndjesh ajrin brenda, ta dish se ç’është të lëshohesh njëherë për ndryshim në krahët e dikujt tjetër, dhe t’mos kesh frikë se e di se ai gjithmonë do jetë aty për të të mbajtur!
M’lejo të jem goma që do fshijë të kaluarën tënde. Të jem lapsi që do shkruaj rreshtat, kapitujt, dhe fundin e lumtur për ty. Unë, t’jem lapsi që do shkruaj lumturinë tënde. Do të të përqafoj deri në perëndimin e diellit, dhe do t’ledhatoj gjatë ndriçimit të hanës, dhe kur vie agimi... unë prapë do të jem pranë teje, i zhytur në flokët e tua, në gjumin më të ëmbël e të lezetshëm që jeta mund ta dhurojë. Gjatë udhës sonë dorë për dore unë do i krijoj kapitujt më të mirë me ty, për ty... ne të dy!
Unë si laps do krijoj një shtëpi në plazh, e mbushur brenda me kujtimet tona të varura nëpër mure, shkrimet e mia në korniza të ruajtura në korridore, shkallë, atikë e dhoma... ta dijë ajo shtëpi sa shumë të dua. Para terracës do jem unë, duke pirë një birrë dhe duke pritur që darka të jetë gati, e dy fëmijët tanë po ndërtojnë kështjella rëreje duke luftuar me njëri-tjetrin si në librat e historisë që kanë lexuar... janë të lumtur ata, e qeshja fëmijërore e tyre neve do na ledhatojë shpirtin e na gudulis brendësinë se janë krijim i yni!
Me mua si laps që do shkruaj lumturinë tënde do vijnë dhe familjarë të rinj, nga ata që s’do kemi nevojë të ikim, fshehemi, apo edhe t’i injorojmë e t’i urrejmë. Do t’i duam, se ata do na duan ne, do kemi çdo vikend darka në shtëpinë tonë në plazh, ne burrat do shiqojmë ndonjë lojë apo do diskutojmë për politikë e beteja në historinë e pafundme, analiza e m’tha e t’thash. Gratë do diskutojnë se sa mirë po u ec jeta e tyre, se si njëra është në prag të ndonjë realizimi plani që ka prit një kohë të gjatë, tjetra ka pritur gjithë natën t’na tregojë se miqtë tanë po presin një fëmijë... e dëshira e tyre do t’jetë që t’jemi ne kumbara të tyre. E ti, ti do i tregosh se si je duke krijuar në karrierën tënde, se si fëmijët tanë sapo kanë filluar çerdhen, dhe janë të emocionuar të takojnë shoqëri të re... se si unë po shkruaj një novelë të re, tërësisht duke t’shikuar ty derisa bën punët e shtëpisë, kujdesesh për fëmijët si nënë, mes këtyre gjitha punëve... arrish të më përqafosh, dhe t’ma japësh një puthje para se të flemë në shtrat, dhe zgjohesh në mëngjes vetëm për t’më përcjellur te dera... e t’më thuash se sa shumë më do, dhe mezi s’po pret t’kthehem në mbrëmje. Nga kjo unë shkruaj novela, romane... e mijëra vepra sa e mrekullueshme je ti!
Do shëtisim netë të gjata në pyll, ecje me orë të tëra vetëm ne dy, s’do thojmë asnjë fjalë... shpirtrat tanë do flasin teksa ti mbështet kokën te krahrori im. Era do na shoqërojë, dhe pemët do bëjnë thashetheme për dy të dashuruar që s’dijnë të ndahen prej njëri-tjetrit. Nostalgjia do ketë nostalgji për ne, se gjithmonë do mbetemi të njëjtë, kurrë s’do ndahemi... tanimë jemi një!
Xhelozia do digjet kur do t’na shoh, vetmia do e mbyll veten pasi s’do ketë mundur të na ndajë, pikëllimi do mërzitet se nuk do e ftojmë në argumente të kota, argumente të kota s’do ketë... prandaj. Lumturia do kënaqet kur na vështron, e do na jep edhe më shumë verë nga gota e saj e pashterrur!
Fundi jonë do jetë fillimi i imortalizimit tonë, pasi njerëzit do flasin për dashurinë tonë edhe shekuj mbas nesh. Do krijojnë poema për mënyrën se si unë krijoja poema për ty, do krijojnë romane se si unë të desha, do krijojnë dhe dashuri të tyre... e ne do jemi inspirim për ata. Emrat tanë do bëhen sinonime për çifte, kur t’i shohin ata të dashuruar do përmendin emrat tanë si shembull... DO JEMI TE PAVDEKSHEM!
Prandaj t’lutem, m’lejo... t’bëhem unë, lapsi që do shkruaj lumturinë tënde. T’jem i lumtur me ty bashkë!
Sovran Hoti.