Në botën e social-media, debatet ndërmjet personave me popullaritet të gjerë shpesh dinë të shndërrohen në konflikte të ftohta. Rastet kur dy të tillë vijnë në një ambient për të diskutuar ndryshimet e tyre sy me sy janë të rralla. I këtillë ishte Pressingu i të enjtes, kur Berat Buzhala dhe Shpend Ahmeti dolën përballë njëri-tjetrit, ndonëse ishin edhe dy veta tjerë në studio. Kjo vetëm sa peshoi vagën në dobi të moderatorëve të emisionit, të cilët në bazë të pritjeve duhej të ‘çmontonin’ mysafirin.
Është një adet që moderatorët të gozhdojnë mysafirët, sidomos në rastet 1me1. E paharrueshme është vizita e parë e Hashim Thaçit në Rubikon, episod i cili njihet si episodi me më së shumti dokumente të pranishme në studion e atij emisioni. Pastaj kemi edhe Jeta Xharrën e cila ia del të ngushtojë mysafirët në kënd për të nxjerrë përgjigjet që kërkon. Mund të themi se asnjëri nga tre moderatorët e Pressingut nuk janë të nivelit të këtyre dyve. Ose, mund të themi që Shpend Ahmeti ka zotësi të debatojë, diçka që e ka bërë me zell gati në çdo studio televizive. Dhe kjo ishte arsyeja që treshja e moderatorëve të Pressingut u shpartallua nga Shpend Ahmeti, i cili me një strategji të shkëlqyeshme ia doli të mposhtë në lojën e tyre trupin e moderatorëve.
Mund të analizojmë në detaje se çka e kur dolën nga loja, por ata që e kanë parë e kanë vërejtur goxha mirë si Shpend Ahmeti arriti të marrë në duar udhëheqjen e emisionit, duke u humbur rrugën në studio moderatorëve. Ndonëse Gashi dhe Kërçuki provonin të kthenin emisionin në binarë – të dy duke u viktimizuar kryesisht; asnjëri nuk ia dilnin të ruanin një paanshmëri në debat, duke pësuar më pas edhe ata nga zjarri!
Debati i asaj nate mund të shfrytëzohet si orë ligjërimi në fakultetet e gazetarisë, politikës, komunikimit masiv, dhe marrëdhënieve publike. Është shembull i përkryer i pseudo-gazetarisë kundër një politikani të formësuar, një lloj që mungon në vendin tonë!