TVV – goxha i thjeshtë e kreativ si titull.
Ideja si ide, brilante!
Ma shumë mediat dhe lajmet e rreme, të rrencave të njohur, kanë dëmtuar Kosovën këto njëzet vite, por asnjëherë më shumë se në periudhën më të vështirë që nga paslufta, se sa vet COVID19.
Karshi kësaj propagande të cilës edhe Goebbelsi do ta lakmonte, informimi i publikut është jetik në mbijetesën e një shoqërie të shëndoshë!
Problemi që kanë me TVV, është që, qysh ja bon ai plaku në meme, ‘e hupën kontrollën.’
Qe njëzet vite që jam marrë me televizionet, jo vetëm vendore, e më pak pesë viteve të fundit, kam vërejtur që askund sikur tek ne, dhe në Ballkan veçanërisht, mediat janë vegla të oligarkëve të nëntokës!
Provoni të gjeni emrat e pronarëve të disave nga mediat, dhe do të gjeni njerëz anonim, si dhe biznese anonime. (Pastaj po dalin probleme jo domeni im jo i yti)
Në çfarë mënyre ato kanë marrë licencë, është për tu habitur!
Licencë nga KPM nuk do të merr TVV, por as që i duhet.
Licencë për me hap kanal në YouTube, apo llogari në Twitter, mund të merret ndoshta në Korenë Veriore, por më duket se aty janë të ndaluara këto rrjete të shprehje së lirë.
Kanali në YouTube është një gjë që identifikon partinë, organizatën, biznesin, individin, me një zhvillim të brendshëm dhe afërsinë me konsumatorët, klientët, fansat, a çfarëdo që janë ata të cilëve u shërbehet kjo!
Ironia më e madhe është që ‘ekspertë’ të cilët lugët i kanë me emrat e oligarkëve dhe paguhen për tu ‘prostituar’ varësisht se kë duhet të atakojnë sonte e kë të nesërmen, duke lidhur 3-4 fjali, rrallë pa asnjë gabim, dalin e na flasin për shprehje të lirë, kur vet ata, në të njëjtin moment shtypin shprehjen e lirë të njeriut.
Disa vite më parë, kemi pasur një projektligj që do të ndalonte ofendimin e simboleve shtetërore, e njëkohësisht edhe presidentit deri tek sekretarët e fotokopjeve. Sot kemi një projektligj që do të na ndalojë të flasim për luftën.
Gojën po duan të na mbyllin edhe me ligje, edhe me rregullore fantazmash, edhe duke provuar të vendosin se kush guxon të hapë kanal në YouTube e kush nuk guxon!
‘Diktatura brina nuk ka’
Dhe kjo po përkrahet nga ekspertët e oligarkëve, të cilët lëpijnë këpucët e pushtetarëve, të cilët një pjesë të harraqit u ndajnë në formë reklamash, idhujve të Goebbelsit. (Rasti i financimit të disa portaleve nga Telekomi i Kosovës)
Sot një kanal në YouTube, nesër në bllog, pasnesër në Twitter e Facebook, kështu do të vazhdojnë deri sa të na e mbyllin gojën të gjithëve. Me ligje të trilluara, pasi që nuk po munden të na shqelmojnë të gjithëve siç e kanë zakon, me apo pa kamera.
KPM-ja nuk i jep licencë një partie politike, dhe kjo është rregullore që është zbatuar e zbatohet.
Por, KPM-ja, është institucioni që ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, ende pa u miratuar mirë kur me shpalljen e pavarësisë pranonte kontrata që e cilësonin Kosovën si pjesë të Serbisë. KPM-ja e ka bërë këtë edhe në 10vjetorin e pavarësisë së Kosovës. KPM-ja i jep licencë një divizioni të Telekom Srbija që operon në territorin e Kosovës!
Nëse mendoni që korrupsioni në Kosovë është vetëm në organet që zgjidhen me vota, nuk jeni kërkah. Agjencitë rregullative, e federatat e sportit, janë shumë nivele më tmerrshëm, por nuk ka kush merret me to.
Sepse mediat nuk janë media për të informuar popullin sot. Mediat sot, janë për të na quajtur rus, siç bënte drejtori i televizionit publik i cili paguhet nga tatimet tona. Janë për të na komanduar si skllevër bindës, ashtu siç jemi shumica e paedukuar për rolin e medias në shoqëri.
Problemi i vetëm me TVV është që po krijohet një medium të cilin nuk do të mund ta kontrollojnë!
Të gjithë kemi internet, edhe televizorin me transmetim klasik për debatet politike e shikojmë vetëm kur janë persona të caktuar aty. E këta, tashti nuk do të kenë nevojë të presin për një ftesë.
E kanë pasur FB-në edhe më herët, edhe YouTube, edhe fletushkën e Vetëvendosjes, kundrejt së cilës kush nuk pati bërë zë asnjë herë! Krejt këto kanë qenë, por tashti vetëm kanë një emër – TVV.
Pa kontrollin e ‘mogulëve’ të mediave, ose siç i njohim më mirë, rrencave!