Çdo ditë e më shumë shohim politikanët tek gjejnë mënyra sa më kreative të përdorimit të Facebookut, duke filluar nga paraqitja e vizionit dhe pikëpamjeve të tyre politike, e deri tek detajet më të panevojshme nga jeta personale. Si të gjithë të tjerët, edhe politikanët janë në treg për të shitur produktin e tyre (idetë, parimet, vizionin etj.) dhe sa më mire të jetë i ambalazhuar dhe më atraktiv për blerësin (popullin), aq më shumë do të fitojnë (vota) ata.
Zhvillimi i teknologjisë dhe konkurrenca e lirë bëjnë të mundur që kushdo që ka shpirt ndërmarrësi të garojë në treg për plasimin e produkteve të tyre. Mirëpo, si në çdo sektor të ekonomisë, ashtu edhe në politikë, konkurrenca është e madhe, madje-madje - bazuar në nevojat e tregut - mund të kemi suficit politikanësh. Andaj, për të mbijetuar në këtë kapitalizëm të egër, duhet ditur si ta diferencosh veten duke ofruar produkte sa më atraktive dhe të leverdishme karshi konkurrentëve.
Në kohën që po jetojmë, marketingu në rrjetet sociale është mënyra më efikase për të targetuar sa më shumë konsumatorë me kosto më të ulët. Një gjë të tillë duket se e kanë kuptuar edhe politikanët. Pothuajse të gjithë që aktualisht janë në skenën politike, si dhe ata që synojnë të jenë pjesë e saj në të ardhmen, përdorin rrjetet sociale në masë të madhe, e sidomos Facebookun.
Arsyet që politikanët përdorin Facebookun janë të shumta. Paraqitja e pikëpamjeve dhe qëndrimeve politike ndaj proceseve dhe situatave të ndryshme është njëra prej tyre. Shumë politikanë përdorin Facebookun për t’ju treguar votuesve tyre se pse kanë mbajtur një qëndrim të caktuar, ndoshta dhe kontrovers rreth ndonjë ngjarje ose ligji.
Të tjerët përdorin Facebookun për të qenë “më afër” votuesit, duke dhënë përshtypjen se janë të barabartë, se mund të komunikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë duke krijuar kështu një lloj afrie mes tyre dhe votuesit.
Rëndësinë e vetafirmimit përmes Facebookut politikanët e kuptojnë mirë, por ajo çfarë ata nuk kuptojnë është kundër-efekti i këtij mekanizmi kur nuk përdorët në mënyrë korrekte. Me mënyrë korrekte nënkuptoj shprehjet, sjelljet dhe veprimet shoqërisht të pranueshme (ligjërisht dhe moralisht) dhe që i takojnë profilit të një politikani të mirëfilltë.
Nuk i takon profilit të një njeriu të arsimuar, me intelekt, edukatë dhe me ambicie të mos ketë kujdes dhe të postoj lloj-lloj fotografishë e shkrimesh, e aq më pak një politikani. Një politikan ka obligim moral, dy herë më të madh, të jetë korrekt në përdorimin e Facebokut, pasi jo vetëm që përfaqëson njerëz dhe interesa të caktuara, por shërben edhe si shembull për gjeneratat e reja.
E kë mund ta përfaqësoj një pseudo-politikan që poston foto drekash e darkash luksoze? Mos vallë gjysmën e popullit të papunë që lufton për mbijetesë dhe mezi e kalon muajin duke marrë borxhe për të blerë ushqime?
Po një pseudo-politikan që poston foto e “check-in-a” të pushimeve dhe hoteleve luksoze jashtë vendit? Mos mendon që po përfaqëson popullin i cili është ndër popujt më të varfër të Evropës dhe nuk i ka mundësitë të bëj pushime? Apo mos ndoshta mendon ky pseudo-politikan që po përfaqëson popullin i cili për të mare një vizë udhëtimi duhet të rropatet me javë dyerve të ambasadave dhe të trajtohet si qen?
Fatkeqësisht, kemi edhe kategori të tjera.
Në spektrin politik kemi edhe nga ata politikanë (politikanë u thënçin!) që përdorin fjalë banale, kërcënojnë e shajnë kë t’ju dojë qejfi! E shumica e tyre mezi arrijnë t’i shkruajnë dy rreshta pa gabime gramatikore.
Po kë përfaqësojnë vallë ata pseudo-politikanë që na irritojnë me postimet e ”chek-in-at” nga jeta personale? A do t’ia dijë ky popull i cili çdo ditë përballët me problemet më ekzistenciale se sa herë shkon në fitnes një politikan i mjerë? Apo çfarë dhuratash të shtrenjta i blen gruas për Shën Valentin?
Po t’i analizojmë nga perspektiva e konsumatorit, shohim se një pjesë e madhe politikanëve nuk dinë ta plasojnë produktin e tyre në treg. Në vend se të rrisin shitjet, përkundrazi dëmtojnë imazhin dhe produktin e tyre. Duket se nga ekonomia nuk kanë shumë haber, ndoshta tuxharllëku u sjellë më shumë fitim.