Sot kur u zgjova në mëngjes, hodha shikimin nga dritarja dhe e pashë që në ditën e Pranverës, bora kishte shtrirë trupin e vet te bardhë, një trup ende të pamëkat, i pa prishur nga të shkelurat…me një fjalë trup i virgjër.
Trupi im sigurt nuk ishte si i borës. Eshtë trup që si çdo mëngjes refuzon te ngrihet. Dhe kështu vazhdoj për gjysmë ore apo një orë shtrirë, duke thirrë mendimet e mbrëmshme heretike, që si për dreq në mëngjes zhduken. Mendime të tilla, si dhe pse jemi të vetmit në këtë Univers? A ka pas Zoti arsyeje që e krijoi një qenie kaq mosmirënjohëse ndaj vetvetes së pari?! A ka alienë në hapësirat tejkozmike? Po nesër ç’do të bëj? Dhe kështu vazhdon filmi i mendimeve.
Nga monotonia vijmë
Në monotoni shkojmë
Sikur të mos përjetoja përditë monotoni, do të isha njeriu me i lumtur ne fshat dhe qytet (jo në botë sepse është shumë e madhe). Por sot qenka ditë e bukur siberiane! Në këtë ditë shpesh më kujtohet ai rusi me mjekërr të gjatë, i cili ulur ne karrige përballë ka vodkën, e cila ia kthjellë mendimet dhe ia lehtëson vuajtjet. Sa mirë do ishte që shkrimtarët e ri të pinin sa më shumë vodka që t’i qartësonin mendimet sepse vuajtje nuk kanë!
Dal pak në dritare ashtu i ndruajtur nga bora, e hapi atë dhe e dhezi një cigare papritmas. Mendimet vijnë e shkojnë, përplasen diku në tru sikurse valët e detit në shkëmbinjë kurse gjatë këtyre çasteve më kujtohet një thënie e një shkrimtarit francez- ‘’Edhe guri thërrmohet po të qëndroj në një vend’’. Disi e gjeta veten në këtë sentencë.
Në meditim e sipër, m’u kujtua një humbje e madhe që e kishte pësuar një tiran dikur moti në vendlindjen e atij shkrimtarit mjekërrmadh dhe kjo më bën të ndjehem mirë sepse po kjo borë qe shkaktari i asaj humbjeje. A thua ka ndonjë emër kjo ndërlidhje spiritale?!
Cigarja po zvogëlohet, hiri po rritet-jeta po kalon, mishi i trupit po kalbet.
Nga jeta vijmë
Në vdekje shkojmë
Dhe në këtë ditë të bukur dimri po më kujtohen fjalët e kolonel Kurtzit, i cili para se të vdiste tha fjalët- ‘’The Horror, The Horror’’, thua se e gjithë jeta e njeriut që nga lindja deri në vdekje është horror. Cigarja u fik, buzët u dogjën, trupi im sërish fut nën jorgan për ta kërkuar nxehtësinë e mëparshme.