Më rrahën sonte. E di që kjo rrahje nuk kishte asgjë t’bënte me ty. Dhe prapë gjithçka që më ndodh mua ka t’bëj me ty. Edhe nëse s’ka t’bëj fare, prapë disi… ti je e përfshirë aty. Ti je aty, në çdo vendim, në çdo gabim, në çdo gëzim e në çdo pikëllim. Ti nuk ishe me mua, por megjithatë më shoqërove në vuajtjet e mia. Dashuria për ty ishte shumë e shkurtë, ende po ballafaqohem me vendimin më të vështirë të jetës sime... a të harroj ty? Në fakt, nuk është as edhe vendim, sepse këtë vendim nuk mund ta marr kurrë. Si mundem të të harroj unë ty? Në fakt, edhe kjo është gënjeshtër, e di mirë si. Jam unë ai që nuk dua të të harroj. Vuajtja ime për ty është e vetmja gjë që më lidh me qenien tënde. Po të shkëputem nga ajo, nuk do mbetet asgjë. Dhe, unë dua që edhe ndjenjat e fundit, dhe mundësinë e fundit të kapem e lidhem për të, vetëm që të të mos humbas plotësisht. Edhe nëse kjo do t’thotë se do vuaj tërë jetën, ashtu qoftë... sesa tët` humbas plotësisht nga jeta ime... që nuk do ishte jetë pas teje. Por, edhe më mirë kështu, sepse pa këtë vuajtjen time, nuk do ishte jetë, t’paktën kam një jetë ku je ti... qoftë vuajtje o jo. E pa ty, do ishte jetë, por jo një jetë që e dua. Një jetë pa ty!
Më dhemb trupi, jam gjakosur në fytyrë e në gjoks. Prapë, unë e lidh këtë me ty, me plagët e mia shpirtërore. Thua gati se ato mezi s’kanë pritur të rrahen nga goditjet në trupin e jashtëm, për të shpërthyer indirekt duke dalë jashtë... sikur shpirti deshi të lërë brendësinë, dhe të del jashtë lëkurës së vet`. Një jashtësi që duhet ta mbronte, por ti hyre nga brenda. E pushtove kështjellën time nga brenda, dhe më nuk dua të jem mbreti i asaj kështjelle. Ç’është ajo mbretëri pa ty? Tani nuk jam më mbret, nuk jam as edhe njeri i lirë... jam rob i zemrës tënde!
Po më dridhen këmbët. Por jo sa m’u drodhën ditën kur ti ike, dhe unë vrapoja nga pas për ty. Brinjtë sa herë marrë frymë më dhembin eshtrat. Por jo sa atëherë kur unë nuk munda të të thoja “rri.” Sikur m’u ndal fjala mu në skaj të buzës, isha në dijeni se t’humba përgjithmonë. Kjo duhej t’ishte motiv që unë të flisja, të vrapoja pas teje, të thyeja gjitha xhamat, të digjja gjithçka që do m’dilte para. Megjithatë unë qëndrova teksa të shiqoja ty... të ikje bashkë me zemrën time!
Ironi, si këmbëngulim dhe vrapojmë në jetë pas gjërave më të kota... dhe kur vie koha për momentet vendimtare, ndalemi, të palëvizur, shtanguar, sikur nuk kemi forcë, as edhe të mendojmë, e i shikojmë ato që dojmë me shpirt, t’na kalojnë para syve tanë... ne pa bërë asgjë për to!
Dhe, kalojmë gjithë jetën duke u penduar për ato që nuk i përjetuam, bëmë, hije e asaj që duhet t’ishim në t’vërtetë jemi tashmë. Dhe këto dëmtojnë edhe vendimet tona të ardhshme n’jetë. Bëhemi frikacakë e strehohemi tek justifikimet e së kaluarës!
E kaluara na ndjek mbrapa. Jemi peng të së ardhmes. Po ku mbeti e tashmja? Unë nuk kam të tashme!
Vazhdoj të mendoj për të ardhmen, që dikur shpresoj ta kem, nuk bëj asgjë në drejtim të saj. Kjo do nënkuptonte ta lë të kaluarën, në të kaluaren je ti. E e tashmja nuk të mban ty në të. E ardhmja mbetet vetëm për të ëndërruar një të ardhme që përfshin të kaluarën e dikurshme. Dua ta përsëris të kaluarën, çdo moment me ty, çdo përqafim, çdo shirit të filmit të kujtesës sime. Dua ta rikthej, ta rikthej dhe njëherë shikimin tënd, mu në mes të rrugës, pikat e shiut si pika gjaku tani që më rrjedhin nga hunda. Ti, nën umbrellën e kuqe, dhe unë pa mbrojtje... nën mëshirën tënde. Të shiqoja derisa ikje, dhe unë s’mund të bëja asgjë. I ulur në stol, tani si herën e kaluar, duke qajt` plagët e mia të atëhershme... me dhimbjet e sotme!
Më dhemb çdo kockë në trupin tim, por më shumë më dhemb kujtimi i futur në ato dhimbje rishtazi. Frymëmarrjen e marr ngadalë, se mos po i jap shkas dhimbjeve të brohorasin më shumë. Njëjtë si atëherë që merrja frymë në heshtje, se mos po i zgjoja plagët e shpirtit tim. Ishte i futur thellë në gjumë, dhe frika më e madhe e imja... ishte ta zgjoj. E sonte është zgjuar përsëri, dhe përsëri po e përjeton dhimbjen e njëjtë. Qëndroj i mposhtur, n’mizerie, dhe trishtim. Bie shi pendimi prapë, nuk e dalloj fortë se në zemrën time bie breshër dyqind ditë. Dyqind ditë që ti u zhduke, dhe more diellin me vete. Ma le hënën si ngushëllim, t’i ulëroj natën, me shpresën se ti po e shikon ndonjëherë... e ndoshta mendon për mua. Unë fle me hënën, dhe nuk zgjohem derisa dielli të perëndojë. Nuk dua ta shoh diellin pa ty. E dikur e zgjonim atë bashkë duke ndejtur deri në agim!
Më rrahën sonte. Ku ishe ti që lag-je peshqirin, dhe mi pastroje plagët e mia? Njëjtë si atëherë në shkollën e mesme, kur unë luftoja për reputacionin tënd. Ah, më mungojnë dhe ato qortimet e tua, “Sa idiot që je, pse përleshesh? Ti nuk je në nivelin e tyre, mos e fëlliq veten me ta.” Tani shtrihem në shtratin e apartmentit tim në jetën time studentore. Jetë që do e përjetonim bashkë të dy. Ti do ishe cimerja ime. Nuk do i tregonim askuj`, thjeshtë do jetonim bashkë me pretekstin se unë po jetoja “me shokë,” dhe ti po jetoje “me shoqe.”
Kollis nga dhimbjet e mia. Çarshafi i kuq si trupi im. M’kujtohet nata jonë e parë kur ne u bëmë burrë e grua para njëri-tjetrit. Sa e frikësuar që ishe, por nuk doje të largoheshe nga krahrori im. Ti çele si lule për mua, e unë isha sofa e ngrohtë në brendësinë tënde dimërore. Nxehnim njëri-tjetrin bashkë!
U zgjuam në mëngjes, dushi ishte lumi jonë ku ne zhyteshim. Të dy të përqafuar, rridhnin ujërat e lumturisë në lëkurën tonë. Mes dy hundëve tona duke u ledhatuar butësisht, hynte uji në mes, si lumenj` rrugicash. Tani dushi është vetmi, unë zhytem, dhe nuk mund të ngrihem. Uji u bë verë e kuqe, gjaku më rrjedh si qilar, m’rrahën sonte dashuri. Dhe ti s’je këtu për t’mi mbyllur plagët e mia. Rrjedh uji n’qeramikën e shndërruar n’ngjyrë të umbrellës tënde . Avulli n’xhama kaplon brendësinë time, s’mund të shoh asgjë. Ku je ti tani? Ku je vallë? Unë pyes kot së koti, duke ditur që nuk do vie një përgjigjje!
Sovran Hoti.