64x64
Ridvan Bunjaku
Djalë i mirë i shpisë s'mirë
16 Gusht 2018 · 8 min lexim

Një mënyrë përgjithësisht e rekomanduar e meditimit ulur

Një mënyrë përgjithësisht e rekomanduar e meditimit ulur

Ky është doracak i shkurtër për audienca të përgjithshme nga Zen-Mjeshtri japonez Dōgen. Teksti është përkthyer nga origjinali japonisht në anglisht nga Thomas Cleary që ka PhD në Gjuhë dhe Qytetërime të Azisë Lindore nga Universiteti i Harvard-it dhe është Doktor i Jurisprudencës nga Universiteti i i Kalifornisë. Është përkthyes i mbi pesëdhjetë vëllimeve të teksteve Budiste, Taoiste, Konfuçiane dhe Islamike nga sanksritishtja, kinezishtja, japonishtja, gjuha pali dhe arabishtja.


Një mënyrë përgjithësisht e rekomanduar e meditimit ulur


Rruga është esencialisht e plotë dhe e përsosur, gjithë-përshkuese; si do të mund të varej nga kultivimi dhe arritja e kuptimit intuitiv?

Mjeti udhëtues i burimit është falas; pse të shpenzohet përpjekje?

E tërë qenia është krejtësisht përtej pluhurit ndotës; kush do të besonte në metodë për ta pastruar atë?

Tërësia e madhe nuk është e veçuar nga këtu; pse të shkohet diku për të ushtruar?

Megjithatë, mospërputhja më e vockël është sikur largësia ndërmjet qiellit e tokës: posa të shfaqen mospëlqimi dhe joshja, mendja ju humb në huti.

Edhe pse mund të mburreni për aftësinë e rrokjes me mend dhe të shkriheni nga kënaqësia e të kuptuarit, meqë e keni pasur një xixë intuite, dhe sadoqë e gjeni Rrugën dhe e kuptoni mendjen, të frymëzuar me vendosmërinë të ngjiteni në qiej — megjithëse mund të endeni lirshëm brenda kufijve të hyrjes fillestare — ende jeni disi të mangët në rrugën e gjallë të emancipimit.

Madje edhe Gautama Buddha, që kishte dije të lindur, ishte ulur vertikalisht gjashtë vite; ky është shembull që ia vlen të përmendet. Kur flasim për transmetimin e esencës së mësimit në tempull Shaolin, fama e nëntë viteve të qëndrimit me fytyrë kah muri përmendet ende. Meqë të lashtët kanë vepruar kështu, pse të mos veprojnë kështu njerëzit sot?

Prandaj do të duhej ta ndalnit aktivitetin intelektual të gjurmimit të fjalëve dhe të ndjekjes së thënieve, dhe do të duhej ta mësonit ndaljen për një çast për ta rrotulluar dritën dhe të shikoni prapa. Trupi dhe mendja do të ndriçohen natyrshëm, dhe shprehja origjinale e fytyrës do të bëhet dukshëm e qartë.

Nëse doni të arrini diçka, duhet të përkushtoheni për të punuar për të. Për Zen-meditim intensiv, një dhomë e qetë është e përshtatshme. Ushqimi dhe pija duhet të jenë në sasi të përmbajtur. Duke u shkëputur nga të gjitha objektet mendore, duke marrë pushim nga të gjitha çështjet, duke mos menduar për të mirën a për të keqen, duke mos u shqetësuar për të drejtën a të gabuarën, ndërpreni operacionet e mendjes, të intelektit dhe të vetëdijes, ndaleni vlerësimin me mendim, me imagjinatë dhe me pikëpamje. Mos synoni të bëheni Budë; dhe si do të mund të ishte kjo e kufizuar në ulje a shtrirje?

Shtrijeni një qilim të trashë ku uleni zakonisht, dhe përdoreni një jastëk mbi të. Mund të uleni në pozën lotus-i-plotë, apo në pozën gjysmë-lotus. Për pozën lotus-i-plotë, së pari vendoseni shputën e djathtë në kofshën e majtë, pastaj shputën e majtë në kofshën e djathtë. Për pozën gjysmë-lotus, veç vendoseni shputën e majtë në kofshën e djathtë. Mbani veshur rroba të çlirëta dhe mbajini në rregull.

Pastaj vendoseni dorën e djathtë në këmbën e majtë, dhe dorën e majtë në dorën e djathtë, me pëllëmbët të kthyera lart. Dy gishtat e mëdhenj të duarve kthehen përballë njëri-tjetrit dhe e mbajnë njëri-tjetrin lart.

Tash rrini ulur vertikalisht, me trupin drejt. Mos u mbështetni majtas a të anoheni djathtas, apo të përkuleni përpara a të mbështeteni prapa. Drejtoni veshët me supe, dhe hundën me kërthizë. Gjuha duhet të pushojë në qiellzën e sipërme, dhëmbët dhe buzët duhet të jenë të mbyllura. Sytë duhet të jenë të hapur gjithmonë. Frymëmarrja kalon lehtësisht nëpër hundë.

Pasi forma fizike të jetë në rregull, nxirreni frymën plotësisht përmes gojës një herë, lëkunduni majtas dhe djathtas, pastaj rehatohuni në pozitë të ulur përsosmërisht në prehje.

Mendoni për çka nuk mendon. Si mendoni për diçka që nuk mendon? Ajo nuk është të menduar.

Ky është arti thelbësor i Zen-meditimit ulur.

Ajo që e quaj Zen-meditim ulur nuk është ushtrim i dhyāna-s (seri e gjendjeve të kultivuara të mendjes, që çojnë në "gjendje të qetësisë dhe vetëdijes së përsosur" - shënim i përkthyesit në shqip). Është vetëm metodë e rehatisë, mënyrë praktike e përjetimit të shqyrtimit shumë të thellë e t’kujdesshëm të përndritjes: realiteti objektiv bëhet i dukshëm qartë, përtej çfarëdo kurthi.

Nëse mund ta rrokni domethënien e kësaj, do të jeni si dragonjtë që mësohen shpejt me ujin, si tigrat nëpër male. Do ta dini se e vërteta është bërë e dukshme spontanisht, gjersa harresa dhe hutimi do të jenë tejkaluar tashmë.

Kur të ngriteni nga pozita ulur, lëvizeni trupin gradualisht, duke u çuar butësisht. Mos jini të nxituar apo të pakujdesshëm.

Kemi parë storje të tejkalimit të të zakonshmes dhe të shkuarjes përtej të shenjtës, të zhveshjes së spirales së vdekjes duke qëndruar ulur apo të humbjes së jetës duke qëndruar në këmbë: të gjitha këto varen nga fuqia në këtë.

Dhe si është puna me shndërrimet e gjendjes gjatë ngritjes së një gishti, një shkopi, një gjilpëre, një çekani? Si është puna me realizimet e hamonisë në ngritjen e një fshese, një grushti, një bastuni, një britme? Këto nuk kanë qenë kurrë të ndikueshme nga kuptimi përmes mendimit dhe konceptualizimit; si do të mund të njiheshin përmes kuptimit intuitiv të kultivuar të fuqive mbinatyrore?

Do të mund të quhej sjellje me dinjitet përtej zërit e formës; a nuk është shembull udhërrëfyes përpara njohjes dhe pikëpamjeve? Duke qenë e tillë, nuk është çështje se a ka njeriu më shumë a më pak inteligjencë, duke mos bërë dallim ndërmjet të shpejtit dhe të ngadalshmit. Koncentrimi i fokusuar, i unifikuar është ai që e përbën angazhimin në Rrugën.

Ushtrimi dhe kuptimi intuitiv janë spontanisht të pandotur; procesi i mësymjes kah synimi, për më tepër, është të qenët normal.

Çfarëdo qofshin, bota e njeriut dhe mbretëritë e të tjerëve, Perëndimi dhe Lindja, ato e mbajnë baras esencën e mësimit të Budës, të bazuar si një në rrugën e burimit.

Veç ushtrojeni qëndrimin ulur, duke ndenjur në gjendje të palëvizshme. Edhe pse duket sikur ka një mori dallimesh dhe një mijë ndryshime, veç merruni me meditim intensiv për ta zotëruar Rrugën.

Pse të braktisni ulëse në shtëpinë tuaj për të bredhur kot në mbretëritë e pluhurta të vendeve të huaja? Bëjeni veç një hap të gabuar, dhe do të kaloni si të verbër përskaj asaj që është mu para jush.

Pasi ta keni futur në dorë çelësin e trupit njerëzor, mos e çoni kohën kot: ruajeni dhe përkraheni potencialin esencial të Rrugës së Budës.

Kush është i marrë të presë me ngazëllim diçka që zgjat veç një çast? Shtojani këtij konsiderimi faktin që trupi fizik është si pikë e vesës në bar, një jetë e tërë është si një shkreptimë vetëtime: papritmas janë boshë, zhduken sakaq.

Ata njerëz fisnikë që marrin pjesë në këtë studim dhe që kanë mësuar gjatë të ndiejnë elefant përmes dorës mos qofshin dyshues për dragoin e vërtetë. Vazhdoni energjikisht në rrugën që e tregon Të Vërtetën drejtpërdrejt, dhe nderoni njerëzit që e kanë tejkaluar nxënien dhe kanë shkuar përtej përpjekjes. Bashkojuni përndritjes së Budave, trashëgojeni gjendjen e mendjes së themeluesve të Zen-it.

Duke qenë kështu për kohë të gjatë, do të duhej të ishim kështu. Thesari hapet vetvetiu, që ta përdorim kur të duam.


_________________


Përktheu: Ridvan Bunjaku


Literatura

Cleary, Thomas F., ed. Minding mind: a course in basic meditation.

Shambhala Publications, 1995.


Materiale të tjera

https://botimetrb.wordpress.com/


Licencimi

Ky publikim lëshohet nën licencën




Attribution-NonCommercial-ShareAlike

CC BY-NC-SA

This license lets others remix, tweak, and build upon your work non-commercially, as long as they credit you and license their new creations under the identical terms.


që nënkupton se i lejon të tjerët ta shkarkojnë dhe ta shpërndajnë te të tjerët, ta ndryshojnë punën në mënyrë jokomerciale, përderisa e përmendin burimin dhe i licencojnë krijimet e reja nën terma identike. Për më tepër, shih:

http://creativecommons.org/licenses/



Ridvan Bunjaku
Djalë i mirë i shpisë s'mirë

Gjithashtu lexoni


0 komente