64x64
Sovran Hoti
Mysafir i paftuar në zemrën e secilit!
15 Tetor 2018 · 4 min lexim

Një Cigare e Pi

Një Cigare e Pi

Ballkon, nata e ndriçuar nga hëna e plotë. Rri në mes të hekurit i mbështetur në dy bërrylat e mi. Një cigare unë e pi. Veshur pizhamaja dhe një bluzë me mëngë të shkurtra, shiqoj hanën me mallëngjim dhe e adhuroj atë që po reflekton në sytë e mi. Natë e hareshme me çiftet poshtë që po shëtisin pëtisin përreth duke qeshur. E pas shpinës sime, brenda... ti!


Flije me pasion të madh. Gjumin e shijoje dhe lëshoje një frymëmarrje që mu ma shtinte adrenalinën më rrënqethëse në gjoksin tim!


“A thua çfarë po ëndërron?” i thoja vetes, dhe kthehesha nga hana.


“Mos po më ëndërron mua moj hanë?” pëshpëritja në vete.


“Ndoshta më ëndërron edhe mua?” ja bëj qejfin vetes me një buzëqeshje e duke tundur kokën.


Dhe vazhdoja e pija cigaren. Deri në shkrumbin e fundit që u digjte. Lëshoja tymin nën hanën e ndritur, njerëzit e hareshëm të gjallëruar bërtisnin e këndonin nën fenerat e rrugës, ishte një jetë qetësie!


“Ah po ta dinte sa shumë e dua,” flisja me veten.


“Gjithmonë ja them, po m’duket se s’ka fjalë që janë mjaftueshëm për ta shpreh ktë ndjenjën që e kam për të. E dua si i marrë, qenia dhe shpirti im e gjitha harxhohet për të. Dhe me një shikim të saj... rimbushet përsëri. Edhe më shumë sesa ishte mëparë. Qetësinë shpirtërore që ma jep ajo, ahhh... sikur ta dinte se vetëm me ekzistencën e saj ajo ma mbush jetën... ndoshta do ikte nga unë. E dua, e dua gjithën secilën centimetër të lëkurës së saj. Këmbë të gjata perëndeshe që ka, aq të ilustruara bukur në pozicionin që i vë kur fle. Jam i lumtur, kurrë se mendoja t’ia them këtë dikujt... e lëre më vetes.”


E ndez dhe një cigare për t’ia vazhduar qejfin vetes nën hanën e ndritur, njerëzit shkojnë e vjinë. Ma ndreqin shpirtin, harenë e tij. Shyhret ky qytet sonte, drita që po ndriçojnë pa ndalë. Jo drita feneri, dritë shpirtrash!


“Sa u pata mërzit kur nuk ma ktheu letrën herën e parë që ja pata shpreh dashurinë. Tërë ditën rrija në kafe, as veten nuk e duroja. E kur m’tha se nuk dinte ç’ti shkruante si përgjigjje letrës sime aq të bukur me poezi, donte të më takonte në person dhe t’ma jepte përqafimin dhe puthjen më të madhe si simbolikë e atij shkrimi madhështor në atë letër... zemra ime doli nga gjoksi thuaja.”


Shiqoj dritën time brenda teksa fle me një buzëqeshje, dhe pyes veten kushedi se ç’po ëndërron. Vërej se pakoja ime ishte shterruar, vetëm një cigare e fundit po ma bënte me sy. E vendos në gojë, gjuaj pakon në kontenier, dhe e ndez me gishtat e mi furishëm me gëzim t’i shijoj tymat e fundit nën hanën e ndritur. Njerëzit të gjithë u zbrazën, por gëzimin ja lanë fenerave dhe rrugëve me kalldrëm. Jetë qetësie ishte sonte për mua, për rrugët, fenerat, dhe hanën e ndritur. Ah gëzim që kemi gjithë bashkë... po i bëjmë shoqëri njëra-tjetrës!


“Moj hanë,” lëshoj tymin poshtë dhe lartë dhe qesh me zë.


“T’kam shumë borxh moj hanë,” thith cigaren si të marr frymën e fundit, e e djeg deri në fund derisa u shua.


“Atë natë që ajo u bë partnere e jetës sime ti ndriçoje më së shumti, faleminderit hanë. Ndriço gjithmonë për ne,” them duke e lëshuar tymin sikur hallet morën fund dhe lumturia hyri me frymëmarrjen tjetër.


Hyj brenda, dhe përqafoj gjysmën time!


“Ç’ndodhi,” tha ajo pasi u zgjua nga përqafimi im i plotë shtrëngueshëm.


“Asgjë, po flisja me hanën për ty,” them duke puthur në ball dhe dy sytë e saj ëngjëllore.


“T’vie era cigare,” tha ajo duke u strukur tek gjoksi im.


Qeshëm të dy dhe ramë në gjumë të përqafuar!


Sovran Hoti.


Sovran Hoti
Mysafir i paftuar në zemrën e secilit!

Gjithashtu lexoni


0 komente