64x64
Jusuf Thaçi
26 Maj 2018 · 12 min lexim

Monolog dialogues rreth fesë në shkollat shqipe publike!

Monolog dialogues rreth fesë në shkollat shqipe publike!

Për fat të keq, çdo debat që hapet ndër shqiptarët në lidhje me fenë, përcillet me histeri, patetizëm e militantizëm nga të gjitha palët ndër-debatuese, thua se është i pamundshëm debati gjakftohtë e argumentativ. Njëjtë po ndodh edhe me debatin e ri-iniciuar këto ditë nga kryeministri Rama në lidhje me futjen e mësimit mbi fenë në shkollat shqipe publike. Duke qenë një njohës (sigurisht sipërfaqësor) i fesë desha të jap edhe unë kontributin tim modest në këtë debat. Për t’u përmbajtur maksimalisht nga histeria, patetizmi e militantizmi im eventual, këtë po e bëj në formë monologu dialogues mes totalitetit tim si njeri dhe pjesës sime racionale.


Pyetje: Ç’është feja në kontekstin që po flasim dhe a duhet të studiohet e mësohet ajo në shkollat publike?


Përgjigje: Feja është “teoria” e parë, më e vjetër dhe më gjithëpërfshirëse që ofron modelin e saj shpjegues për gjithçka (pavarësisht nivelit argumentues apo pajtimit a mospajtimit tonë me të). Së këndejmi, gjithë filozofia, arti e shkenca kanë filluar e janë zhvilluar si reaksion ndaj teorisë së parë, pra ndaj fesë, qoftë në funksion të plotësimit e përkrahjes së saj, qoftë në funksion të neutralitetit ndaj saj apo qoftë në funksion të kundërshtimit e rrënimit të saj. Rrjedhimisht, feja është pjesë e totalitetit të dijes njerëzore dhe si e tillë duhet të mësohet e të studiohet nga të gjithë me mundësinë që secili të mund të krijojë qëndrim përkrahës, neutral a kundërshtues në raport me të.


Pyetje: Nga ajo që parathatë, del që ju konsideroni që mësimi e njohja e fesë është shumë e rëndësishme për njeriun, madje esenciale edhe për të kuptuarit e shumë fushave të tjera. Pse mendoni kështu?


Përgjigje: Të mos e njohësh fenë do të thotë të kesh shumë vakume intelektuale (sigurisht edhe shpirtërore, por kjo s’ka të bëjë me këtë temë). Të mos e njohësh fenë do të thotë që:

- të mos e kuptosh fascinimin që përjetojmë sot nga piramidat e faraonëve të lashtësisë;

- nuk do ta kuptosh qartë e saktë Sokratin, Platonin e Aristotelin dhe ndikimin e tyre në trajtësimin e mendimit njerëzor;

- nuk do ta kuptosh thellësisht imperativin kategorik të Kantit, dialektikën hegeliane, vullnetin shopenhauerian e mbinjeriun niçian, dhe se si këta e kanë “formësuar” botën në të cilën ne jetojmë sot;

- nuk do t’i kuptosh kurrë perlat e artit të lashtë e modern, në pikturë, skulpturë, arkitekturë, letërsi, muzikë, etj.;

- nuk do të kuptosh qartë arsyet e ndarjes së Perandorisë Romake në atë të lindjes dhe të perëndimit;

- nuk do të kuptosh qartë arsyet e pushtimit të Konstantinopojës nga Perandoria Osmane;

- nuk do ta kuptosh kurrë pse “Epoka e Artë e Hebrenjve” është pikërisht në kohën e Kalifatit Arab në Spanjë;

- nuk do ta kuptosh kurrë simbolikën e Jerusalemit e burimin e konfliktit arabo-izraelit, si dhe mundësinë e zgjidhjes së këtij konflikti;

- nuk do të mund të kuptosh arsyet e Ajnshtajnit për kundërshtimin e teorisë kuantike;

- nuk do ta kuptosh kurrë esencialisht çmendurinë hitleriane;

- nuk do të kuptosh kurrë mirëfilli sistemet politike, gjyqësore, ekonomike, sociale e morale të vendeve të lindjes e të perëndimit;

- nuk do të kuptosh kurrë burimin e fuqisë së ndikimit të Dalai Lamës e të Papës në botë;

- nuk do të kuptosh arsyet e ndarjes së ilirëve në fise;

- nuk do ta kuptosh kurrë motivin e rezistencës së Skënderbeut karshi osmanëve;

- nuk do ta kuptosh kurrë burimin e motivit të aktivitetit humanitar të Nënës Terezë;

- nuk do ta kuptosh kurrë burimin e stoicizmit të Adem Jasharit dhe gatishmërinë e tij dhe familjes së tij për sakrificë tej-njerëzore;

- nuk do ta kuptosh kurrë burimin e qetësisë shpirtërore të Adem Demaçit për t’i bërë ballë burgjeve e kazamateve serbe për tri dekada;

- nuk do ta kuptosh kurrë esencën e debatit Qosja-Kadare mbi identitetin shqiptar.

- Etj., etj., etj..


Me një fjalë, të mos e njohësh fenë do të thotë të jesh intelektual gjysmak!


Pyetje: A e cenon mësimi i fesë laicizmin e shkollës publike?!


Përgjigje: Kjo është pyetje mesjetare, përkatësisht ekuivalente me pyetjen “A mund të vrasim padrejtësisht në emër të drejtësisë?”. Të kuptuarit e laicizmit si privim të njeriut nga e drejta për dije është një keqkuptim i stërmadh. Po të nënkuptonte laicizmi privim të njeriut nga e drejta për dije, atëherë do duhej ta shqyrtonim raportin tonë me laicizmin e jo me fenë. Nuk ka kuptim që të promovojmë kamikazllëk intelektual në emër të laicizmit.


Pyetje: Shumë njerëz e konsiderojnë fenë burim e shkaktar të dhunës, të terrorizmit e të luftërave shkatërrimtare dhe historia e deritanishme njerëzore sjellë mjaft fakte për ta mbështetur këtë, si p.sh.: kryqëzatat e inkuizicioni mesjetar kishtar apo terrorizmi fetar islam i ditëve të sotme. Prandaj, shumë njerëz konsiderojnë që mësimi i fesë në shkolla duhet të shmanget. Çfarë mund të thoni për këtë?!


Përgjigje: Fillimisht duhet bërë e qartë që burim e shkaktar i dhunës, i terrorizmit e i luftërave shkatërrimtare është njeriu dhe natyra e tij, e jo feja. Instrumentalizimi i fesë nga njeriu për ta përligjur e justifikuar destruktivitetin e vet njerëzor nuk mund ta bëjë fenë fajtore e përgjegjëse për këtë. Destruktiviteti njerëzor do të ekzistonte edhe po të mos ekzistonte asnjë e fe e besim.


Gjithashtu, duhet thënë që kjo është historia interpretative, jo historia faktike. Shembulli i kryqëzatave e i inkuizicionit apo i terrorizmit janë shembuj tipikë të instrumentalizimit negativ të fesë. Pikërisht mësimi e studimi i fesë në mënyrë sistematike në shkolla do të minimizonte mundësinë e instrumentalizimit negativ të fesë nga gjeneratat e ardhshme.


Se si mund të arrihej kjo po e përmend ca shembulj të thjeshtë që lidhen me shembujt e përmendur në pyetje.


Krishterimi dhe Islami kanë profetët e vet, Jezusi (Isai a.s.) te Krishterimi dhe profeti Muhamed (Muhamedi a.s.) te Islami. Secili pasues i këtyre dy feve beson që pikërisht profeti i tyre është shembulli ideal i njeriut dhe i sjelljes njerëzore dhe feja e tyre i fton që edhe pasuesit ta kenë shembull e model profetin e tyre dhe të përpiqen t’i përngjasojnë atij me veprat e sjelljes e tyre. Në fakt, kjo nuk është vetëm një ftesë, por një detyrim fetar.


Po të studiohej e të mësohej si duhet feja, çdo i krishterë do ta dinte që Jezusi, shembulli i njeriut ideal dhe model i sjelljes ideale njerëzore për të krishterin, asnjëherë në jetën e tij nuk ka vrarë asnjë njeri, pavarësisht se të tjerët e kanë refuzuar, përbuzur, fyer, torturuar e kryqëzuar. Prandaj, çdo i krishterë që do ta dinte këtë fakt e që do ta përligjte vrasjen e njeriut do të ishte kundër profetit të vet, kundër modelit ideal të sjelljes njerëzore. Gjithashtu, çdo jo i krishterë që do ta dinte këtë fakt, atyre që vrasin në emër të Jezusit nuk do t’u kërkonte të braktisnin Jezusin, por pikërisht të kundërtën, të respektonin Jezusin dhe modelin e ofruar nga ai.


Po të studiohej e të mësohej si duhet feja, çdo mysliman do ta dinte që profeti Muhamed, shembulli i njeriut ideal dhe model i sjelljes ideale njerëzore për myslimanin, megjithëse ka marrë pjesë në shumë luftëra dhe është refuzuar, përbuzur, fyer, torturuar e është tentuar të vritet nga kundërshtarët e armiqtë e tij, ai në jetën e tij e ka vrarë vetëm një njeri, dhe atë, në luftë – në fushëbetejë, madje, dhe atë, në vetë-mbrojtje. Prandaj, çdo mysliman që do ta dinte këtë fakt e që do ta përligjte vrasjen e njeriut të pafajshëm e në rrethana të papranueshme do të ishte kundër profetit të vet, kundër modelit ideal të sjelljes njerëzore.


Gjithashtu, çdo jo mysliman që do ta dinte këtë fakt, atyre që vrasin në emër të profetit Muhamed nuk do t’u kërkonte të braktisnin profetin Muhamed, por pikërisht të kundërtën, të respektonin profetin Muhamed dhe modelin e ofruar nga ai.


Veç këtyre, po të studiohej e të mësohej si duhet feja, çdo i krishterë (por edhe të tjerët) do ta dinte që parimit të krishterë: “Sy për sy!” (gjë e lejuar por jo e preferuar), i mbi-vendoset parimi më superior (po i krishterë): “Kur dikush të godet në njërën faqe, ti ktheji dhe faqen tjetër!” (e preferuar). Gjithashtu, po të studiohej e të mësohej si duhet feja, çdo mysliman (por edhe të tjerët) do ta dinte që parimit islam: “Nëse i dënoni, dënoni në masën që ju kanë dënuar!” (gjë e lejuar por jo e preferuar) i mbi-vendoset parimi më superior (po islam): “Kush bën durim e fal, s’ka dyshim se falja është virtyti më i lartë!” (e preferuar).


Pyetje: Shqiptarët e kanë shumë për zemër thënien vasopashiane: “Mos shikoni kisha e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria!”. A e cenon mësimi i fesë në shkolla elementin apo identitetin kombëtar shqiptar?


Përgjigje: Kjo thënie e Pashko Vasës ka kohë që përdoret e dekontekstualizuar nga shqiptarët, pra keqpërdoret, dhe nga diçka radikalisht qenësore e përmbajtësore në kohën e thënë nga autori, tashmë ka kaluar në sipërfaqësizëm naiv nga ata që e keqpërdorin në ditët tona. Tashmë, kur ka kaluar errësira mesjetare, injoranca e diktatura komuniste, do të vlente thënia: “Lirisht shikoni kisha e xhamia se nga të dyja këto pasurohet shqiptaria!”


E vërteta është se kombëtarizmën e shqiptarizmën, pra kombin e shtetin shqiptar, e krijuan fetarët shqiptarë. Patrioti, mendje-ndrituri dhe krye-ideologu i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Sami Frashëri, jo vetëm që ishte fetar, por ishte njëri ndër dijetarët më të mëdhenj islamë në Perandorinë Osmane, saqë mbante dhe titullin e nderit “Shemsuddin” (diell-shndritës i fesë). Patrioti, poeti, mbrojtësi e promovuesi i shqipes e i shtetit shqiptar në vend e në botë, Gjergj Fishta, jo vetëm që ishte fetar, por ishte edhe prift.


Veç këtyre, shumica e shpallësve të shtetit shqiptar ishin fetarë e besimtarë të devotshëm (myslimanë e të krishterë), madje dhe hoxhallarë e priftërinj.


Pyetje: Ç’na mëson praktika e vendeve demokratike perëndimore laike në lidhje më këtë temë?


Përgjigje: Megjithëse të gjitha vendet demokratike perëndimore janë laike, pothuajse në të gjitha vendet perëndimore feja mësohet në shkollat publike, diku si mësim mbi fenë e diku si predikim e edukatë fetare; diku si lëndë obligative e diku si lëndë zgjedhore; diku e ligjëruar nga laikët e diku e ligjëruar nga teologët. Prandaj, nisur nga kjo, as shkollat shqipe s’kanë pse të jenë përjashtim.


Pyetje: Në rrafshin praktik, si do të dukej e si do të realizohej kjo, pra mësimi i fesë në shkollat publike?


Përgjigje:

1. Kjo lëndë do duhej të quhej “Studimi Krahasimtar i Feve” dhe vet ky emërtim tregon pothuajse gjithçka rreth përmbajtjes së kësaj lënde. Pra, në kuadër të kësaj lënde do të mësoheshin e studioheshin të gjitha fetë me ndikim në historinë dhe qytetërimin njerëzor, përfshirë Islamin, Krishterimin, Hebraizmin, Hinduizmin, Budizmin, Taoizmin, Konfuçianizmin, Zorathustrizmin, etj., e pse jo edhe idhujtarinë e politeizmin, “fetë lokale” e “fetë/lëvizjet e reja fetare”. Sigurisht Islamit e Krishterimit do të mund t’i kushtohej më shumë hapësirë, meqë janë fetë më të përhapura në botë dhe janë fetë që i përkasin shumica e shqiptarëve.

2. Kjo lëndë do duhej të ishte lëndë obligative e jo zgjedhore për të gjithë nxënësit.

3. Kjo lëndë do të përfshihej që nga klasa e 7-8 deri në klasën e 12 me nga 1 orë në javë.

4. Universitetet shqiptare në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni me burimet e tyre ekzistuese profesionale (filozofë, historianë, teologë, antropologë, etnologë, historianë të artit, sociologë, psikologë, gjuhëtarë, juristë, ekonomistë, etj.) në bashkëpunim edhe me institute ndërkombëtare të specializuara të kësaj fushe do duhej të krijonin një institut të veçantë për studimin e feve (me degë së paku në Tiranë, Prishtinë e Shkup), i cili do të përgatiste formalisht e përmbajtësisht mësimdhënësit që do të ligjëronin lëndën “Studimi Krahasimtar i Feve” në shkollat shqipe. Po ky institucion do të konceptonte dhe përgatiste përmbajtjen, plan-programin dhe literaturën e tekstet shkollore për këtë lëndë.

5. Kjo lëndë nuk do të mund të futej në shkollë pa një përgatitje të mirëfilltë 4-5 vjeçare.


Pyetje: Për fund, a keni të shtoni diçka tjetër?


Përgjigje: Si shumëçka tjetër, edhe feja mund të jetë armë, qoftë si burim paqeje qoftë si burim shkatërrimi, varësisht se si përdoret. Veçse për dallim nga armët tjera konvencionale, për të cilat ekzistojnë rregulla se “si” e “kush” mund t’i posedojë e t’i përdorë, feja është e drejtë e secilës qenie njerëzore, e cila nuk mund t’i ndalohet askujt. Prandaj, meqë arma e quajtur fe është në posedimin e secilit njeri, është kardinalisht e rëndësishme që secili qytetar të mësojë mirë e saktë se si duhet përdorur kjo armë për qëllime të mira e në funksion të paqes. Dhe kjo më së miri bëhet përmes sistemit të edukimit.


Jusuf Thaçi,

Prishtinë, më

14 prill 2016


P.S.:

Rëndësia e fesë për jetën shpirtëroro-emocionale të njeriut dhe ndikimi i fesë në sistemin e moralit të sjelljes njerëzore nuk janë pjesë e këtij debati, prandaj dhe nuk janë përfshirë, megjithëse janë të rëndësishme.






Gjithashtu lexoni


0 komente