64x64
Hakan Shehu
Themelues i Papirusit
20 Maj 2018 · 4 min lexim

Mirë se vini në Papirus

Mirë se vini në Papirus

Një prej shpikjeve më të mëdha të njerëzimit është interneti, i cili e ka ndryshuar mënyrën se si komunikojmë, mësojmë, punojmë, apo edhe si jetojmë. Jemi duke jetuar në epokën e informacionit digjital, në të cilën po prodhohen të dhëna në masa të papara më parë. Sot, është më lehtë se kurrë më parë që të mësojmë diçka të re, të lexojmë një libër në çfarëdo gjuhe, të komunikojmë me ndonjë person në cilindo cep të botës, të shpërndajmë një ide tonën me të gjithë botën apo edhe të përjetojmë udhëtimin në secilin vend të botës nëpërmjet realitetit virtual. Sasia e të dhënave dhe informacioneve në të cilat kemi qasje sot janë enorme dhe mund të themi se jetojmë në një nga kohërat më të mirë të njerëzimit.   


Por, përkundër gjithë këtyre avancimeve digjitale dhe mundësive të shumta të cilat na i ofron interneti, përmbajtja e ueb-it në gjuhën shqipe ka një boshllëk të theksuar. Në këto momente shumica absolute e ueb-it në gjuhën shqipe përbëhet vetëm prej lajmeve(shumica të njëjta) nga portale e shumta. Edhe pse nuk mund të mohojmë faktin se lajmet janë një mjet shumë i rëndësishëm i informimit, është e qartë se ekziston një mungesë e theksuar e një përmbajtjeje të pasur, profesionale dhe origjinale. Na mungon një vend ku çdokush mund të shpreh idetë, mendimet, opinionet, perspektivat apo ngjarjet e tyre personale.  


Papirusi mundohet të zgjidhë këtë problem. Papirusi është një platformë e cila ka për synim të krijojë një komunitet aktiv të shkrimtarëve dhe lexuesve të cilët dëshirojnë të trajtojnë tema të ndryshme të rëndësishme për shoqërinë tonë. Është i hapur për të gjithë, që nga shkrimtarët profesionalë e gjer tek nxënësit kurioz. Papirusi i fton të gjithë të shpërndajnë qoftë ekspertizën e tyre në një fushë të caktuar, qoftë një analizë të tyre mbi një temë të caktuar apo qoftë edhe vetëm një ngjarje të tyre të cilën ja vlen të lexohet nga të tjerët. Është falas për të gjithë, e dizajnuar që të jetë sa më lehtë e përdorshme duke u munduar të eliminojmë të gjitha elementet të cilat mund ta heqin fokusin e lexuesit apo shkrimtarit nga artikulli.


Në Papirus nuk është me rëndësi numri i shikimeve por pikëpamja e artikullit, nuk është me rëndësi kualifikimi profesional i shkrimtarit por kualiteti i artikullit të cilin ai/ajo e paraqet.  Nevoja e një platforme të tillë ka lindur më shumë si pasojë e mungesës së iniciativës, se sa mungesës së shkrimtarëve. Ne jemi të sigurt se ekziston një numër i madh i personave të cilët kanë shumë për të shpërndarë me të tjerët dhe kjo është mundësia e tyre më e mirë. Duke e krijuar një komunitet të përbashkët përfitimet janë të dyanshme. Shkrimtarët do të kenë më të lehtë të gjejnë audiencën e tyre dhe të krijojnë një portofolio të pasur me shkrime të tyre. Në anën tjetër lexuesit do të kenë qasje tek të gjithë shkrimtarët dhe shkrimet e pasura dhe kualitative për çfarëdo teme në të cilën janë të interesuar. Mbi të gjitha, krijimi i një komuniteti mundëson bashkëpunimin, dhe bashkëpunimi është mënyrë më e mirë drejtë zhvillimit të përbashkët si komunitet.  


Nëse jeni këtu për të lexuar mund të filloni të shfletoni në ballinën kryesore e prej aty të gjeni artikuj për të cilët jeni të interesuar. Nëse jeni këtu për të shkruar atëherë ju ftoj të regjistroheni dhe të filloni menjëherë të shkruani artikullin tuaj të parë. Artikujt që ju i shkruani janë pronë e juaja mbi të cilat keni të drejta të plota, ti vendosni kudo tjetër apo edhe ti hiqni nëse e shihni të arsyeshme. Përmes regjistrimit ju mund të ndiqni kategori apo edhe shkrimtarë të ndryshëm për të cilët jeni të interesuar të jeni të përditësuar për përmbajtje të reja.  Bashkohuni me ne, në rrugëtimin tonë drejtë shpërndarjes së njohurive dhe ideve për të gjithë. Bashkohuni me ne drejtë ndryshimit dhe pasurimit të ueb-i shqiptar. 


Faleminderit për vëmendjen tuaj,  


Papirusi 

për një mendje kritike!  



Hakan Shehu
Themelues i Papirusit

Gjithashtu lexoni


1 koment