Dy fjalë të ‘vështira’ dhe me gjasë të panjohura për një pjesë të lexuesve që në titull. Besoj se kjo rrjedh ngaqë tema është më pak e ‘rrahur’. Aksiomatika është sistemi i besimeve të një personi apo një grupi të interesit. Skotoma, ndërkaq, përdoret metaforikisht si zbraztësi në perceptimin, njohjen apo pikëpamjet për botën. Këtë fjalë e përdor Dan Brown te Kodi i Da Vinçit kur shpjegohet se si një figurë njeriu e pikturuar mjeshtërisht mund të shihet si mashkull apo femër varësisht nga pritjet, prirjet apo orientimet e shikuesit.
Tani, si shkakton aksiomatika skotomë? Apo, si shkakton sistemi i besimeve zbraztësi në perceptim, njohje apo pikëpamje për botën? Mund të keni parë në rrjete sociale apo në libra të ndryshëm figura që e ilustrojnë këtë, si:
që duket herë si grua e re e bukur, e herë si plakë e shëmtuar, varësisht se si e shikoni, apo si ndiheni kur e shikoni. Mua më ndodh që kur ia lëshoj sytë në mëngjes ta shoh njërën e pasdite tjetrën.
Apo kjo që mund të jetë më e dukshme:
Tani besoj poenta është më e qartë dhe mund të kalojmë në aplikimin dhe efektet e këtij observimi.
Kur një person e di dhe e kujton se aksiomatika e tij i shkakton skotomë, dhe se aksiomatika e bashkëbiseduesit të vet i shkakton skotomë atij tjetrit, qasja e tij në bisedë qoftë normale, qoftë mbi një konflikt të mundshëm do të jetë shumë më e pjekur. Ai e di që “nuk e dimë se çka nuk dimë” dhe është mendjehapur ndaj pikëpamjes së tjetrit. Stephen Covey në “Shtatë zakonet e njerëzve me efektivitet të lartë” ia kushton një kapitull të tërë dëgjimit të plotë të personit tjetër dhe këshillon që të provojmë ta kuptojmë tjetrin para se të presim të na kuptojnë. Një bisedë me kësi pjekurie i rrit shanset për një mirëkuptim më të thellë dhe një zgjidhje të konfliktit.
Kjo ka aplikim edhe më të gjerë në komunikim ndërmjet grupeve. Partitë kundërshtare kanë aksiomatika që më shumë kundërshtohen se që përputhen. Popuj në konflikt, si shqiptarët e serbët, kanë aksiomatika shumë të kundërta. Nevojitet shumë punë e mund për t’i përafruar ato. Për t’i zgjeruar e thelluar ato. Sepse, e vërteta është relative dhe duket se asnjë person a grup nuk do ta dijë ndonjëherë të vërtetën absolute. Por sa më thellë të futemi në aksiomatika më të mira e më afër të vërtetës absolute, aq më të përafërta do të jenë ato ndërmjet veti. Dhe aq më lehtë do të mirëkuptohemi. Dhe do ta kemi më lehtë ta pranojmë se tjetri është ndryshe, por se mund ta kalojmë mirë edhe përkundër ndryshimeve të vogla.
Ridvan Bunjaku
14.06.2017