Diagrami vijues është i frymëzuar nga mësimet e Eckhart Tolle-s:
Në boshtin horizontal është koha. Në qendër është momenti i tanishëm. Djathtas është e ardhmja, dhe majtas është e shkuara.
Në boshtin vertikal është hapësira. Në qendër është hapësira këtu, vendi i vëzhguesit. Jashtë qendrës është “diku tjetër”. Kjo mund të jetë një dhomë tjetër, zyre tjetër, hapësirë e vogël që mund të shihet me mikroskop apo e madhe që mund të shihet me teleskop, apo çkadoqoftë që mund të imagjinohet.
Le ta eksplorojmë boshtin horizontal, të kohës:
- Nëse shkojmë djathtas, jemi Këtu, por në të ardhmen. Në këtë rast po e projektojmë të ardhmen në këtë vend. Si do të jetë këtuhja pas një kohe.
- Nëse shkojmë majtas, jemi Këtu, por në të shkuarën. Po e imagjinojmë se çka ka ndodhur këtu. Apo çka ka mundur të ndodhë këtu.
Nëse e eksplorojmë boshtin vertikal, të hapësirës, këtu në fakt janë dy zona. Këtu dhe jo-këtu (diku tjetër). Çdo pikë jashtë qendrës është “diku tjetër”. Në këtë rast po e imagjinojmë se çka po ndodh tani, mu në këtë moment, diku tjetër. Qoftë në dhomën tjetër, në një qytet tjetër, në gjithësi, në një objekt të rëndësishëm apo kudoqoftë.
Nëse dalim nga boshti vertikal, i kemi dy zona — e shkuara dhe e ardhmja:
- Diku tjetër (jo këtu) dhe Në të shkuarën: është projektim i një vendi të njohur (që e kemi parë më herët) apo të panjohur (që vetëm mund ta imagjinojmë) – në të shkuarën. Çka ka mundur të ndodhë atje. Apo kujtim i diçkaje që ka ndodhur atje.
- Diku tjetër (jo këtu) dhe Në të ardhmen: po e projektojmë një vend të njohur (që e kemi parë mëherët) apo të panjohur (që vetëm mund ta imagjinojmë) – në të ardhmen. Çka mund të ndodhë atje në të ardhmen? Apo ta planifikojmë se çka duam të ndodhë atje.
Mendja, në kuptimin “hapësinor” mund të mos jetë këtu edhe në mënyra tjera, që nuk janë hapësinore (megjithëse thuhet se njerëzit mendojnë në imazhe, por nuk jam i sigurt a është 100% e kohës kështu).
Gjithsesi, vendi dhe koha e duhur për të QENË është këtu dhe tash. Në pikat tjera të diagramit, nëse shkojmë me vetëdije, mund të kthehemi në të shkuarën dhe të kujtojmë përjetime të këndshme dhe t’i rishijojmë, apo përjetime të pakëndshme dhe ta nxjerrim apo rikujtojmë mësimin e nxjerrë nga to. Mund të shkojmë në të ardhmen për të planifikuar diçka konkrete, apo të bredhim me imagjinatë për qejf. Por gjithmonë këtë e bëjmë në momentin e vetëm real: tani.
Në mënyrë të pavetëdijshme, mendja lëviz rregullisht jashtë pikës Këtu dhe Tash. Fatmirësisht, ne nuk jemi mendja jonë. Jemi vetëdije prapa saj, hapësirë në të cilën lëviz mendja. Prandaj mund ta “marrim kontrollin” e saj gradualisht.
Ridvan Bunjaku
shtator 2018