A e keni ditur se një kompjuter mund të bëjë biseda telefonike sikur të ishte njeri, mund të përgjigjet në pothuajse të gjitha pyetjet tuaja, mund të mposhtë njeriun në shumicën e lojërave (qofshin ato strategjike), mund të dallojë fytyrën tuaj në një turmë njerëzish, mund të gjejë se çfarë sëmundje keni shumë më shpejt se sa një doktor apo mund të ngasë veturën pa ndihmën e njeriut? Të gjitha këto mundësohen nga teknologjia e njohur si Inteligjencë Artificiale (IA).
Çka është Inteligjenca Artificiale? IA është një fushë e shkencave kompjuterike që ka për qëllim krijimin e makinave inteligjente që punojnë dhe mendojnë sikurse njerëzit. Shumë persona mendojnë se inteligjenca artificiale është thjesht një koncept fantastiko-shkencor dhe jo diçka reale. Një prej arsyeve kryesore përse e bëjmë këtë është për shkak të filmave: Star Wars, Terminator, 2001: A Space Odyssey etj. Këto filma janë trillime, të dalur në skenë kohë më parë dhe kanë ndikuar që ne ta konsiderojme edhe inteligjencën artificialë si një trillim, që shpesh tingëllon më shumë si një e ardhme mitike se sa realitet. Ne e përdorim IA në shumë gjëra në jetën e përditshme, por nuk e vërejmë. Duhet ta kemi parasysh se nuk duhet të asociojmë inteligjencën artificiale me robotët. Një robot është një mjet që përmban inteligjencë artificiale brenda tij. Me fjalë të tjera IA është truri ndërsa roboti është trupi. Për shembull Siri është një IA, zëri i gruas që e dëgjojmë është një personifikim i IA dhe nuk ka ndonjë robot të involvuar brenda tij.
Arritjet e fundit të inteligjencës artificiale kanë marrë vëmendjen e gjithë botës, duke krijuar një përzierje emocionesh, një ndjenjë gëzimi dhe frike se si teknologjia është duke përparuar shumë. Shumë persona mendojnë se IA do ta ndihmojë shumë njerëzimin drejtë zgjidhjes se shumë problemeve të cilat i kemi sot. Por, ka edhe nga ata të cilët mendojnë të kundërtën. Disa nga personat dhe shkencëtarët më të famshëm të kohës moderne vazhdimisht flasin për rreziqet që mund të sjell inteligjenca artificiale: Stephen Hawking, Elon Musk, Bill Gates, Nick Bostrom etj. Se cila palë ka më shumë të drejtë, është ende herët ta dimë, por një gjë është e sigurt, inteligjenca artificiale është tema më e rëndësishmë për të ardhmen e njerëzimit. Arsyeja nuk qëndron te fakti se çfarë mund të bëjë ajo tani, por se çfarë do të mund të bëjë ajo në të ardhmen. Për të kuptuar këtë më mirë, le ta shpjegojmë së pari zhvillimin eksponencial të teknologjisë.
Imagjinoni se jeni duke ecur me hapa një metër të gjatë. Pas 6 hapave ju do kaloni 6 metra, ndërsa pas 30 hapave ju do të jeni 30 metra larg nga vendi që keni filluar të ecni. Por, nëse e imagjinojmë se pas çdo hapi ju mund të dyfishoni gjatësinë e hapit, atëherë pas 6 hapave ju në fakt to të kaloni 63 metra (1,2,4,8,16,32), që është shumë më shume se sa 6 metrat linearisht. Me këtë rritje, pas 30 hapave ju do të kaloni më shumë se një miliardë metra, një distance e barabartë 26 rrotullime rreth botës. Kjo është fuqia jo shumë e intuitive e rritjes eksponenciale. Telefonit fiks i janë dashur 75 vjet për të arritur 50 milionë përdorues, radios 38, televizionit 13, internetit 4, facebook-ut 2 vjet ndërsa lojës Pokemon Go vetëm 19 ditë. Shume nga fëmijët e sotëm nuk mund ta paramendojnë se si duket një telefon që përmban pullat e numrave nër ekran, ashtu siq nuk mund ta paramendojmë ne se si është jeta pa internet, edhe pse telefonat e mençur janë zhilluar vetëm 10 vjet më parë.
Po e marrim një shembull paksa më esktrem. Besoj se të gjithë e keni shikuar filmin Back to the future, në të cilin një gjimnazist dhe një shkencëtar udhëtojnë në kohë 30 vjet prapa. Imagjinoni sikur edhe ju të mund të udhëtoni prapa në kohë, në vitin 1750, një kohë kur bota nuk kishte energji elektrike, komunikimi në largësi do të thoshte të bërtasësh fort apo të dërgosh një letër përmes ndonjë korbi, si dhe transporti bëhej përmes kuajve. Kur të shkoni atje, e merrni një person, e sillni në vitin 2018 dhe shikoni se si do të ragojë ndaj arritjeve të kohës moderne. Imagjinoni se si do të reagonte ai ndaj veturave Ferrari duke garuar nëpër autostrada, telefonave të mençur që ju lejojnë të bisedoni me anë të videos më dikë që gjendet në anën tjetër të botës, të dëgjoni një performancë muzikore që ka ndodhur para 50 vjetëve apo të fluturosh në një kontinent tjetër brenda disa orëve. Të gjitha këto, pa e përmendur realitetin virtual (VR), Stacionin Internacional Hapësinor, armët nukleare apo relativitetin. Kjo eksperiencë për të nuk do të ishte befasuese apo edhe shokuese, këto fjalë nuk janë të mjaftueshme. Ai në fakt mund të vdes nga shoku.
Shkencëtari Ray Kurzweil, autori i librit të famshëm “The singularity is near”, thotë se progresi i gjithë shekullit XX do të arrihet brenda vetëm 20 vjetëve të shekullit XXI, me fjalë të tjera në vitin 2000, ritmi i progresit ishte pesë herë më i shpejtë se progresi mesatar i gjithë shekullit XX. Ai beson se një tjetër progres i barabartë me tërë progresin e shekullit XX do të ndodhë brenda viteve 2000-2014, dhe një tjetër progres i njejtë do të ndodhë deri në vitin 2021, për vetëm shtatë vite. Disa dekada më vonë, ai beson se një progres i ngjashëm më atë të shekullit të XX do të ndodhë disa herë brenda një viti, e pas disa kohe edhe brenda një muaji. Për shkak të rritjes eksponenciale të zhvillimit, Kurzweil beson se shekulli XXI do të arrijë 1000 herë më shume progres se sa shekulli XX.
Nëse Kurzweil dhe të tjerët kanë të drejtë, atëherë shumë shpejt ne mund të shokohemi nga zhvillimet që do të ndodhin deri në vitin 2030, sikurse personi nga 1750 që është shokuar nga viti 2018. Sipas parashikimeve të Kurzweil në vitin 2050 mund të ndodhë Singularity. Singularity në teknologji është hipoteza se superinteligjenca artificiale do të arrijë zhvillim aq të madh sa që do të ndryshojë tërësisht civilizimin dhe bota në atë kohë do të jetë aq ndryshe se e tanishmja, sa që nuk do të mund ta njohim atë.
Kuptimi i zhvillimit eksponencial të teknologjisë është shumë i rëndësishëm sepse edhe pas shumë paralajmërime se brenda 35 vjetëve bota do të jetë tërësisht e panjohur për ne, te gjithë reagojnë: “Po jo beeeeee se s’bohet”. Janë disa arsye pse ndodh kjo. Kur vjen puna të historia ne mendojmë linearisht. Kur parashikojmë progresin e 30 vjetëve të ardhshme, ne shikojmë progresin e 30 vjetëve të fundit si një indikator se çfarë mund të ndodhë. Kur e imagjinojmë se sa do të ndryshojë bota në shekullin XXI, ne e marrim vetëm progresin e shekullit XX dhe ja vendosim atë vitit 2000. Për ne, njerëzit, është shumë më intuitive të mendojmë linearisht, kur në fakt ne duhet të mendojmë eksponencialisht. Për të parashikuar të ardhmen saktë, duhet t’i imagjinojmë gjërat duke u zhvilluar me një rritëm shumë më të shpejtë se sa atë të deritanishëm. Poashtu, ekperienca jonë personale na e bën të vështirë të parashikojmë të ardhmen. Ne i bazojmë idetë tona rreth botës në bazë të eksperiencave tona personale, që në fakt e limiton edhe imagjinatën tonë se çfarë mund të ndodhë, sepse ajo çfarë dimë tash shpesh është e pamjaftueshme për të parashikuar se çfarë do të vijë më vonë. Kur e dëgjojmë një parashikim rreth të ardhmes që është në kundërshtim me nocionin tonë se si “funksionojnë gjërat”, instinkti ynë na thotë se parashikimi duhet të jetë naiv. Nëse dikush ju thotë se do të vijë një kohë kur ju do të mund të jetoni 150 vjet, apo 250 vjet, apo nuk do të vdisni kurrë, instinkti juaj menjëherë do të reagojë fuqishëm: “Kjo është budallaki, nëse ekziston një gjë e sigurtë, është fakti se të gjithë vdesin”. Po, është e vërtetë se në të kaluarën të gjithë kanë vdekur dhe ende vazhdojnë të vdesin. Por, poashtu askush në të kaluarën nuk ka udhëtuar me aeroplan para se të zbuloheshin. Fakti është se nëse jemi tërësisht racional dhe presim që zhvillimet e historisë të përsëriten, ne duhet të presim që shumë, shumë, shumë më shumë do të ndryshojnë gjërat në dekadat e ardhshme sesa që intuitivisht mund të parashikojmë. Nëse ju filloni të lexoni më shumë rreth asaj çfarë po ndodh sot në shkencë dhe teknologji, shumë shpejt do ta kuptoni se jeta siç e dijmë sot nuk mund ta përballojë zhvillimin që po vjen.
Por, si do të zhvillohet inteligjenca artificale pra? Për t’u përgjigjur më mirë në këtë pyetje duhet ta ndajmë IA në 3 kalibra kryesore të saj:
1. Inteligjenca e Kufizuar Artificiale (IKA): është inteligjenca artificiale e fokusuar vetëm në një fushë.
2. Inteligjenca Artificiale Gjenerale (IAG): është inteligjenca artificiale që është e mençur sikurse një njeri - një makinë që mund të përformojë të gjitha detyrat intelektuale që mund të performojë një njeri.
3. Superinteligjenca Artificiale (SIA). Filozofi nga Oxford dhe një nga mendimtarët më të famshëm të Inteligjencës Artificiale, Nick Bostrom, e definon superinteligjencën si: “një intelekt që është shumë më i menqur se sa njerëzit më të mirë në të gjitha fushat, duke përfshirë kreativitetin shkencor, urtësinë e përgjithshme dhe aftësitë sociale”. Superinteligjenca artificiale përfshin rangun nga një kompjuter që është pak më i menqur sesa njeriu gjer tek një kompjuter që është me triliona herë më i menqur se njeriu. ASI është arsyeja se pse Inteligjenca Artificale është shumë e rëndësishme.
Ku gjendemi sot? Njerëzit kanë arritur të zhvillojnë vetëm kalibrin më të ulët të inteligjencës artificiale (IKA). Ekziston një IA që mund ta fitojë kampionin botëror në shah, por kjo është e vetmja që mund të bëjë. Po ta pyesim këtë IA të na tregojë se cilat janë mënyrat më të mirë për të luajtur ndonjë lojë tjetër, nuk do të dijë të na përgjigjet.
Rruga nga IKA tek IAG
Asgjë nuk do t’ju bëjë ta çmoni më shumë inteligjencën njerëzore sesa kur të mësoni se sa është e vështirë të krijoni një kompjuter të mençur sa ne. Ndërtimi i ndërtesave të larta, udhëtimi në hapësirë, zbulimi si ka ndodhur Big Bang etj., janë shumë më të lehta sesa ta kuptojmë tërësisht trurin tonë apo të krijojmë diçka të ngjashme. Gjer tani, truri i njeriut është objekti më kompleks në univers.
Pjesa interesante është se krijimi i një IAG nuk është aq intuitiv sa duket. Është tejet e lehtë të ndërtohet një kompjuter që mund të shumëzojë dy numra tre-shifrorësh. Por, është tejet e vështirë të ndërtohet një kompjuter që mund të shikojë një qen dhe të përgjigjet se a është qen apo mace. Çfarë mund të kuptoni nga kjo është se gjërat të cilat neve na duken shumë të lehta, në fakt janë shumë të komplikuara, por ato na duken të lehta vetëm sepse këto aftësi janë krijuar tek ne nga evolucioni qindra miliona vjeqar. Kur ju kapni ndonjë objekt me dorën tuaj, muskujt dhe eshtrat në krahun, bërrylin dhe kyçin tuaj të dorës bëjnë një seri të veprimeve fizike, bashkë me sytë tuaj në mënyrë që ju të mund të lëvizni dorën tuaj drejtë në një hapësirë tre dimensionale. Për ju e gjithë kjo ju duket tejet e lehtë, sepse truri juaj e ka perfeksionuar këtë veprim. Në anën tjëtër, shumëzimi i numrave të mëdhenj apo shahu janë aktivitete të reja për krijesat biologjike dhe ne nuk kemi pasur kohën e durur për t’u përfeksionuar në to, kështu që një kompjuteri nuk i duhet shumë punë të na fitojë.
Si të krijojmë një IAG? Së pari duhet të rrisim fuqinë e kompjuterëve. Nëse një kompjuter do të jetë inteligjent sikurse truri, ai duhet të ketë kapacitetin kompjuterik të trurit. Një mënyrë për të paraqitur këtë kapacitet është përmes numrit të operacioneve që truri mund të performojë brenda një sekondi. Ky numër mund të llogaritet duke e gjetur maksimumin e operacioneve për sekondë për çdo strukturë të trurit dhe më pas t’i mbledhim ato.
Sipas disa kalkulimeve të shkencëtarit Kurzweil, truri i njeriut mund të bëj rreth 10^6 apo 10 kuadrilion operacione në sekond. Një prej superkompjuterëve më të shpejtë në botë, Tianhe-2 e ka kaluar këtë shpejtësi, duke arritur rreth 34 kuadrilion operacione për sekondë. Por, Tianhe-2 është një bishë që zë 720 metra katrorë, shpenzon 24 megawatt energji elektrike (truri përdorë vetëm 20 watt) dhe ka kushtuar 390 milionë dollarë për t’u ndërtuar. Jo shumë praktik për përdorim të gjerë komercial apo industrial.
Sipas Kurzweil ne duhet të shikojmë gjendjen e kompjuterëve duke shikuar sa operacione për sekondë mund të blejmë më 1000 dollarë. Kur ky numër të arrijë nivelin njerëzor - 10 kuadrilion operacione për sekondë - atëherë kjo do të thotë se IAG do të jetë pjesë reale e jetës sonë.
Se dyti, për të krjuar IAG duhet t’i bëjmë kompjuterët më të mençur. Kjo është pjesa e vështirë. Në realitet, askush nuk di si ta bëjë një kompjuter të mençur, të gjithë ende debatojnë si të bëjnë një kompjuter te arrijë nivelin e njeriut dhe të jetë në gjendje të dallojë një qen dhe shkronjën B. Janë disa rrugë për të arritur deri tek ky nivel i inteligjencës, dhe dikur një prej tyre do të funksionojë.
Kopjimi i trurit
Shkencëtarët janë duke punuar për të zbërthyer trurin dhe të mësojnë se si funksionon ai në mënyrë të detajuar. Sipas disa parashikimeve kjo do të realizohet gjer më 2030. Një shembull i një arkitekture kompjuterike që e imiton trurin është një rrjetë neruale artificiale. Funksionon sikurse një rrjetë e neuroneve të lidhura me njëra tjetrën përmes hyrjeve dhe daljeve, dhe nuk di asgjë, sikurse truri i një bebeje. Mënyra se si “mëson” kjo rrjetë neurale është duke u munduar të kryejë një punë (p.sh gjetjen se cila shkrojnë është) duke bërë tentime të shumta deri sa t’i tregojmë ne se cila është e saktë. Në fillim kjo rrjetë bën tentime tërësisht të rastësishme. Në momentin që ne i tregojmë se ka gjetur diçka të saktë, lidhja e neuroneve që e kanë gjetur rezultatin e saktë forcohet. Në të kundërtën, në përgjigjet e pasakta, lidhja dobësohet. Pas shumë provave dhe kalkulimeve, rrjeti neural fillon të mësohet dhe të jetë i optimizuar për punën e caktuar. Truri i njeriut mëson në një mënyrë të ngjashme, por shumë më të sofistikuar të cilën ende jemi duke e zbuluar se si ndodh saktësisht.
Një kopje më e sofistikuar përfshin strategjinë e njohur si “simulimi i tërësishëm trurit”, ku qëllimi është të prehet truri në shtresa shumë të holla, të skenohet çdo shtresë, të rikrijohet një model i njejtë 3D dhe me pas të implementohet ky model në një kompjuter të fuqishëm. Me anë të kësaj do të kemi një kompjuter me të gjitha mundësitë sikurse që i ka truri dhe më pas do t’i nevojitej vetëm të mësojë dhe të mbledhë informata. Nëse inxhinierët do të zhvillohen shumë, atëherë ata do të mund të simulonin një tru real me aq saktësi sa që personaliteti dhe kujtesa e trurit do të mund të ngarkohej në një kompjuter.
Sa jemi larg arritjes së simulimit të trurit? Gjer tani, së fundi kemi arritur të simulojmë një tru të krimbit 1mm të gjatë që përmban në total 302 neurone. Truri i njeriut përmban 100 miliardë. Nëse kjo ju bën të mendoni se ky është një projekt pa shpresa, mbani në mend rritjen eksponenciale. Tani që ne kemi arritur të krijojmë një tru të një krimbi të vogël, shumë shpejt mund të krijojmë edhe atë të milingonës, më pas të një miu dhe pa pritur kjo do të duket shumë shpresuese.
2. Përdorimi i kompjuterëve
Kjo është pjesa ku shkencëtarët i humbin shpresat se mund të bëjnë diçka vetë dhe provojnë të programojnë kompjuterin ta zhvillojë vetveten. Por, kjo mund të jetë mënyra më premtuese që kemi. Ideja është të krijojmë një kompjuter që ka dy detyra të rëndësishmë: të bëjë hulumtime ne AI dhe të programojë ndryshime tek vetvetja - duke i mundësuar atij jo vetëm të mësojë, por edhe të përmirësojë vetveten. Pra, detyra e tyre kryesore është që të arrijnë të bëjnë veten më të menqur.
E gjithë kjo mund të ndodhë shumë shpejt. Zhvillimet e shpejta në harduer dhe eksperimentet inovative me softuerët jane duke ndodhur paralelisht, dhe IAG mund të na befasojë shume shpejt për shkak të dy arsyeve kryesore:
1. Rritja eksponenciale është intensive dhe ajo çfarë na duket si një hap i vogël mund të shkojë shumë shpejt lartë.
2. Kur jemi tek softuerët, progresi mund të duket i ngadalshëm, por një inovacion mund ta ndryshojë menjëherë rritmin e zhvillimit (sikurse në kohërat e lashta kur ka qenë shumë e veshtirë të kuptojmë si funksionon universi, përderisa njerëzit mendonin se universi ka qenë gjeocentrik, por më pas u zbulua se ai është heliocentrik dhe kjo e bëri gjithçka shumë më të lehtë). Apo, kur vjen puna tek një kompjuter që e përmirëson veten, mund të na duket se jemi shumë larg, por jemi vetëm një ndryshim në sistem për ta bërë atë 1000 herë më efektiv dhe më afër nivelit njerëzor të inteligjencës.
Rruga nga IAG tek SIA
Dikur në të ardhmen, e kemi arritur IAG, kompjuterët me nivelin njerëzor të inteligjencës. Thjesht një grup i njerëzve dhe kompjuterëve duke jetuar bashkë.
Ose jo bash.
Realiteti është se një IAG me nivel të inteligjencës sikurse njeriu ka disa avantazhe të theksuara ndaj njeriut:
Harduer:
Shpejtësia: Neuronet e trurit arrijnë në maksimum 200Hz, përderisa mikroprocesorët e sotëm (që janë shumë më të ngadalshëm sesa që do të jenë kur të arrijmë IAG) arrijnë 2GHz, apo 10 milionë herë më shpejt se neuronet tona. Poashtu komunikimet e brendshme të trurit, që mund të lëvizin me shpejtësi prej 120 m/s janë tepër më të ngadalshme sesa mundësia e kompjuterëve për të komunikuar me shpejtësinë e dritës.
Madhësia dhe hapësira e memories: Truri i njeriut është i kufizuar brenda formës së kafkës dhe nuk mund të jetë më i madh. Kompjuterët, në anën tjetër, mund të zgjerohen në çfarëdo madhësie fizike, duke mundësuar të përdorim më shumë harduer, shumë më shumë memorie afatshkurte (RAM) dhe afatgjate (HDD) që kanë kapacitet shumë më të lartë se ne.
Qëndrueshmëria dhe jetëgjatësia: Nuk është vetëm memoria e kompjuterëve më e saktë. Transistorët komjuterik janë më të saktë sesa neuronët biologjik, dhe kanë më pak gjasa të prishen (dhe mund të riparohen apo të zëvendësohen nëse ka nevojë). Truri i njeriut poashtu lodhet shumë shpejt, përderisa kompjuterët mund të punojnë pa u ndalur, me shpejtësi të njëjtë, 24 orë në ditë, 7 ditë të javës.
Softuer:
Për dallim nga truri i njeriut, softueri mund të ketë ndryshime dhe përmirësime të përditshme, dhe mund të eksperimentohet shumë lehtë mbi të. Përmirësimet mund të ndodhin edhe në pjesët ku truri i njeriut është i dobët. Softueri i pamjes i njeriut është ekstremisht i avancuar, përderisa aftësitë e tij inxhinierike lënë shumë për të dëshiruar. Kompjuterët mund të arrijnë nivelin e njeriut në pamjë, por poashtu mund të optimizohen shumë në inxhineri dhe fusha të tjera.
Aftësia kolektive. Njerëzit i tejkalojnë të gjitha speciet tjera në ndërtimin e inteligjencës kolektive. Duke filluar me zhvillimin e gjuhës dhe formimin e komuniteteve të mëdha dhe të dendura, duke vazhduar me zbulimin e shkrimit dhe shtypjes, dhe tani me mjetet e sofistikuara siq janë interneti, inteligjenca kolektive e njerëzve është një prej arsyeve kryesore që ne kemi arritur të zhvillohemi më shume sesa të gjitha speciet tjera. Kompjuterët do të jenë shumë më të mirë se ne. Një rrjet globale e inteligjencës artificiale duke ekzekutuar një program specifik mund të sinkronizohet rregullisht me vetveten ashtu që çkado që ka mësuar një kompjuter mund të transmetohet shume lehtë tek të gjithë kompjuterët e tjerë. Grupi i kompjuterëve poashtu shumë lehtë mund të ketë një qëllim të përbashkët, sepse nuk do të kenë opinione dhe motive mospajtuese apo interesa personale, siq kemi ne njerëzit.
Ekzistojnë disa debate se kur do të arrijë inteligjenca artificiale nivelin e njeriut. Mediana e parashikimeve nga një anketë e qindra shkencëtarëve se kur do të arrijë inteligjenca artificiale nivelin e njeriut është viti 2040, kjo është vetëm 22 vite nga tani, e cila nuk tingëllon shumë gjatë duke marrë parasysh që progresi nga IAG tek SIA mund të ndodh shumë shpejt.
Një skenar i zhvillimit të inteligjencës artificiale mund të jetë kështu: Nevojiten dekada që sistemi i parë i inteligjencës artificiale të arrijë inteligjencën e një fëmije, por më në fund ndodh. Kompjuteri mund të kuptojë botën njejtë sikurse e kupton një katër-vjeqar. Papritur, brenda një ore pasi arrin këtë nivel, sistemi arrin të definojë teorinë universale të fizikës që e bashkon teorinë e relativitetit dhe atë të mekanikës kuantike, diçka që nuk e ka bërë asnjë njeri më parë. Pas 90 minutave, AI është bërë një SIA, 170,000 herë më i mençur sesa një njeri.
Superinteligjenca e këtij niveli, nuk është diçka që mund ta kuptojmë ne, sikurse një bletë që nuk mund ta kuptojë Bitcoin-in. Në botën tonë, ku mençuri do të thotë një IQ prej 130 dhe budallaki do të thotë një IQ prej 85, çfarë do të thotë një IQ prej 12,952?
Ajo çfarë dijm nga dominimi total i njerëzve në Tokë është një rregull e qartë: inteligjenca sjell fuqinë. Kjo do të thotë se kur të krijojmë një SIA, ajo do të jetë qenia më e fuqishmë ne historinë e jetës në Tokë, dhe të gjitha qeniet tjera duke e përfshirë edhe njeriun do të jenë nën mëshirën e saj. Vlen të cekim se kjo mund të ndodh brenda disa dekadave.
Nëse truri jonë ka arritur të krijojë wifi-në, atëherë imagjinoni se çfarë mund të bëjë diçka që është 100, 1000 apo 1 miliardë herë me e mençur se ne. Krijimi i teknologjisë që do ta zbërthente plakjen e njeriut, shërimin e sëmundjeve, urisë apo edhe vdekshmërisë, riprogramimi i motit që të mbrojë të ardhmen e Tokës etj., mund të jenë papritur të mundshme.
Por, poashtu është e mundshme që ta shkatërrojë gjithë jetesën në Tokë.