64x64
Hysni Mehani
10 Korrik 2018 · 4 min lexim

GJENERALË TË USHTRISË SË VJEDHUR

GJENERALË TË USHTRISË SË VJEDHUR

Qitu kam me rrnue. 

Qitu bashkë me juve. 

Qitu ku nuk ka ushtri e ka plot gjeneralë.

Du me rrnue në këtë qytet që nuk e ka asnjë fabrikë, por që i ka disa milionerë/gjeneralë.

Qitu ku nuk ka asnjë kompani të huaj.

Qitu du me rrnue. 

Po thonë që të huajt nuk kanë çka me lypë këtu. 

Na i ndihmojna tonit me ba biznes.

Na e mbrojna tonin.

Na s'e ndërrojna tonin. 

Na s'e lajna të huajin me na hy në qytet.

Po thonë.


Du me rrnue qitu, bashkë me gjeneralët e ushtrisë së vjedhur. 

Qitu ku nuk i mundësohet me operu "Ipko-së" e as "Kujtesës" sepse këto shërbime i marrim nga vëllau i një gjenerali. 

S'kanë çka me lypë të huajit këtu. 

Ai ka luftue. 

Ai na e ka sjell lirinë. 

Na i kemi borç atij. 

Po thonë. 


E unë?!

Unë, s'po di kush është i joni e kush është i huaji, tashmë!

E megjithatë, qitu du me rrnue, qitu, bashkë me gjeneralët e ushtrisë së vjedhur. 

Qitu ku gjeneralët i hanë 70 mijë euro dreka e darka, e spitalet i lajnë pa ilaçe.

Qitu ku asfallti është e vetmja gja që dinë me e ba. 

E, edhe ata që na e shtron asfalltin e zgjedhin tonin (të tyrin).

Na i han disa centimetra po s'ka gajle! 

I joni është. 

Ma mirë i joni se sa i huaji. 

Paret nuk po shkojnë tek i huaji. 

Ma mirë një dreq i joni se sa një melaqe e huaj.

Po thonë.


Në realitet, ne as që jemi në dijeni se kush qeverisë me këtë qytet! 

Me rëndësi që ata e dinë. 

Na nuk kemi nevojë me e njoftë e as me e ditë. Ai është me siguri i joni.

Ata nuk e lajnë të huajin me na hy në qytet.

Të jeni të sigurtë, s'e lajnë kurrë për ket dynja. Me siguri me fjalën i joni e kanë fjalën për klubin e dreqërve të tyre, që kinse na mbrojnë nga melaqet e huaja.

Po thonë.


E prapë, prapë qitu du me rrnue, qitu ku biznes mundesh me ba derisa ta kuptojnë gjeneralët e ushtrisë së vjedhur se ai biznes është fitimprurës. 

Du me rrnu qitu, ku gjeneralët po luftojnë fyta-fyt se cili nga ta ka me e ba ndertesën ma të madhe. 

Derisa dëshmorit nuk i dihet as emri te varri.

E gjeneralët po shtyhen se cili nga ta do ta çojë stafetën e turpit ma lartë. 

E ku dojnë me e çu atë stafetë se?! 

Ooohh mjerim, zgjodhen sheshin "Adem Jashari" për ta na e përplasur turpin e tyre në krenarinë tonë.

Ooooo prapë, qitu kam me rrnue, bashkë me gjeneralët e ushtrisë së vjedhur.

Qitu kam me rrnue, çdo ditë të jetës time.

Qitu kanë me më pa: në rrugë, në spital, në çajtore, në biblotekë, në livadhe e tek varret.

Ata munden edhe me i shti thojtë në fyt, e unë veç gishtin të syni du me ua çua, në mujsha me ua çelë sytë! 

Nashta e kuptojnë që nuk kanë luftu me na vjedhë neve. 

Nashta ju kujtohet që nuk kanë luftu veç ata. Nashta ju kujtohet që nëse na e kanë fitu luftën, nuk bon me na e vjedhë paqen.

Nashta ju kojtohet që shokët e tyre që u vranë në luftë, ishin familjarët tanë. 

E nëse s'mundem me ua çue gishtin tek syni, tregonju që s'kam dashtë me i qorrue.

Edhe ashtu ata janë të qorruem, por kam dashtë me i ndihmu nga kjo andërr e keqe, shuuuumëë e keqe me u zgjue.



Gjithashtu lexoni


0 komente