64x64
Sovran Hoti
Mysafir i paftuar në zemrën e secilit!
19 Tetor 2018 · 5 min lexim

Flas me Veten

Flas me Veten

Ka ditë kur ndihem fundërrinë, një tepricë e kësaj bote, një frymë e panevojshme në këtë botë që është e stërmbushur me shpirtra.

Kjo është njëra nga ato ditë. Askush nuk troket në derën time, pos paragjykimeve, dhe e kaluara që vijnë të kërkojnë llogari!

 

Llogari që në fakt un` duhet t'ju kërkoj atyre, t’i torturoj se kurrë nuk m’u hoqën prej jake. Gjithmonë i pata pas. Unë ika prej tyre, e ndoshta ajo është pse m'ndjekin edhe më shumë, po s'ka zgjidhje tjetër. Ëndrrat` e parealizuara ecin poshtë e lartë në dhomë, ecin me shqetësim... si të dalin prej këtu ta realizojnë qëllimin e tyre? Po si të dalin? Tek dera janë e kaluara, dhe paragjykimet të gatshëm t’i vrasin. Dështimi është avulli në dritaren time, nuk më lër ta shoh suksesin e as qetësinë. Ndërsa muret e dhomës janë krenaria ime, rezistenca ime më e madhe, e pllafoni mbi mua është shpresa... e ajo do t'vdes e fundit. Shpresoj që t'mos vdes, t'mos m’rrënohet ajo çka kam punuar, dhe planifikimet e mia për të ardhmen mos t’jenë thjeshtë ëndrra. Po shpresa dhe krenaria s'mund t'më mbrojnë nga ai armik që ësht` brenda, mendja ime!

 

Dyshimi më kaplon, më ulë n’gjunjë... dhe s'më lejon të ngritem. M'ka bërë viktimë të së kaluarës, e peng të së ardhmes, un nuk e di të tashmen... apo ndoshta unë e kam bërë veten peng e viktimë të tyre? A do t'mbërrijë ndonjëherë? Që ta bëj atë të ardhme... të tashmen time? E e kaluara e tanishme t'jetë edhe më e kaluar, e zëvendësuar nga një e kaluar tjetër me lumturi, dhe tjetër, dhe tjetër, e tjetër? Sa një ditë më në fund... të zhduket plotësisht? Ku i dihet? Unë tanimë asgjë nuk di!

 

Emocionet e ndjenjat e mia m'vihen kundër si armë të pendimeve për gjitha ato hapa që kisha frikë t'i bëj, e m'çarmatosin, m'fusin n’pikëllim... ohhh sa e vështirë kjo jetë, apo unë jam i vështirë për jetën? Prapë mendja ime lufton kundër meje, t'jem i qetë e i lumtur!

 

"Po ajo vajza që t'shkruan pa ndal, pse s'i përgjigjesh?"

 

"Ah... pse ti përgjigjem? Ta zhys edhe atë në këtë humnerë që jam unë?"

 

"Ndoshta jo, ajo mund t'jetë që mund të t'nxjerrë nga këtu..."

 

"Ishte vetëm një që ka mund, dhe ajo ishte arsyeja në vend të parë pse unë përfundova këtu."

 

"Po jepi një shans vetes, fol me të."

 

"Nuk ja vlen... kam provuar, kot. Asnjëra nuk arrin të t’mposht`, mendje e fëlliqur."

 

"Ke të drejtë. Ose ndoshta ti e pëlqen mjerimin?"

 

"Çka? Si guxon? Pse unë desha t'jem këtu?"

 

"Jo, ndoshta në fillim jo. Por nuk je duke bërë asgjë që t'dalësh nga këtu."

 

"Ik, më lër të qetë."

 

"Ja pikërisht kjo, ti s'do të ndryshosh."

 

"Pse? Pse të ndryshoj? Përsëri që t'zhgënjehem, e t'përfundoj këtu? Ose edhe më keq? Kam qenë aq kohë t’gjatë, e jam i vetëm, ndoshta është më mirë ësht` t'qëndroj kështu."

 

"The që vetëm një ka mund, dhe ajo ishte arsyeja e parë pse ti përfundove këtu. Apo ishte? Ti e fute veten këtu pasi ajo të tha jo..." Në këtë 'HUMNERË.'"

 

"E ç'të bëja? Ta fus veten këtu ishte e vetmja mënyrë për ta shpëtuar veten, ose ndryshe do ishte..."

 

"Do ishte plumbi në kokë nga dora jote, edhe këtë frigohesh t'a thuash."

 

"Ç'është plumbi ore? Unë kam vdekur brenda."

 

"Nuk është domosdo të përfundojë ashtu, kjo derë nuk po rri e mbyllur sepse ta kanë mbyllur... kjo derë që ti pretendon se s'mund`  t’dalësh, ti ja ke mbyllur vetes... gjithçka që duhet të bësh, është të çohesh, dhe ta hapësh e t'dalësh... ta jetosh jetën. Hape, dhe dil. Mjaft më!"

 

Shikoj derën me dëshirën më të madhe që ta hap, të dal, të filloj një jetë të re, të shijoj dashurinë përsëri, ta takoj atë mik që më thirr` gjithmonë për kafe, të shëtis si alpinist i mëparshëm që isha... dhe pastaj më kaplon dyshimi, dështimi, paragjykimi, dhe mendja ime fëlliqur që pjesa tjetër e saj ka të drejtë... nuk dëshiroj ta hap derën më!

 

I mbyll sytë, dhe kthehem në anën tjetër, kthehem, dhe kërkoj ndihmën e atij që më fsheh nga të gjjthë për një kohë, qoftë edhe e shkurtër, mendja e arsyes më braktis... unë strehohem tek gjumi!

 

Ndoshta do vijë një ditë, ku unë do çohem, si t'mos ishte asgjë, do hap derën... dhe do filloj ta provoj përsëri!

 

Sovran Hoti.


Sovran Hoti
Mysafir i paftuar në zemrën e secilit!

Gjithashtu lexoni


0 komente