N'guxofsh, mbathi këpucët e mia!
Cilat të duash! Mbathi takat e zeza e vrapo maratonës së pengesave pa u rrëzuar!
Mbathi pra, n'mundsh t'ia dalësh buzagaz, t'i fal!
N'guxofsh, mbathi këpucët e mia!
Çizmet e thella, të gjata mbi gju.
Nisu udhëve të harresës pa asnjë peng në zemër,
Me shpinën e rënduar prej thasëve t'paragjykimit.
Mbathi pra, n'mundsh t'ia dalësh pa u lagur thellësive të zemëprishurve pa e prishur tandën zemër, t'i fal!
Do i mbathje me dëshirë takat e kuqe? Ato me majë që trokasin andrrave lakuriqe... n'guxofsh, mbathi, zhveshur si ditën e parë të krijimit dhe në vend numëro!
Shtriqu si mace që kërkon ledhatim dhe merr shqelmin si shpërblim!
Mbaje kryet lart, se askush, askund, s'vlen veshun aq sa shpirti yt, aq sa ti shpirt, lakuriq!
Flu Mus
Tetor 2024
Prishtinë
CEO - Ndjenje n'Kornize *Juriste e diplomuar BA/MA; Autore e "Na dy", "Pertej Lajthitjes", "Andje"; Perkthyese Freelance ALB/MNE/ENG.