64x64
Sovran Hoti
Mysafir i paftuar në zemrën e secilit!
15 Tetor 2018 · 6 min lexim

E pamëshirshme si Jeta!

E pamëshirshme si Jeta!

Je aq hakmarrëse. Ndonjëherë pyesja se kush të shndërroi në këtë njeri? Apo ndoshta je vetë kështu që nga fillimi! Si mund ta nënçmosh dashurinë, me çfarë të drejte? Ndoshta kurrë s'ke mësuar të duash. Ndoshta ti dashuron si babai yt? Duke urryer dashurinë, dhe duke dashuruar me urrejte? Ç'të bëri ai i poshtër që ti sot refuzon të mirat e jetës? Apo ajo nënë kurrë s'të dha dashurinë? Motra të xhelozoi? Shoqëria s'të kuptoi? Po nëse ata se bërën... isha unë ai. Ai që të deshi, pa kushte, dhe pa urrejtje... thjeshtë sepse të desha. Ta dhashë dashurinë, gjithë që kisha. M'vjen keq nëse nuk ishte mjaft. Xhelozia ime e vetme ishte kur nuk arrija të ktheja ata buzë të mbyllur si zinxhir me seriozitet në buzëqeshje. Të kuptova... ose u mundova të të kuptoj deri në pikën e fundit. Por ti kishe urrejtje në sytë e tu, keqardhje për veten dhe... një dëshirë që ta shihje botën nën këmbët e tua. Më kujtohet ishim fëmijë në lagje ti luaje me kukullën e vetme që kishe. E tani ke ndryshuar aq shumë, ajo mbetet një fragment që s'mund as edhe ta lidh me njeriun që je bërë sot. E di që qan natën dhe ditën do vësh maskën për t'u hakmarrur ndaj botës. Dhe unë isha viktimë e hakmarrjes tënde. Unë nuk jam babai yt, e as nëna jote, aq më pak motra. E hiç se hiç ish i dashuri që të la në baltë. Unë u mundova t'jem dera jote e pasme e manktheve të tua. Të dalësh dhe të fillosh përsëri. E sa më vjen keq që unë nuk pata vend në atë derë të dal me ty, tët shoqëroj në jetën e re... e aq më keq që ti kurrë nuk e mbërrite atë jetë, atë fillim të ri... ta nisësh përsëri jetën. Po kjo është jeta, nuk mund t'fillojmë përsëri. Do e mos, deshtëm s'deshtëm adaptohemi ose jo... kjo jetë na ka ra mbi krahë si peshë e gjith botës. Disa do fundosen nën të, disa do përpiqen tërë ymrin e tyre ta përballojnë... e madje disa do hypin mbi të dhe t'fillojnë përsëri. Ti nuk munde ta bëje atë, dhe unë nuk munda t'bëj asgjë pas teje. Qyteti është i mallkuar për mua. Nuk diti si të mbante një vajzë si ti. E unë jam i mallkuari i vetes, nuk arrita të jem njeriu që do ta kthente jetën tënde 180 shkallë, vetëm isha viktimë e përpjekjeve të mia të pafundme për të të kthyer mbrapa... ta kthej mbrapa kohën. Sa e trishtueshme kjo koha, ikën dhe nuk na vë fare. Ndoshta është mirë për kohën vetë, gjithmonë vazhdon pa kthyer për të shikuar mbrapa. Mjerueshme që njerëzit s'mund ta bëjnë këtë. Jam i stopuar dhe kam ngecur në kohë, edhe pse koha ec. Koha nuk është ndalë... por unë po. Ose t'paktën kam mbetë njësoj dhe koha ec. Kishe aq shpresë për jetën, do ishe nëna më e bukur në botë. Tani mbi varrin e djalit tonë prapë, një fragment që s'po mund me e lidh me njeriun që u bëre ti dhe me njeriun që u bëra unë. Jeta na hodhi sa andej e këndej, por përderisa mbaja dorën tënde gjithçka dukej sikur do bëhej mirë. Tani duart e mia të djegura nuk mbajnë asgjë. Të mbuluara nga dorëza të zeza që ma kujtojnë natën e errët e hirin e zi. Natën kur unë s'munda ta kthej hakmarrjen tënde ndaj botës dhe gjithëve që kishe. Apo ndoshta ishte jashtë mundësive të mia? Edhe këtë pyetje ma le pa përgjigjje t'i vihem vërdallë tërë frymave që m'kanë mbetë e tani i harxhoj vetëm me ofshamën e kujtimeve të humbura të njerëzve që dikur ishim dhe tani as nuk jemi në afërsi me atë që jam tani. E pamëshirshme ishe, nuk more në konsideratë apo ne s'të morëm në konsideratë ty? Ndoshta të pamëshirshëm ishim ne. Duam ta shfajësojmë veten se ç'mund të bënim? Ajo ishte e humbur moti. Ose ne ishim të humbur dhe ajo po mundohej t'na gjente neve brenda diku, ne e hodhëm jashtë shpirtin e saj dhe ajo u kthye në hakmarrëse. Dhe një mëngjes kur hapa derën e ajo ishte e vjerrur në litar... ajo nuk ishte hakmarrëse ndaj nesh. Ne menduam ashtu, ajo ishte e pamëshirshme, hakmarrëse, e pikëlluar, pa zgjidhje dhe pa një krah ku të mbështetej. Por gjitha ato ishin dëm për veten e saj, ne tani jetojmë me polemika se a kishim dorë në fundin e jetës së një vajze. U mundova, nuk arrita ta mbroj. Edhe unë bëj pjesë në mos praninë e saj sonte këtu. Si dhe t'gjithë ju. E pamëshirshme ishte ajo vërtetë, jo sepse ishte gjynah ta merrte jetën e vet. Ne e morëm atë qëmoti. Vrasja e saj u bë moti me fjalët që i thamë, fyerjet që i bëmë. Ju nuk e deshët, tjerët e nënçmuat... e tjerë e lënduan. E unë nuk arrita t'i mbledh copat e shpirtit të saj që ju ja grimcuat në skajet e botës. Jeta ime nuk ishte kohë e mjaftueshme për të mbledhur shpirtin e saj dhe ta riktheja prapë. Që ajo t'ja fillojë përsëri. Vrasës jemi të gjithë ne. Dhe edhe sonte e gjykoni se mori jetën, e unë e gjykoj veten pse nuk ja shpëtova. E pamëshirshme ishte ajo. E vërtetë... po ndaj vetes saj. E pamëshirshme si jeta!


Sovran Hoti.


Sovran Hoti
Mysafir i paftuar në zemrën e secilit!

Gjithashtu lexoni


0 komente