Agim Sopi me tërë atë kastë bashkëpunëtorësh na e kanë lënë një trashëgimi të vërtetë kulturore. Është një dokumentim i saktë i gjendjes psikike në vitet e 80ta të një kombi të shtypur me shekuj. Një kombi që i mbijetoi të gjithave dhe qëndroi në tokën e vet. Sidomos tani kur na ka kapluar interneti dhe rrjetet sociale, ky komb me moshë mesatare të re, e ka shumë lehtë t’i harrojë e të mos mirret me të kaluarën e vet. Por kush nuk mëson nga jeta, është i destinuar të ngelë dhe t’i përsërisë mësimet.
Agimin e takova në një bisedë të ngrohtë njoftuese. Ndër të tjera më tregoi për “Njeriun prej dheut”:
- Filmi i vetëm i ndaluar nga Tri Kryesitë e Jugosllavisë, pra niveli më i lartë shtetëror atëbotë
- Kishte qenë shumë afër burgut 20-vjeçar. Shefi i tij artistik iu kishte thënë të gjithë të tjerëve të mos shoqëroheshin me të sepse “mund ta hajnë edhe ata”
- “Vetëm ky (dhe tregoi me gisht kah një fotografi e madhe e Ibrahim Rugovës që e kishte në zyrën e vet të drejtorit të TKK) më ka taku, dhe i jam shumë borxhli. Jemi taku te kafe ‘Elida’. Mendojsha se po don m’u taku 2-3 herë për ndoj mesazh të fundit apo ku ta di, por ai u takua 2-3 javë rregullisht. Rreth nesh tavolinat tjera të mbushura me ‘sigurimca’ që dëgjojshin dhe inçizojshin. Ne flitshim për letërsi, art. Jo për politikë, as për filmin. Kjo ka qenë mesazh për pushtetin nga ai njeri i guximshëm, që ma pat aprovu filmin, se ky njeri nuk është vetëm.”
- “Filmi është i bazuar në ngjarje të vërtetë. Ai ka qenë vëllau i gjyshit tim. Unë pata ardhë nga Polonia, dhe baba më mori me veti me lypë, se thuhej se kishte ardhë në Kosovë”. Ma shpjegonte se arti është art i vërtetë vetëm kur çmohet nga bota. E pyta a janë këto vlerat universale. Tha se në fakt, sa më unike, më e tabanit të jetë tema, aq më shumë vlerësohet në botë. Japanit, tha, i intereson se si e shikon ky popull jetën pas vdekjes, sepse edhe ai i ka ato preokupime.
- “Vëllau i gjyshit i ka ndërru katër nënshtetësi dhe prapë s’ka mujtë m’u kthy n’Kosovë i gjallë. Ka lonë amanet pasuri të madhe që eshtrat me ia kthy. Dhe i janë kthy. Na nuk e kemi ditë, dhe me babën dulëm me lypë, se shumë njerëz thoshin që e kanë pa. Dhe jo vetëm një, por shumë, në qytete e fshatra të ndryshme të Kosovës”. E pyeta, “Ti a iu besojshe apo veç shkojshe me babën?” Tha, “paj, njeri të thojke që e kom pa, tash…”
- “Pas dy muajve na erdhi letra se ai kishte pasë vdekë.”
Filmin ‘Agnus Dei’ nuk e ka në youtube. Madje as në DVD nuk e kishte. Veç në format për kinema. Merre me mend. Për shkak të miopisë së institucioneve tona, ne nuk mund ta shohim një film që është dërgu në gati 200 festivale ndërkombëtare dhe i ka marrë gati 100 çmime. Ambasador i vërtetë i kulturës e i asaj që ka ndodhë në Kosovë. Por, filmin “Njeriu prej dheu” e gjeta në YouTube, me titra anglisht bile:
https://www.youtube.com/watch?v=5ufUZl0Jqrw
Filmi më ka tronditur. Ishte film i vetëdijesimit të shikuesit, i paraqitjes së të vërtetës së madhe e të fshehur kaq mirë nga armiqtë tanë, se sa larg, deri në çmendurim ka shku presioni e represioni i tyre ndaj këtij populli të shkretë për me zhdukë plotësisht nga kjo faqe e dheut. Si duket Agim Sopi do të ishte ‘i burgosur i vetëdijes’, siç ka qenë Ukshin Hoti.
Gjithsesi, në vijim është një observim i filmit nga një perspektivë mbi 30 vjet pas prodhimit të këtij filmi të 1984tës.
Filmi e paraqet fatin e hidhur të shumë familjeve, të kombit shqiptar nga Kosova, të cilët detyrohen të emigrojnë me dhunë, nga presioni me kërcënim për vdekje, nga Kosova në Turqi. Në Turqi asimilohen dhe përdoren si fuqi punëtore për punët që “nuk i bën askush tjetër”, siç është varrmihja. Atje, shumë nga ta zhveshen nga dinjiteti, karakteri e morali, duke u bërë profiterë ordinerë që kqyrin të nxjerrin fitim edhe nga një plak që i ka vdekur gruaja, duke e reduktuar kështu varrimin e kultin e vdekjes në nivel sikur të shisnin çokollata.
Por kjo është vetëm maja e ajsbergut e tmerrit nëpër të cilin kalon kombi i shtypur. I biri i Sokolit duhet të ri-emigrojë nga Turqia në Gjermani për të punuar, për t’i mbajtur fëmijët. E lë gruan me dy fëmijë, me babën që natyrisht, nuk mund ta ruajë gruan nga amoraliteti. Gruaja, që duket të jetë një turke e martuar me Bardhin për ndonjë interes, apo shqiptare e arritur më herët në Turqi, dhe më e asilimiluar, ashiqare bjen ‘njerëz të huaj’ në shtëpi, të cilët nuk i ikin pa i vërejtur as vajzës që është në moshë të vogël.
Tmerri vazhdon më thellë. Bardhi, djali i Sokolit, ishte dashur me një vajzë në fshatin e vet në vendlindje, Tringën. Mezi ndahet nga ajo kur emigrojnë para 27 viteve. Ajo e kishte pritur. “Njëzet e shtatë vjet… as fjalë, as letër… M’ka kaluar jeta me sy kah kodra e madhe duke të pritur, Bardh.” Kaq besnike e kaq besuese ajo, sa që përparësen që e kishte kujtim nga një takim në livadh dikur, e mbante me vete gjithmonë.
Por, ka edhe më tmerr. Të rinjtë shqiptarë që shkojnë të punojnë në mërgim, punojnë punë të rrezikshme. I vret ‘maqina’. Djali i vëllaut të Sokolit e sjell vëllaun e vet në arkivolin mbi veturë, nga Gjermania. Baba i vet nuk pajtohet që edhe ky djalë t’i shkojë prapë në Gjermani, që kishte marrë leje “vetëm për katër ditë”. Siç i thotë Sokoli gruas së varrosur në Turqi: “Më fal nëse mundesh… As vdekjen vdekje nuk mund ta bëra…”. Tmerri vazhdon me gruan e të vdekurit që nuk ka perspektivë më në atë familje dhe i duhet të kthehet në shtëpi. Foshnjën duhet ta lë te familja e burrit. “Mos mendo se nuk po më djeg zemra… se nuk është lehtë për nënën të ndahet nga fëmiu por… jam e re… vështirë e kam… Bota është e prishur, baba.”
Mbase tmerri më i thellë është çmendja e Hanës, motrës së Sokolit. Ajo i përgjërohet Sokolit të mos e lërë vetëm, në kohën kur Sokoli, i detyruar nga kanosja nga vdekja, vendos të emigrojë. Hana e kishte pasë burrin jashtë, i cili në ndërkohë i kishte pasë vdekur, por që nuk dihej për të. Në momentin kur i ka vdekë foshnja, ajo është çmendur. Si duket për ta pajtuar i kishin thënë se është shumë sëmurë dhe se duhet ta mbulojnë me dhe. Varrin në oborr, djepin thatë në dhomë. I fanitej nganjëherë vaji i foshnjës, dhe shkonte ta përkundë te varri, derisa ajo qetësohej në mendjen e saj.
Skena më e fuqishme mund të jetë rrahja brutale e gruas nga burri që i kishte ‘vetëm katër ditë leje nga Gjermania’, sepse baba i thotë t’i marrë me veti gruan e fëmijët se nuk mund të kujdeset më për ta. Ai këtë e merr si mesazh se gruaja po e tradhton dhe shkon e e rrah pa asnjë shqyrtim të mëtejmë. “Vetëm burrat e ligj i rrahin gratë!” i bërtet Sokoli teksa e largon me forcë. Gratë duket të kenë qenë të fundit në zingjirin e torturës psikike e fizike dhe në to janë shkarkuar të gjitha.
Element i rëndësishëm është fjala e dhënë e e mbajtur. Sokoli ia jep besën motrës se do të kthehet, gjallë a vdekur, që ta shohë. Dhe vërtet kthehet në një fazë ndërmjet gjalljes e vdekjes. Po ashtu, e rëndësishme është dëshira deri në amanet për t’ia varrosur eshtrat në vendlindje. Sokoli qetësohet, dhe pranon të shkojë në botën tjetër vetëm pasi t’i varrosen eshtrat në tokën e vet.
Agim Sopi me tërë atë kastë bashkëpunëtorësh na e kanë lënë një trashëgimi të vërtetë kulturore. Është një dokumentim i saktë i gjendjes psikike në vitet e 80ta të një kombi të shtypur me shekuj. Një kombi që i mbijetoi të gjithave dhe qëndroi në tokën e vet. Sidomos tani kur na ka kapluar interneti dhe rrjetet sociale, ky komb me moshë mesatare të re, e ka shumë lehtë t’i harrojë e të mos mirret me të kaluarën e vet. Por kush nuk mëson nga jeta, është i destinuar të ngelë dhe t’i përsërisë mësimet.
Ridvan Bunjaku
28 qershor 2017