64x64
Luan Morina
maniak!
26 Shtator 2018 · 3 min lexim

Ditëlindja e fundit

Ditëlindja e fundit

Gati dy dekada kanë kaluar që në territorin tonë janë vetëm tri televizione me mbulim kombëtar. Ende, tashmë tri vite, janë duke ndodhur përgatitjet për kalimin në transmetim digjital. Janë vetëm përgatitje në letër, pa ndonjë hap konkret. Si zakonisht në KPM, më shumë punohet në emërimin e kryesuesve e anëtarëve të bordeve se sa në zhvillimin e mediave. Por, shpresoj që kjo të ndodh me kryesimin e ri, që në fillim po shfaq përkushtim për punë serioze.


Njëra ndër punët do të ishte pajimi i kosovarëve me televizionin e katërt, të pestë, e të gjashtë kombëtar. Ka kandidatë serioz të cilët, së paku në sondazhin e organizuar tek Maniakat, lënë mbrapa këto televizione me frekuencë kombëtare.


Kur flas për KTV dhe RTV21, më kap një nostalgji. Ndoshta për faktin që ishin televizionet e para shqip që dëgjonim paslufte. Por, më shumë për faktin se kishin programe adekuate. Pastaj, nja 3-4 vite më pas erdhën telenovelat, nja dhjetë vite më vonë nisi ‘turqizimi’ dhe sot kemi gjithçka të lidhur me rrjetet sociale të cilat diktojnë politikat e redaktimit.


21shi më parë kishte kuiz diturie në ora 8 në mbrëmje; KTV kishte Fjalëkryqin të shtunave, RTK çdo ditë pune kishte emision të ngjashëm. Ishin kohëra kur shikuesit josheshin të shfaqnin njohuritë e tyre! 21shi sillte komedi amerikane, KTV para Interaktivit kishte komeditë e mbrëmjes, përfshirë edhe librarinë e pasur të BBC-së!


Tashti...


Tashti këto janë vetëm kujtime nostalgjike për një kohë, e cila ndonëse me reduktime të rrymës elektrike, ishte më e mirë për televizionin. Tri orë me rrymë dinim çfarë të shikonim në tri kanale. Nuk mund të fajësojmë shtrirjen e kabllorëve për dështimin e televizioneve kombëtare. As teknologjinë, as shikuesit, as reklamuesit. Televizionet kanë fajtorët brenda, në këshillin redaktorial.


Janë dy rrugë që një televizion mund të vendos të ecën – të bëj trendin ose të ndjekë të tjerët. Televizionet kombëtare ndjekin të tjerët. Pa ide, pa matje shikueshmërie, shpeshherë funksionojnë si të ndara ndërmjet drejtorëve, producentëve, redaktorëve, të cilët bllokojnë një shtyllë programore, privatizojnë atë, dhe veprojnë si autonom brenda vet televizionit. Organizimi i këtyre televizioneve ngjan në organizimin shoqëror, fatkeqësisht. A në fakt do të duhej të ishte e kundërta! Të ishin shembuj për zhvillimin, sidomos intelektual, të një shoqërie. Tek ne, shfrytëzojnë mangësinë kulturore, dhe rrjedhimisht do të mbeten vetëm okupuese të frekuencave me kalimin e kohës!


Digjitalizimi to të mbyt televizionet jo-kreative! E vetmja mënyrë e mbijetesës për RTV21 e KTV, dhe televizionet tjera rajonale e lokale do të mbetet vonesa e digjitalizimit! Ose, kthimi i Biroll Urxhanit!


Luan Morina
maniak!

Gjithashtu lexoni


0 komente