Për dekada të tëra shkencëtarët dhe doktorët më të shquar botëror kanë besuar se ulçera në stomak si dhe kanceri i stomakut shkaktohen nga stresi, ushqimet pikante si dhe nga acidi i lartë në stomak.
Barry Marshall nuk po e besonte këtë. Marshall ishte një mjek australian dhe studiues i mikrobiologjisë dhe ai besonte se ulçerat në stomak nuk ishin thjesht produkt i një jete plot tension apo një darke tejet pikante. Përkundrazi, ai besonte se ulçera ishte shkaktuar nga bakteret. Më konkretisht, Marshall besonte se ulçera ishte shkaktuar nga Helicobacter pylori.
Por sidoqoftë kishte një problem në këtë teori:
Marshall dhe partneri i tij i laboratorit ishin pothuajse të vetmit të cilët besuan këtë ide të çmendur. Përkundër besimeve të tij, Marshall nuk kishte mundur ta vërtetoj lidhjen mes baktereve dhe ulçerës në eksperimentet laboratorike në derra, dhe paratë e ndihmës financiare veçse po harxhoheshin. Ndërkohë, mijëra njerëz për çdo vit po vazhdonin të vdisnin nga kanceri i stomakut.
Shkencëtari i çmendur
I mërzitur me situatën, Marshall vendosi që timonin e kësaj çështje ta marrë vetë në dorë dhe ta udhëheq personalisht një eksperiment shkencëtor, një eksperiment të llojit të guximshëm.
Në korrik të vitit 1984, Marshall mori një gotë laboratorike të mbushur me lëng ngjyrë kafe e të turbullt ku notonte bakteria Heliobacter pylori dhe vendosi ta pijë një gëllënjkë. Ai e piu atë të tërën, pastaj nuk futi gjë në gojë gjatë gjithë ditës.
Sipas fjalëve të mjekut Siddhartha Mukherjee, Marshall “kishte gëlltitur një kancerogjen për të krijuar një gjendje prekanceroze në stomakun e tij”.
Tre ditë më vonë, Marshall filloi që t’iu përzihet. Në ditën e pestë ai filloi që të vjellë dhe vazhdoi kështu për tre ditë rresht. Gjatë gjithë kësaj kohe kolegu i tij merrte mostra të baktereve në stomakun e Marshall dhe regjistroi ndryshimet fiziologjike pasi Marshall filloi të zhvillojë një episodë të rëndë të gastritit në stomakun e tij. Pas dy javësh ferri që ia kishte krijuar vetës, Marshall kishte provën që i duhej dhe filloi të përdorë antibiotikë.
Fatmirësisht ai u shërua. Brenda një muaji, Marshall dhe kolegët e tij kishin dorëzuar eksperimentin dhe rezultatet e eksperimentit për t’i botuar në Revistën Mjekësore të Australisë. Ata jo vetëm që kishin vërtetuar se Helicobacter pylori ishte shkaktari i ulçerave në stomak, por edhe kishin zbuluar një pararendës të rëndësishëm të kancerit në stomak. Marshall dhe partneri i tij laboratorik Robin Warren në vitin 2005 fituan çmimin Nobel në mjekësi për përpjekjet e tyre.
Fuqia e shkencës personale
Barry Marshall është me të vërtetë një shkencëtar i çmendur në jetë reale. Ai piu një koktej kancerogjen me shpresën që të zbulojë një të vërtetë shkencore. Historia e tij është njëra nga të shumtat të përmenduara në librin fantastik Mbreti i të gjitha sëmundjeve (The Emperor of All Maladies).
Marshall është një rast ekstrem i asaj që shoku im Josh Kaufman e quan “shkencë personale”.
Shkenca personale i referohet idesë së ekzekutimit të eksperimenteve të vogla të cilat i udhëheqni vetë me qëllimin e zbulimit të mënyrave të reja se si t’i zgjidhni problemet dhe të keni rezultat në jetën tuaj. Përderisa studimet tipike mbahen në shkallë të lartë dhe publikohen në revista akademike, eksperimentet shkencore personale përfshijnë një pacient të vetëm (iu perfshinë juve) dhe përqendrohen në dhënien e informacionit praktik dhe të dobishëm.
Marshall përdori shkencën personale për të çuar më tej qëllimet e tij në karrierë, ndërsa ju dhe unë mund ta përdorim shkencën personale për të krijuar një zakon të ri shëndetësor apo për ta përmirësuar efektshmërinë tonë në punë. Qëllimi i këtyre eksperimenteve të vogla është të zbuloni se çfarë iu sjell rezultate në jetë reale. Si një shkrimtar dhe studiues i cili përpiqet t’i ndërthurë idetë e bazuara në shkencë me njohuri praktike, besoj se kjo filozofi e vetë eksperimentimit është tejet e rëndësishme.
Pse?
Sepse pa marrë parasysh se sa shumë shkencë dhe teori kuptoni, ju kurrë nuk mund të keni rezulatate në jetë deri sa të keni kurajo dhe të ndërmerrni diçka.
Çlirimi i shkencëtarit tuaj të çmendur
Shkenca personale nuk është një justifikim për të bërë diçka të pamatur. Për shembull unë nuk rekomandoj që ju të pini një gotë me lëng laboratorik për ta testuar një bakterie prekanceroze. Por sidoqoftë, besoj se ekzekutimi i eksperimenteve tuaja dhe vullneti për të provuar gjëra të reja do ta bëjnë jetën tuaj më të mirë.
Më poshtë janë disa arsye:
Shkenca personale është me rrezik të ulët. Ndryshe nga eksperimenti i Marshall, pothuajse cilido eksperiment që ju apo unë do të zhvillojmë është zakonisht me rrezik të ulët. Zakonisht pengesat që na u shfaqen janë parehatia, pasiguria, bezdia dhe frika e kritikës. Forcat e shkencës personale i kalojnë këto pengesa emocionale dhe i shohin ato si: bindje kufizuese.
Ja ku janë disa shembuj:
-Dëshironi që më në fund ta shkruani librin tuaj? Eksperimentoni duke e shmangur një aktivitet që të pëlqen që të gjesh kohë për këtë qëllim? Cili është rreziku i mundshëm? A jeni vërtetë të shqetësuar se do ta humbisni këtë sezonë të shfaqjes suaj të preferuar?
-Provoni të hani shëndetshëm? Krijoni një rregull dhe eksperimentoni duke ngrënë një perime në ditë, pa marrë parasysh rrethanat. Cili është rreziku i mundshëm? Që do të keni një ditë të gjatë dhe do iu duhet ta bëni një grumbull shpargësh në ora 10 të mbrëmjes?
-Dëshironi të zgjoheni herët? Eksperimento duke u zgjuar në orën 5 këtë javë? Cili është rreziku i mundshëm? Që do ndiheni të lodhur për një javë?
Shkenca personale iu mëson çelësin për zgjidhjen e vërtetë të problemeve. Ne shpesh lexojmë libra dhe mbështetemi në studime kërkimore për përgjigjjen e problemeve tona. Njohja se ku ta marrim informacionin është shkathtësi e nevojshme, por çelësi i zgjidhjes së problemit nuk është te të pasurit dikë që t’ua kryej juve punën. Çelësi i zgjidhjes së problemeve është gatishmëria për të provuar gjëra të reja, të eksperimentuarit në mënyrë të matur dhe përfundimi i punës.
Futuni në mejdan
Të gjithë jetojmë jetën tonë në laboratore të ndryshme. Këndi juaj i botës – i mbushur me përvojat tuaja, biologjinë tuaj, mjedisin, miqtë dhe besimet tuaja – është një pjatë petri (pjatë e cila përdoret nga biologët për të kultivuar qelizat,siç janë bakteret) e ndryshme nga ajo e imja. Ka shumë baza që vlejnë për të gjitha pjatat petri, por pavarsisht se në çfarë rrethanash ndodheni ju duhet të jeni gati të eksperimentoni nëse doni të merrni një rezultat.
Çlirojeni shkencëtarin tuaj të çmendur herë pas here. Futuni në mejdan dhe ecni nëpër zjarr. E vërteta e vetme është ajo që juve iu funksionon.
Përktheu: Vlera Murtezi
Source: https://jamesclear.com/barry-marshall?fbclid=IwAR2GV6as6uRv4sIhYrzyM6dHb0F0zp8jWUyJAbokCi8imJN7ENUhPUVVjyo